Ka thënë esh-shejkh Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:
Agjerimi i ditës së Ashurasë është katër llojesh:
Lloji i parë: që të agjerojmë ditën e 9-të, 10-të dhe 11-të.
Ky është lloji më i lartë, për shkak të asaj që ka përcjellë Ahmedi në “Musned”:
«Agjerojeni ditën e Ashures dhe kundërshtojini në të jehudët, agjeroni një ditë përpara saj ose një ditë pas saj»
Dhe në një artikulim tjetër (jo të imam Ahmedit):
«Agjeroni përpara saj një ditë dhe pas saj një ditë»
Sepse njeriu nëse agjeron 3 ditë, arrin mirësinë e agjerimit të tre ditëve të muajit.
Lloji i dytë: Agjerimi i ditës së 9 -të dhe 10-të, për shkak të fjalë së Pejgamberit ﷺ:
«Nëse do të jem gjallë vitin që vjen, me siguri do ta agjeroja ditën e nëntë»
Kur i thanë se: jehudët e agjeronin ditën e 10-të, Pejgamberi ﷺ kishte dëshirë që t’i kundërshtonte jehudët, madje çdo jobesimtar.
Lloji i tretë: dita e 10-të me ditën e 11-të
Lloji i katërt: dita e 10-të tek.
Ka prej dijetarëve që kanë thënë se është e lejuar dhe ka prej tyre që kanë thënë: se nuk është e pëlqyer.
Ata që kanë thënë se është e lejuar, janë argumentuar me kuptimin e përgjithshëm të fjalës së Pejgamberit ﷺ kur u pyet në lidhje me agjerimin e ditës së Ashures ku tha:
«Dhe agjerimi i ditës së 10 të Muharremit shpresoj që Allahu t’i shlyejë gjynahet e vitit përpara tij»
Dhe nuk e përmendi ditën e 9-të.
Ata që thonë se nuk është e pëlqyer kanë thënë se: Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«…kundërshtojini në të jehudët, agjeroni një ditë përpara saj ose një ditë pas saj»
Dhe në një artikulim tjetër:
«Agjeroni një ditë përpara saj dhe një ditë pas saj»
Dhe kjo tregon për obligimin e shtimit të një dite me qëllimin e kundërshtimit ose të paktën: mospëlqyeshmërinë e veçimit të saj.
Mendimi për mospëlqyeshmërinë e veçimit të saj është i fortë.
Për këtë arsye mendojmë se njeriu del nga kjo, duke agjeruar ditën e 9-të përpara saj, ose ditën e 11-të pas saj.
📚 فتاوى لقاء الباب المفتوح” [٩٥] (الصيام/صوم التطوع)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema