Loading

Transmeton Enesi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- nga Profeti ﷺ se ka thënë:

«E ndjekin të vdekurin tri gjëra: familja, pasuria dhe veprat e tij; dy kthehen dhe mbetet veç njëra: familja dhe pasuria i kthehen, ndërsa veprat i mbeten.» [Muttefekun alejhi.]

Dijetari i madh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah- në shpjegimin e këtij hadithi thotë:

Nëse njeriu vdes, e ndjekin dhe e shoqërojnë për në varreza shoqëruesit e xhenazes dhe familja e tij.

Sa e çuditshme është jeta e kësaj bote! Sa e neveritshme dhe sa e pavlerë! Varrimin tënd e marrin përsipër njerëzit më të dashur për ty, të varrosin dhe të largojnë nga mesi i tyre. E nëse do t’u jepej shpërblim që ti të qëndroje si trup në mesin e tyre, nuk do ta pranonin një gjë të tillë! Njerëzit më të afërm për ty -ashtu siç edhe ti je njeriu më i dashur për ta- janë ata që e marrin përsipër varrimin, të ndjekin dhe të shoqërojnë.

«E ndjek pasuria e tij» domethënë e ndjekin skllevërit dhe shërbëtorët. Këtu bëhet fjalë për njeriun e pasur i cili ka skllevër dhe shërbëtorë që ia ndjekin xhenazen. Gjithashtu, e shoqëron vepra e tij; dy kthehen dhe e lënë vetëm, mirëpo mbeten me të veprat e tij. Lusim Allahun që t’i bëjë veprat tona dhe tuajat të mira! Mbeten me të veprat që e shoqërojnë në varr! Veçohet me to deri në Ditën e Kijametit!

Në këtë hadith ka argument se kjo botë do zhduket, çdo stoli e kësaj bote kthehet dhe nuk do rrijë me ty në varr. {Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote…}
Këto pra kthehen; ama kush është ajo gjë që mbetet?

Vetëm vepra! Kështu që ti, o vëllai im, duhet të kujdesesh për mirëmbajtjen e këtij shoqëruesi i cili do mbetet me ty dhe nuk do largohet me ata që largohen. Ti duhet të orvatesh derisa veprat e tua të jenë vepra të mira, vepra të cilat do të të shoqërojë në varr, kur të veçohesh me to nga të dashurit, familja dhe fëmijët.

Lidhja e këtij hadithi me temën është e qartë, sepse veprat e shumta kanë nevojë për të luftuar me veten. Vërtet që njeriu lufton me veten në kryerjen e veprave të mira, të cilat do mbeten me të pas vdekjes.

Lusim Allahun për ne dhe për ju për një përfundim të mirë dhe për shëndet! E lusim gjithashtu të na përfshijë me Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Tij! Me të vërtetë, Ai është Bujar i Madh!

📚 شرح رياض الصالحين” (2 /98 – 99)”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: