Transmetohet nga Abdullah (ibnu Mes’ud) se ka thënë: ndërkohë që i Dërguari i Allahut ﷺ ishte duke u falur në Qabe, disa pjesëtarë të fisit kurejsh ishin në ndenjat e tyre. Njëri prej tyre tha: a nuk e shikoni atë që i bën veprat për t’u dukur? Kush nga ju do ngrihet e të shkojë te devetë e therura të filanit, të sjellë bajgat, gjakun dhe zorrët e tyre, të presë derisa të përulet e t’ia vendosë midis supeve?
U ngrit më i mjeri i tyre (Ukbeh ibnu Ebij Mu’ajť) dhe i mori. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ra në sexhde, ia vendosi midis supeve. Profeti ﷺ qëndroi në sexhde, ndërsa ata po qeshnin aq sa ranë përmbi njëri-tjetrin nga e qeshura.
Dikush që ishte duke kaluar aty pranë shkoi te Fatimja alejhas selam. Ajo, e re në atë kohë, erdhi duke vrapuar ndërkohë që Profeti ﷺ vijonte të qëndronte në sexhde. Ia hoqi dhe shkoi tek ata duke i sharë. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e përfundoi namazin e tij, tha:
“O Allah, hakmerru ndaj kurejshëve! O Allah, hakmerru ndaj kurejshëve! O Allah, hakmerru ndaj kurejshëve!
Më pas i përmendi me emra:
O Allah, hakmerru ndaj Amër ibnu Hishāmit, ndaj Utbeh ibnu Rebi’as, ndaj Umejeh ibnu Khalefit, ndaj Ukbeh ibnu Ebī Mu’ajtit dhe Umārah ibnul Uelijdit!”
Thotë Abdullah (ibnu Mes’udi): pasha Allahun! I kam parë ata të vrarë ditën e Bedrit; më pas u tërhoqën zvarrë dhe u hodhën brenda pusit në Bedër. Më pas, i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
“Mallkimi i Allahut ka rënë mbi banorët e pusit!”
📚 Transmetoi El-Bukharī (520)
E komentoi shejkh Adil ibnu Mensur el Basha këtë hadith duke thënë: kur i Dërguari i Allahut ﷺ i ngriti duart për të bërë dua kundër tyre, ata u frikësuan, sepse e dinin që duaja në Qabe pranohej, madje Umejeh ibnu Khalefi pati frikë dhe nuk donte të shkonte në luftën e Bedrit, sepse iu kujtua lutja që i Dërguari i Allahut ﷺ kishte bërë kundër tyre.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema