Transmetohet nga Xhabir ibnu Abdullah -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë: ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:
“Do të dalë dexhali kur gjendja e njerëzve në fe do të jetë e dobët dhe do të ketë pak njerëz fetarë dhe nuk do të ketë dije, ai do të qëndrojë 40 netë duke udhëtuar nëpër tokë, një ditë prej tyre do të jetë sa një vit dhe një ditë do të jetë sa një muaj dhe një ditë do të jetë sa një Xhuma, pastaj ditët e tjera do jenë si këto ditët tuaja.
Ai do të ketë një gomar që i hipën, gjërësia e tij nga njëri vesh në tjetrin është sa 40 parakrahë dhe ai do t’u thotë njerëzve: unë jam zoti juaj dhe ai sheh vetëm me njërin sy, kurse Zoti juaj nuk është ashtu, në mes dy syve të tij ka të shkruar “kafir” me gërma të ndara (k f r), i lexon ato çdo besimtar, ai që di të shkruaj dhe ai që nuk di, ai do të shkojë në çdo vend, përveç Medinës dhe Mekës, Allahu ia ka ndaluar ato, engjëjt qëndrojnë te dyert e tyre, ai do të ketë një mal me bukë, njerëzit do të jenë në skamje, përveç atyre që e ndjekin atë, ai do të ketë dy lumenj -unë jam më i ditur rreth tyre sesa ai- një lumë që ai pretendon se është xhennet dhe një lumë që pretendon se është zjarr, kush futet në atë që ai e quan xhennet, le ta dijë se ai është zjarr dhe kush futet tek ai që ai e quan zjarr, le ta dijë se ai është xhennet.”
Tha: “Allahu dërgon me të shejtanë që i flasin njerëzve dhe ai do të shkaktojë një fitne të madhe, e urdhëron qiellin të lëshojë shi dhe njerëzve u duket sikur po bie shi, vret një njeri dhe pastaj e ringjall dhe njërëzve u duket sikur ringjallet- pas kësaj ai nuk do të mundet të ringjallë njeri tjetër- dhe thotë: o ju njerëz! Këtë nuk e bën askush përveç Zotit?”
Tha: “Muslimanët ja mbathin për në malin e Dukhanit (tymit) në Sham, ai shkon tek ata dhe i rrethon dhe atyre u vështirësohet rrethimi dhe përjetojnë një skamje të madhe, pas kësaj zbret Isa ibnu Merjem dhe thërret në kohën e agimit: o njerëz! Çfarë ju pengon që ta luftoni atë gënjeshtar të madh dhe të fëlliqur? Ata do të thonë: ky është xhinij. Ata dalin të shohin dhe vërejnë që ai është Isa ibnu Merjem, do të thirret ezani për të falur namazin dhe do t’i thuhet atij: dil para e na prij në namaz o shpirt i Allahut.
Ai do të thotë: le të dalë imami juaj dhe t’ju prijë në namaz. Pasi falin namazin e sabahut nisen drejt tij.”
Tha: “kur ai e sheh atë shkrihet, ashtu siç shkrihet kripa në ujë, ai niset drejt tij dhe e vret atë, madje edhe pema dhe guri do të thërrasë: o shpirt i Allahut, ky është jehudij. Ai nuk do të le askënd prej atyre që e ndoqën atë (dexhalin) vetëm se do ta vrasë atë.”
📚 Transmetoi imam Ahmed (14954)
Zinxhiri i hadithit është sipas kushteve të imam Muslim
Përktheu: Abdur-Rahman Mema