Ka thënë Imam el-Bukharī -rahimehullah-:
Më ka treguar Hāmid ibnu Umer nga Bishru ibnul Mufaddal, cili tha: na ka treguar Humejd, i cili tha: na ka treguar Enesi -radij’Allahu anhu- se Abdullah ibnu Selãm -radij’Allahu anhu- i erdhi lajmi për mbërritjen e Profetit ﷺ në Medine, ndaj shkoi tek ai për ta pyetur rreth disa gjërave dhe i tha:
Do të pyes për tre gjëra që nuk i di ato përveç se një profet:
Cila është shenja e parë e Kijametit?
Cili është ushqimi i parë që do të konsumojnë banorët e Xhennetit?
Dhe si ka mundësi që fëmija i ngjan njëherë babait ose njeherë nënës?
Tha ﷺ: «Pak më parë më tregoi Xhibrili»
Tha ibnu Abdus-Selām -radij’Allahu anhu-: Ai është armiku i jehudëve prej engjëjve.
Tha ﷺ: «Sa i takon shenjës së parë të Kijametit, ajo do të jetë një zjarr që do t’i tubojë njerëzit nga lindja për në perëndim.
Sa i takon ushqimit të parë që do të konsumojnë banorët e Xhennetit, ai do të jetë anët mëlçisë së balenës.
Sa i takon fëmijës, nëse lëngu i burrit i paraprin lëngut të femrës, atëherë fëmija i ngjan të atit, e nëse lëngu i femrës i paraprin lëngut të mashkullit, atëherë fëmija i ngjan asaj».
Tha -radij’Allahu anhu-: Dëshmoj se nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut.
Tha: o i Dërguari i Allahut, me të vërtetë jehudët janë popull që shpifin dhe gënjejnë, pyeti ata për mua, përpara se të marrin vesh për Islamin tim.
Erdhën jehudët, Profeti ﷺ u tha:
Çfarë njeriu është Abdullah ibnu Abdus-Selãm tek ju?
Thanë: më i miri dhe i biri i më të mirit, më i vlerësuari dhe i biri i më të vlerësuarit.
Tha Profeti ﷺ:
«Po sikur Abdullah ibnu Selãm të pranonte Islamin?
Thanë: Allahu e ruajttë atë nga kjo!
Ia përsëriti pyetjen atyre dhe thanë të njëjtën gjë.
Doli përpara tyre Abdullahi -radij’Allahu anhu- dhe tha:
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është Dërguari i Allahut.
Thanë: njeriu më i keq dhe i biri i më të keqit dhe ja ulën vlerat.
Tha -radij’Allahu anhu- Kësaj i druhesha o i Dërguari i Allahut.
📚 Transmetoi el-Bukharī (3938)
Dhe në një transmetim tjetër nga Imam Ahmed në Musnedin (12057) e tij: “më i keqi i biri më të keqit, më injoranti, i biri i më injorantit”.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema
Sh.p: Jehudët thanë: më injoranti i biri më injorantit! Ndërkohë që Abdullah ibnu Abdus-Selãm -Allahu qoftë i Kënaqur me të- ishte njeriu më i ditur i jehudëve dhe prej dijetarëve të tyre në atë kohë!