Loading

Nuk ka ardhur në sunnetin profetik diçka që të tregojë për vendin se ku do varroset kohës Isa, i biri Merjemes, -alejhis selām- në fund të kohës. Sa i takon haditheve që kanë ardhur në lidhje me këtë, ato janë shumë të dobëta dhe nuk janë vërtetuar. Sqarimi i saj është si vijon:

Kanë ardhur disa ethere prej dijetarëve të sahabëve në lidhje me këtë çështje, ethere të cilat vijnë nga ata dijetarë që e kanë lexuar Teuratin dhe kanë marrë vesh se çfarë ka në të:

Transmeton imam et-Tirmidhij në “el-Xhami’ul Kebir” etj prej hadithit të Abdullah ibnu Selamit-radij Allahu anhu- se ka thënë:

“Përshkrimi i Muhamedit ﷺ është i shkruar në Teurat dhe është shkruar se Isa ibnu Merjem do të varroset pranë tij”.

Ka thënë ebu Meududi, njëri nga transmetuesit e hadithit:

Në shtëpi ka mbetur edhe një vend për një varr.

Ka thënë imam et-Tirmidhij -Allahu e mëshiroftë- hadithi është: “hasen garib”.

Ndërsa el-al’lameh el-Albanij -Allahu e mëshiroftë- e ka vlerësuar hadith të dobët.

Ka ardhur në “Sheriah” (3/1324) të imam el-Axhurrit -Allahu e mëshiroftë-:

Tri varret janë: varri i Pejgamberit ﷺ, varri i ebu Bekrit, varri i Umerit dhe një varr i katërt ku do të varroset Isa, i biri i Merjemes -alejhis selām-.

Ka thënë Hafizi ibnu Haxher në “Fet’hul Bārij” (13/308):

Dhe në transmetimin e imam et-Tebarānit -Allahu e mëshiroftë-:

“Do të varroset Isa me Pejgamberin ﷺ, Ebu Bekrin dhe Umerin. Pra, do të jetë edhe një varr i katërt (varri i Isës alejhis selam). “

Të gjitha rrugët e transmetimit janë prej rrugës së Uthman ibnud Dahhākut nga Muhamed ibnu Jusuf ibnu Abdil-lah ibnu Selami nga babai i tij dhe ky nga gjyshi i tij.

Ky zinxhir është i dobët. Ebu Daudi etj kanë thënë: Uthman ibnud Dahhāku është i dobët. “Teh’dhibut Teh’dhib” (7/124)

Ka thënë imam el-Kurtubij -Allahu e mëshiroftë- në “et-Tedhkiratu fi Ehual el-Meute ue Umuril Ekhirah” (fq. 1301):

“Më pas, Allahu do t’ia marrë shpirtin Isës -alejhis selaam- dhe do ta shijojë vdekjen dhe do të varroset pranë Pejgamberit ﷺ në dhomë… Është thënë se ai do të varroset në vendin e bekuar (në Palestinë), në vendin e posaçem për varrosjen e Pejgamberëve.” Mbaroi fjala e tij, Allahu e mëshiroftë.

Ka ardhur në librin “Tuhfetul Ehuadhij” (10/62) shpjegim i “sunnen et-Tirmidhij”:

Varrosjen e Isait alejhis salatu uesselam pranë Profetit ﷺ -pas zbritjes dhe vdekjes së tij (Isait)- e përforcon ajo që është transmetuar nga ‘Aishja -Allahu qoftë i Kënaqur me të- në një hadith për të cilin hafizi (ibnu Haxher) ka thënë: nuk është vërtetuar që ajo të ketë kërkuar leje nga Pejgamberi ﷺ se nëse do të jetonte pas tij, ajo të varrosej pranë me të (ﷺ), e ai (ﷺ) t’i ketë thënë: ku do të varrosesh ?! Nuk ka hapësirë në atë vend përveç varrit tim, varrit të ebu Bekrit, varrit të Umerit dhe varrit të Isait, birit të Merjemes.

Ka ardhur në librin “Ekhbaru el-Medineh” në një rrugë të dobët nga Se’id ibnul Musejjeb -Allahu e mëshiroftë- se ka thënë:

Vërtet, tri varret janë në suffan e shtëpisë së Aishes dhe aty ka një vend për një varr ku do të varroset Isa -alejhis selām-.

Gjithashtu, e përforcon këtë hadithi i Abdullah ibnu Amrit, i cili ka thënë: ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:

“Isa, i biri i Merjemes, do zbresë në tokë, do martohet dhe do ketë fëmijë. Ai do të qëndrojë 45 vite dhe pastaj do vdesë dhe do varroset me mua në varrin tim. Do ngrihemi unë edhe Isa, i biri i Merjemes, në një varr midis ebu Bekrit dhe Umerit.

E ka transmetuar ibnul Xheuzij në librin “el-Uefa’u” dhe e ka përmendur atë shejkh Uelijud Din në “el-Mishkat, por nuk e kam gjetur zinxhirin e tij.

Mbaroi fjala e autorit të librit “Tuhfetul Ehuadhij” -Allahu e mëshiroftë-.

Ka ardhur në librin “Aunul Ma’bud” shpjegim i “sunnen Ebij Daud” (11/307):

Ka thënë hafizi ebul Kāsim ibnu Asākir në lidhje me Isain, të birin e Merjemes -alejhis selām-: ai do vdesë në Medinë, do t’ia falin xhenazenë aty dhe do varroset në dhomën pejgamberike.

Mbaroi fjala e tij -Allahu e mëshiroftë-

Ajo që kuptojmë nga sa parapriu është se nuk është vërtetuar diçka -në lidhje me ngjarjet që do të ndodhin në fund të kohës- që të tregojë se Isa -alejhis selām- do varroset në dhomën profetike. Ato që kanë ardhur në lidhje me këtë janë ethere me zinxhir të dobët të cilat nuk janë marrë nga Kur’ani dhe Sunneti. Allahu e di më së miri.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: