Loading

■ Në “Musned” transmetohet nga Mahmud ibnu Lebid, dhe ky nga Profeti ﷺ se ka thënë:

«Dy gjëra i urren biri Ademit: urren vdekjen; dhe vdekja është më e mirë për besimtarin sesa fitneja; si dhe urren pasurinë e paktë; dhe pasuria 1e paktë është më lehtë për llogarinë.».

■ Transmetohet nga Ebu Bekrete radijAllahu anhu se një burrë tha: O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i mirë?

Tha: “Ai që e ka jetën të gjatë dhe veprën të mirë.”

Tha: Kush është njeriu më i keq?

Tha: “Ai që e ka jetën të gjatë dhe veprën të keqe.”

📚 صحيح الترمذي” (٢٣٣٠)”

■ Transmetohet nga En-Nu’man ibnu Beshir radijAllahu anhuma të ketë thënë:

E kam degjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:

“Kujdes! Vërtet, gjendet në trup një copë mishi e cila, nëse përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi; e nëse prishet, prishet i gjithë trupi! Ajo është zemra.”

📚 Muttefekun alejhi

■Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu të ketë thënë:

Ishim në një xhenaze, në “Bakiul Garkad”. Erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe u ul; po ashtu, u ulëm edhe ne, përreth tij. Me vete kishte një shkop. Uli kokën dhe po mendohej duke gërvishtur tokën me shkopin e tij; dhe më pas tha:

«Prej jush dhe prej shpirtrave (të tjerë) të krijuar, nuk ekziston ndonjëri që Allahu mos t’ia ketë shkruar vendin në Xhennet apo në Zjarr, dhe që të mos e ketë shkruar për të mjerë apo të lumtur!»

Tha (Aliu): Një burrë tha: O i Dërguari i Allahut, a të varemi tek ajo që është shkruar për ne dhe ta lemë punën?

Tha (ﷺ):

«Secili mes nesh që është prej njerëzve të lumturisë, do bëjë vepra të njerëzve të lumturisë; secili mes nesh që është prej njerëzve të mjerimit, do bëjë vepra të njerëzve të mjerimit!»

Tha (ﷺ):

«Sa i takon njerëzve të lumturisë, u lehtësohet për të bërë vepra të njerëzve të lumturisë; njerëzve të mjerimit u lehtësohet për të bërë vepra të njerëzve të mjerimit!»

Më pas lexoi:

{ فَأَمَّا مَنۡ أَعۡطَىٰ وَٱتَّقَىٰ (5) وَصَدَّقَ بِٱلۡحُسۡنَىٰ (6) فَسَنُیَسِّرُهُۥ لِلۡیُسۡرَىٰ (7) وَأَمَّا مَنۢ بَخِلَ وَٱسۡتَغۡنَىٰ (8) وَكَذَّبَ بِٱلۡحُسۡنَىٰ (9) فَسَنُیَسِّرُهُۥ لِلۡعُسۡرَىٰ (10) }

{Atij që jep lëmoshë, i frikësohet Allahut dhe dëshmon me sinqeritet “La ilahe il-lAllah”, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e përgënjeshtron fjalën “La ilahe il-lAllah”, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt së keqes!} [Sure Lejl: 5-10]

📚 Transmetojnë Bukhariju (1362) dhe Muslimi (2647).

■ Mu’ādh bin Xhebel radijAllah anhu thotë: Kisha ndërmend të udhëtoj dhe i thashë të Dërguarit të Allahut: Më këshillo.

I Dërguari i Allahut ﷺ më tha:
“Adhuroje Allahun dhe mos i shoqëro askënd në adhurim!
Bëje çdo punë për Allahun, sikur je duke e parë Atë. Llogarite veten te të vdekurit. Përmende Allahun e Lartësuar në çdo situatë. Nëse kryen një të keqe, shoqëroje me një të mirë; e fshehta me të fshehtën dhe e dukshmja me të dukshmen.”

📚 “Sahihul Xhami’i” (1040)

_
Shënim i përkthyesit

Kuptimi i “e fshehta me të fshehtën”: nëse kryen fshehurazi një të keqe, shoqëroje me një të mirë fshehurazi.

Kuptimi i “e dukshmja me të dukshmen”: nëse e kryen haptazi një të keqe, shoqëroje me një të mirë haptazi, si në rastin e teubes me kushtet e saj, për atë që e bën gjynahun haptazi. E raste të tjera.

■I Dërguari i Allahut ﷺ thotë:

«Engjëjt thanë: Ky robi Yt dëshiron të kryejë një vepër të keqe. Në fakt Ai e di më së miri se çfarë do robi i Tij; dhe thotë (kuptimi shqip i Fjalës së Allahut subhaneh): vëzhgojeni atë dhe, nëse e kryen, shkruajani një vepër të keqe, por nëse e lë, shkruajani një vepër të mirë, sepse e kanë lënë për Mua (për hatër të Allahut)!»

📚E kanë shënuar këtë hadith Shejkhan-ët (dy shejkhët, Buhariu dhe Muslimi) në dy sahihet përkatëse. Sa i përket  artikulimit, ai është i  Muslimit.

■ Transmeton Enesi radij’Allahu anhu se Profeti ﷺ vizitoi një të ri i cili ishte duke vdekur. I tha: «Si ndihesh?»

Iu përgjigj: O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, vërtet që unë shpresoj tek Allahu dhe kam frikë nga gjynahet e mia!

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: «Nëse në këtë gjendje bashkohen këto të dyja në zemrën e një njeriu, Allahu i mundëson atë për të cilën shpreson dhe i jep siguri nga ajo prej së cilës frikësohet.»

📚 Transmetojnë Et-Tirmidhī (983) dhe Ibnu Maxheh (4261).

✔️ Shejkh El-Albanī e ka vlerësuar si hadith [hasen].

Përmbledhje përkthimesh nga Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: