Transmetohet nga ebu Musa el-Esh’arij -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë:
U nis ebu Talibi drejt Shamit dhe me të ishte Profeti ﷺ bashkë me disa pleq prej kurejshëve. Kur ata kaluan nga murgu, u ndalën dhe ngritën kampin aty, murgu doli dhe shkoi tek ata, më parë ata kishin kaluar pranë tij dhe ai nuk kishte dalë dhe as nuk u kishte kushtuar rëndësi.
Tha (ebu Musa): ata po ngrinin kampin dhe murgu po ecte në mesin e tyre duke kërkuar për dikë, derisa erdhi dhe e mori të Dërguarin e Allahut ﷺ për dore dhe tha: ky është zotëria i njerëzve dhe xhinnëve, ky është i Dërguari i Zotit të botëve, Allahu do ta dërgojë si mëshirë për njerëzit dhe xhinnët. Disa pleq prej kurejshëve i thanë: nga e more vesh ti?
U tha: kur ju po vinit rrugës, nuk mbeti pemë dhe gurë pa rënë në sexhde dhe ato nuk bien në sexhde vetëm se për një profet dhe unë e njoh atë nga vula e profetësisë poshtë supit që është si mollë, më pas u kthye në shtëpi dhe u përgatiti atyre ushqim. Kur ua solli ushqimin -ai ﷺ po kujdesej për devetë- tha: thirreni të vijë për të ngrënë, ai erdhi dhe sipër tij ishte një re që i bënte hije, kur iu afrua njerëzve i gjeti ata që ishin ulur para tij nën hijen e pemës, kur ai u ul hija e pemës anoi nga ai.
Ai (murgu) tha: shikojeni hijen e pemës anoi nga ai.
Tha (ebu Musa): teksa qëndronte në këmbë mbi ta ai u lutej atyre që të mos shkonin me të te romakët, sepse kur ata ta shohin do ta njohin nga cilësitë e tij dhe do ta vrasin, u kthye dhe befas sheh 7 veta prej romakëve që u afruan ai u doli para dhe u tha: përse keni ardhur?
Thanë: ky profet do të shfaqet në këtë muaj, nuk ka mbetur rrugë pa u dërguar njerëz që të kërkojnë për të dhe ne jemi informuar rreth tij dhe u dërguam në këtë rrugën tënde.
Ai u tha: a ka pas jush njerëz më të mirë sesa ju?
Ata thanë: ne vetëm kemi lajme se ai është në këtë rrugën tënde.
Ai u tha: a mendoni se nëse Allahu dëshiron që një çështje të bëhet, a mundet ndokush prej njerëzve që ta kthejë mbrapsht atë?
Thanë: jo.
Tha (ebu Musa): ata i dhanë besën atij dhe qëndruan me të.
Tha (murgu): ju lutem për hir të Allahut: kush prej jush është kujdestari i tij?
Ata (kurejshët) thanë: ebu Tālib, ai vijoi t’i lutej atij, derisa ebu Tālibi e ktheu atë (në Meke) dhe me të dërgoi ebu Bekrin dhe Bilalin. Murgu e furnizoi atë me ke’ak (lloj buke që gatuhet me miell, qumësht dhe sheqer) dhe vaj ulliri.
📚 Transmetoi et-Tirmidhij (3620)
Shpjegimi:
Ka thënë Muhamed ibnu Abdur-Rahman el-Mubarekfurij në “Tuhfetul ehuedhij” duke shpjeguar këtë hadith:
Ka thënë el-Xhezerij -Allahu e mëshiroftë-: zinxhiri i tij është i saktë dhe transmetuesit e tij janë transmetues të dy sahiheve (Buhariut & Muslimit) apo të njërit prej tyre, përmendja e ebu Bekrit dhe Bilalit nuk është e saktë, imamllarët tanë e kanë konsideruar uehëm (imagjinatë) dhe ashtu është, sepse mosha e Profetit ﷺ në atë kohë ishte 12 vjeç, teksa ebu Bekri ishte 2 vjet më i vogël sesa ai dhe Bilali ndoshta nuk kishte lindur në atë kohë, mbaroi fjala e tij.
Ka thënë edh-Dhehebij -Allahu e mëshiroftë- në “Mizanul I’ëtidāl”: është thënë: se ajo që tregon për pasaktësinë e këtij hadithi është fjala e tij: “dërgoi me të ebu Bekrin dhe Bilalin,” ndërkohë që Bilali nuk ishte krijuar ende, teksa ebu Bekri ishte ende fëmijë.
Edh-Dhehebij e vlerësoi të dobët këtë hadith për shkak të fjalës së tij: “dërgoi me të ebu Bekrin dhe Bilalin”, ebu Bekri në atë kohë nuk e kishte blerë Bilalin.
Ka thënë ibnu Haxher në “Isabeh”: transmetuesit e tij janë thikat (të besueshëm) dhe nuk ka në të asgjë për kritikë, përveç kësaj fjale, mundet që ajo të jetë mudrexheh (e futur gabimisht) në të, e marrë nga ndonjë hadith tjetër apo uehëm nga njëri prej transmetuesve.
Ka thënë hafizi ibnul Kajjim në “Zadul Me’ad: “më pas e mori në kujdestari xhaxhai tij ebu Talib dhe vijoi në kujdestarinë e tij dhe kur ai mbushi 12 vjeç, xhaxhai i tij e mori me vetë për në Sham, është thënë: se ai ishte 9 vjeç, në këtë udhëtim e pa atë murgu Behira dhe e urdhëroi xhaxhain e tij që të mos shkonte me të në Sham nga frika e jehudëve, kështu që xhaxhai i tij e ktheu atë mbrapsht me disa të rinj të tij në Meke.
Ka ardhur në librin e Tirmidhiut dhe jo vetëm se ai dërgoi Bilalin bashkë me të dhe ky është gabim i qartë, Bilali në atë kohë ndoshta nuk ishte në ekzistencë edhe nëse ka qenë ai nuk ka qenë me xhaxhanë e tij dhe as me ebu Bekrin.
El-Bezzari e ka përmendur në Musnedin e tij këtë hadith dhe nuk ka thënë: se xhaxhai dërgoi Bilalin bashkë me të, por tha: dërgoi një burrë bashkë me të.” Mbaroi fjala e ibnul Kajjimit dhe bashkë me të fjala e Mubarekfurit.
✔️ Ka thënë esh-shejkh el-Albanij -Allahu e mëshiroftë- në “Sahihu et-Tirmidhij” (3618): “hadith sahih”, përveç përmendjes së Bilalit.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema