Nga Ebu Hurejrete radij’Allahu anhu transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë:
«Kush i ka bërë padrejtësi vëllait të tij në nderin e tij apo në ndonjë gjë tjetër, duhet t’i kërkojë hallallëkun sot, para se të vijë dita kur nuk do ketë as dinarë dhe as dirhemë: nëse ka ndonjë vepër të mirë, do merret prej tij, në varësi të padrejtësisë; nëse nuk do ketë të mira, do merren nga veprat e këqija të shokut të tij dhe do t’i ngarkohen.»
📚 Transmetoi El-Bukharī (6534)
Shpjegimi i hadithit:
Al-lameh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin rahimehullah:
Autori i librit, sipas asaj që transmetoi nga Ebu Hurejrete radij’Allahu anhu, tha se Profeti ﷺ ka thënë:
«Kush i ka bërë padrejtësi vëllait të tij në nderin e tij apo në ndonjë gjë tjetër, duhet t’i kërkojë hallallëkun sot, para se të vijë dita kur nuk do ketë as dinarë dhe as dirhemë…»
Dhe kjo Ditën e Kijametit! Me të vërtetë, ai në dynja mund të kërkojë hallallëkun prej padrejtësive që rëndojnë ndaj tij, duke vënë kështu në vend drejtësinë ndaj atyre padrejtësive që i ka bërë. E gjithë kjo pra duke u kërkuar hallallëkun për të hyrat në hak. Ama në Botën Tjetër nuk ka rrugë tjetër përveç veprave të mira: Ditën e Kijametit, ai ndaj të cilit është bërë padrejtësi ia merr hakun të padrejtit duke i marrë nga veprat e mira, gjëra të cilat janë kapitali i tij atë Ditë, nëse ngelet tek ai diçka. Nëse jo, merret prej mëkateve të atij që i është bërë padrejtësi dhe i ngarkohen të padrejtit! Allahu na ruajttë! I shtohen kësisoj mëkatet!
Ajo që vëmë re te ky hadith është fakti se obligohet mbi njeriun kërkimi i hallallëkut për padrejtësinë që i ka bërë vëllait të tij, madje edhe në ato që kanë lidhje me nderin, qoftë ai në dijeni të saj apo jo; dhe kjo sepse padrejtësitë mund të ndodhin ndaj personit, pasurisë dhe nderit, bazuar në fjalën e Profetit ﷺ:
«Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të ndalura për ju!»
Nëse është ndaj personit, si p.sh.ka kryer një krim ndaj tij, e ka rrahur derisa i ka shkaktuar plagë, i ka prerë ndonjë pjesë prej pjesëve të trupit apo e ka vrarë, pa dyshim që duhet t’i kërkojë hallallëkun. Madje ai që ka të drejtë mund të kërkojë (në shtet) ekzekutimin e tij ose të zgjedhë shpagimin e gjakut. Por nëse ka lidhje me pasurinë, ia jep pasurinë atij që ia ka marrë, pra, t’ia kthejë pronarit. Nëse ai mungon dhe nuk ia di vendndodhjen dhe i humbet shpresat për gjetjen e tij, këtë pasuri e jep për bamirësi në emër të tij. Allahu e di dhe ia çon në vend të drejtën.
Nëse ai që ka të drejtë ka vdekur, ia jep trashëgimtarëve të tij, sepse pas vdekjes pasuria u kalon trashëgimtarëve, kështu që patjetër duhet t’ua dorëzojë. Nëse nuk i njeh dhe nuk ka informacion rreth tyre, jep bamirësi në emër të tyre. Allahu i di se kush janë dhe ua jep të drejtën.
Por nëse ka lidhje me nderin, si p.sh. kur ka sharë një person në një tubim apo e ka përgojuar, patjetër duhet t’i kërkojë hallallëkun.Nëse ai e di që e ka sharë, shkon e i thotë: unë bëra këtë e atë dhe kam ardhur të të kërkojë ndjesë.
Nëse e fal, kjo është për mirësive të Allahut ndaj të gjithëve, sepse Allahu thotë:
{فَمَنْ عَفَا وَأَصْلَحَ فَأَجْرُهُ عَلَى اللهِ ۚ إِنَّهُ لَا
يُحِبُّ الظَّالِمِينَ}
{Ai që fal dhe pajtohet, shpërblimin e ka tek Allahu. Me të vërtetë, Ai nuk i do të padrejtët!}
Nëse nuk e fal, le t’i japë para, ta kënaqë me para derisa t’ia bëjë hallall. Nëse refuzon, s’ka dyshim që Allahu i Lartësuar e di nëse pendesa e atij që ka bërë padrejtësi është e sinqertë. Rrjedhimisht Ai, në Ditën e Kijametit, e kënaq atë ndaj të cilit është bërë padrejtësi.
Disa dijetarë kanë thënë në lidhje me çështjen e nderit: nëse ai që i është bërë padrejtësi nuk e di, nuk është nevoja që ta informojë.
Shembull: kur e shan dikë në një tubim dhe pendohet, nuk ka nevojë që ta njoftojë, por i kërkon falje Allahut, lutet për të dhe e lavdëron me fjalë të mira në atë tubim ku e ka sharë. Me gjithë këtë i ka kërkuar hallallëkun.
Ajo që ka rëndësi është se kemi të bëjmë me një çështje të rrezikshme! Të drejtat e njerëzve patjetër duhet t’u kthehen atyre, ose në dynja ose në Botën Tjetër.
شرح رياض الصالحين” (٢ /٥٠٩-٥١٠)” 📚
Përktheu: Abdur-Rahman Mema