Transmeton ebu Umameh el-Bahilij nga Profeti ﷺ se ka thënë:
Ndërsa po flija, sakaq më erdhën dy burra, më kapën nga sqetullat dhe më çuan te një mal me terren të thyer dhe më thanë: ngjitu!
Thashë: nuk mundem që ta ngjisë.
Thanë: do ta lehtësojmë ne.
U ngjita derisa arrita në majën e malit, befas dëgjoj një ulërimë dhe thashë: çfarë janë këto zëra?
Thanë: janë ulërimat e banorëve të Zjarrit, më pas u nisën me mua, kur befas shoh një popull që ishin varur prej leqeve të këmbëve, cepat e gojës i kishin të çara dhe prej tyre u rridhte gjak.
Thashë: kush janë ata?
Më thanë: janë ata të cilët e prishin agjerimin para se ai të çelet më pas u nisën me mua dhe befas pashë një popull, me fryrjen më të madhe, me erën dhe me pamjen më të keqe!
Thashë: kush janë ata?
Thanë: Ata janë të vrarët e jobesimtarëve!
Më pas u nisën me mua, kur befas pashë një popull me fryrjen më të madhe, me erën dhe me pamjen më të keqe, sikur era e ujrave të zeza.
Thashë: kush janë ata?
Më thanë: kurvarët dhe laviret.
Më pas u nisën me mua kur befas shoh gra që gjinjtë e tyre i kafshonin gjarpërinjtë!
Thashë: si është puna e tyre?
Më thanë: janë ato të cilat ua ndalojnë fëmijëve të tyre qumështin e gjirit!
Më pas u nisën me mua kur befas shoh disa djelmosha që po luanin në mes dy lumenjve.
Thashë: kush janë ata?
Më thanë: janë pasardhësit e besimtarëve që kanë vdekur të vegjël.
Më pas ata më ngritën në një vend të lartë, kur befas shoh tre veta që pinin nga vera e tyre!
Thashë: kush janë ata?
Thanë: ata janë Xhe’aferri, Zejdi dhe ibnu Rauahah.
Më pas më ngritën lart përsëri, kur befas shoh tre veta.
Thashë: kush janë këta?
Thanë: Ky është Ibrahimi, Musa dhe Isa dhe ata po të presin ty.
أخرجه النسائي في ((السنن الكبري)) (3286) مختصرًا، وابن خزيمة (1986)، وابن حبان (7491)
Ka thënë esh-shejkh el-Albanij në: “Sahihu et-Tergib”: Sahih.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema