Hadith madhështor!!!
Imam Muslimi -Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
Transmeton ebu Esma er-Rahabijju se Theubani, skllavi i të Dërguarit të Allahut ﷺ, i ka treguar atij: isha duke qendruar pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ ndërkohë që erdhi një dijetar prej dijetarëve të jehudëve dhe i tha:
Esselamu alejke o Muhamed!
Unë e shtyva dhe gati sa nuk ra në tokë.
Tha: përse më shtyn?!
I thashë: përse nuk i thua “o i Dërguari i Allahut?!”
Jehudi tha: ne e thërrasim me emrin që e ka emërtuar familja e tij.
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Vërtet, emri me të cilin më ka emërtuar familja ime është Muhamed.»
Jehudi tha: kam ardhur që të të pyes.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: «A të bën dobi ajo që do të të them?»
Tha: do ta dëgjoj me veshët e mi.
I Dërguari i Allahut ﷺ bëri një vizë në tokë me shkopin që kishte me vete dhe i tha: «Pyet!»
Jehudi tha: ku do të jenë njerëzit ditën kur të ndërrohet toka me një tokë tjetër dhe qiejt me të tjerë qiej?
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Ata do të jenë në errësirë, pranë urës.»
Tha: kush do ta kalojnë të parët urën?
Tha ﷺ: «Të varfrit e muhaxhirëve.»
Jehudi tha: cili do të jetë mëngjesi i tyre në çastin që do të hyjnë në Xhennet?
Tha ﷺ: «Anët e mëlçisë së balenës.»
Tha: cili do të jetë ushqimi i tyre pas kësaj?
Tha ﷺ: «Do të theret për ta demi i Xhennetit, i cili ka kullotur në anët e tij.»
Tha: çfarë do të jetë pija e tyre?
Tha ﷺ: «Do të pinë nga një burim që quhet ‘selsebil’»
Tha: the të vërtetën. Erdha të pyes për diçka të cilën, përveç një profeti apo një ose dy burrave, nuk e di askush prej banorëve të tokës.
Tha ﷺ: «A të bën dobi nëse ta them?»
Tha: do ta dëgjoj me veshët e mi. Erdha të pyes për fëmijën.
Tha ﷺ: «Lëngu i burrit është i bardhë dhe i gruas i verdhë. Kur ato bashkohen dhe lëngu (kromozomet dhe genet) i burrit dominon mbi atë të femrës, atëherë, me Lejen e Allahut, lind djalë; dhe nëse lëngu (kromozomet dhe genet) i femrës dominon mbi atë të mashkullit, atëherë, me Lejen e Allahut, lind femër.»
Jehudi tha: the të vërtetën. Me të vërtetë që ti je i dërguar.
Më pas, u kthye dhe u largua.
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Ky më pyeti për atë që më pyeti, por unë, derisa Allahu më tregoi për të, nuk kisha dije rreth saj.»
📚 Transmetoi Muslimi (315)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema