Loading

Transmeton Talhah ibnu UbejduAllah se dy burra nga fisi Belij shkuan te Profeti ﷺ dhe e pranuan Islamin së bashku, njëri prej tyre përpiqej më shumë në adhurim sesa tjetri, ai që përpiqej më shumë në adhurim prej tyre shkoi në luftë dhe ra dëshmor, më pas ai tjetri jetoi pas tij një vit dhe vdiq.

Talhah tha: pashë në ëndërr sikur isha te porta e Xhennetit dhe i pashë ata të dy, dikush (nga engjëjt) doli nga Xhenneti dhe i dha leje të futet atij që vdiq i fundit prej tyre, më pas doli (engjëlli) dhe i dha leje atij që ra dëshmor, më pas u kthye te mua dhe më tha: kthehu, nuk ka ardhur ende koha për ty!

Në mëngjes Talhah ua tregoi njerëzve këtë ëndërr dhe ata u habitën nga ajo që dëgjuan! Ky lajm i shkoi të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Ai tha: «përse habiteni për këtë?»

Ata thanë: o i Dërguari i Allahut, ky përpiqej më shumë në adhurim sesa tjetri, më pas ra dëshmor ndërsa ky tjetri hyri në Xhennet përpara tij.

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «A nuk jetoi ky një vit pas tij?»

Thanë: po.

Tha: «a nuk e mbërriti Ramazanin dhe agjeroi dhe u fal kaq e aq përgjatë atij viti?»

Thanë: po.

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Diferenca në mes tyre është më e madhe sesa diferenca në mes qiellit dhe tokës»

📚 Transmetoi Ahmedi (1403) dhe ibnu Maxheh (3925)

✔️ Shejkh el-Albani e ka vlerësuar hadith sahih në “Sahih ibni Maxheh” (3171)

Përktheu: Abdur-Rahman Mema


Ka thënë Profeti ﷺ: «Njerëzit më të mirë janë ata që e kanë jetën e gjatë dhe veprën e mirë» [Sahih et-Tirmidhij (2330)]

Shpërndaje: