Shpjegim nga dijetari i madh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin rahimehullah:
Kuptimi i këtij hadithi është se dunjaja, sado madhështore të bëhet çështja e saj, sado të bukura të bëhen ditët e saj, sado të rehatshme të bëhen banesat e saj, ajo, në peshoren e besimtarit, është si burgu, sepse besimtari do shohë mirësi më të mira, më të përkryera dhe më të larta.
Ama sa i përket jobesimtarit, ajo është Xhenneti i tij, sepse ai në dunja kënaqet dhe e harron Botën Tjetër.
Dhe është siç ka thënë Allahu i Lartësuar për ta:
وَالَّذِينَ كَفَرُوا يَتَمَتَّعُونَ وَيَأْكُلُونَ كَمَا تَأْكُلُ الْأَنْعَامُ وَالنَّارُ مَثْوىً لَهُم
{Ata që nuk besuan përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët; e vendi i tyre është Zjarri!}
Jobesimtari, nëse vdes, nuk gjen gjë tjetër përveç Zjarrit! Allahu na ruajttë! Mjerë për ta! Për këtë shkak, dunjaja dhe ç’ka në të prej brengës, hidhërimit, mërzitjes dhe shqetësimit, në peshoren e jobesimtarit është Xhennet, sepse ai kalon prej saj e në dënimin e Zjarrit! Allahu na ruajttë! Kështu që dunjaja në peshoren e tij është sikur Xhenneti.
Nga Ibnu Haxher el-‘Askalanij rahimehullah, autori i librit “Fet’hul Barij”, kryegjykatësi i Egjiptit në kohën e tij, përmendet kjo histori:
Duke kaluar në treg me pajton, e ndalon një burrë prej jehudëve dhe i thotë:
Profeti juaj thotë: Me të vërtetë, dunjaja është burg i besimtarit dhe Xhenneti i jobesimtarit.
Atëherë, si ka mundësi që ti je në këtë luks dhe lumturi?!- pyeti jehudi.
Ai -domethënë jehudi- ishte në kulmin e varfërisë dhe poshtërimit. I tha: Vallë, si ka mundësi?!
Ibnu Haxheri rahimehullah i tha:
Unë, edhe nëse jam ashtu siç e sheh, pra, në lumturi dhe pozitë, këtë gjendje e kam si burg krahasuar me atë që përjeton besimtari prej kënaqësisë së Xhennetit.
Sa për gjendjen tënde të varfërisë dhe poshtërimit, ajo, në krahasim me atë që do gjejë mosbesimtari në Zjarr, është sikur Xhenneti.
U çudit jehudi me këtë fjalë dhe dëshmoi dëshminë e së vërtetës!
Tha: Dëshmoj se nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç Allahut! Dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut!
http://binothaimeen.net/content/Download/8695
Përktheu: Abdur-Rahman Mema