Loading

Nga Abdullah bin Haualeh transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«Çështja do të arrijë deri aty sa ushtritë të ndahen, një ushtri në Sham, një ushtri në Jemen dhe një ushtri në Irak.»

Atëherë, Ibnu Haualeh tha: “O i Dërguari i Allahut, më këshillo mua nëse e përjetoj atë kohë!”

Ai tha: «Të këshilloj të shkosh në Sham, sepse ajo është toka e zgjedhur e Allahut prej tokës së Tij. Ai aty grumbullon robërit e Tij më të zgjedhur. E nëse nuk e pranoni këtë, atëherë shkoni në Jemenin tuaj dhe pini nga burimet tuaja, sepse Allahu është Kujdestar (dhe në një transmetim tjetër: është Garantues) i Shamit dhe i banorëve të tij.»

📚 سنن أبي داود (٢٤٨٣) وأحمد (١٧٠٠٥)

✔️ Shejkh el-Albani e ka vlerësuar hadith sahih

Hafizi Ibnu Rexhebi -rahimehullah- ka thënë:

“Përmbledhja e asaj që është transmetuar nga imam Ahmedi është se preferohet të banohet në Sham dhe të zhvendoset familja dhe fëmijët në vendet e fortifikuara të tij, si Damasku. Ndërsa zonat periferike dhe kufitare pranë brigjeve nuk preferohen për banim me familjen, nga frika e sulmeve të pabesimtarëve. Porse qëndrimi në ato vende për qëllime mbrojtjeje dhe vigjilence është i rekomanduar, pa e zhvendosur familjen.

Sa më afër bregdetit të jetë një vend dhe sa më e rrezikshme të jetë situata atje, aq më e papëlqyeshme është që familjet të zhvendosen atje.

Ndërsa hadithet që flasin për virtytet e Shamit nuk janë të kufizuara vetëm në zonat kufitare të tij, por përfshijnë të gjithë tokën e Shamit, si Bejtul Makdis dhe rrethinat e tij, Damaskun dhe të tjera. Allahu e di më së miri.”

📚 فضائل الشام” (٣/‏١٨٦) — لابن رجب الحنبلي (ت ٧٩٥)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: