Pyetje drejtuar el-Al’lameh Muhamed bnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah-
Pyetje:
A e prish agjerimin njeriu me daljen e gjakut gjatë heqjes së dhëmballës?
Përgjigje:
Dalja e gjakut për shkak të heqjes së dhëmballës nuk ndikon dhe nuk i bën dëm fare agjeruesit, porse duhet të bëj kujdes që të mos e gëlltis gjakun, sepse gjaku del me shpejtësi dhe jo si zakonisht, gëlltitja e tij e prish agjerimin në kundërshtim me pështymën, e cila nuk e prish agjerimin.
Kështu që agjeruesi që heq dhëmballën duhet të bëj kujdes që gjaku të mos shkojë në stomakun e tij; sepse kjo e prish agjerimin, por nëse gjaku rrjedh pa vullnetin e tij, atëherë kjo nuk prish punë, sepse ai nuk e bën me qëllim këtë gjë.
Origjina e paqartësisë tek disa njerëz që lidhen me këtë çështje siç është heqja e dhëmballës, ose heqja e dhëmbit ose e plagëve është se agjerimi prishet me hixhameh, Pejgamberi -sal’lAllahu alejhi ue sel’lem- ka thënë:
«E ka prishur agjerimin bërësi i hixhames dhe përfituesi i hixhames»
Disa njerëz të thjeshtë mendojnë se gjaku që del nga heqja e dhëmballës ose e dhëmbit ose nga plagët, ose të ngjashme me këto, mendojnë se kjo e prish agjerimin si puna e hixhames, por çështja nuk është ashtu, nga bërja e hixhames del shumë gjak dhe ndikon tek agjeruesi, i cili ndjehet i lodhur dhe i pafuqishëm dhe ka nevojë që të konsumojë diçka për t’i rikthyer fuqinë dhe t’i largojë dobësinë që erdhi si pasojë e hixhames.
Sa i përket gjakut që del me heqjen e dhëmballës e të ngjashme me to, kjo gjë nuk ndikon ashtu siç ndikon hixhamja dhe nuk e prish fare agjerimin, po ashtu nuk e prish agjerimin marrja e gjakut për analiza, mjeku mundet që të ketë nevojë për të marrë gjak nga pacienti që të shoh se çfarë ka, kjo gjë nuk e prish agjerimin, sepse është një sasi e vogël gjaku dhe nuk ndikon te trupi ashtu siç ndikon hixhamja, e si pasojë nuk e prish agjerimin.
Origjina është që agjerimi mbetet, nuk mundet të themi se është prishur vetëm se me argumente sheriatike, këtu nuk kemi argument se agjeruesi e prish agjerimin me daljen e një sasie të vogël gjaku.
Sa përket marrjes së një sasie të madhe gjaku, i cili ndikon te trupi ashtu siç ndikon hixhamja tek agjeruesi, për t’ia dhuruar një njeriu që ka nevojë për gjak, atëherë kjo e prish agjerimin, bazuar në këtë, nëse agjerimi është i detyrueshëm, nuk i lejohet askujt që t’ja dhurojë dikujt këtë sasi të madhe gjaku vetëm nëse është është në rrezik për jetën dhe nuk mund të presë deri në perëndim të diellit dhe mjekët vendosin që gjaku i këtij agjeruesi i bën dobi dhe e largon rrezikun, atëherë ai në këtë rast nuk ka gjë nëse e dhuron gjakun e tij dhe e prish agjerimin, ha dhe pi derisa t’i kthehet fuqia dhe e kompenson atë ditë që e prishi agjerimin.
Dhe Allahu e di më mirë
📚 مجموع فتاوى ورسائل” ١٩/ كتاب مفسدات الصيام”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema