Loading

Transmetohet nga Ebu Hurejreh radij’Allahu anhu se ka thënë:

Doli i Dërguari i Allahut ﷺ nga shtëpia gjatë ditës -ose gjatë natës- dhe befas pa Ebu Bekrin dhe Umerin. U thotë:

«Çfarë ju ka nxjerrë nga shtëpia në këtë orë?»

Ata thanë: Uria, o i Dërguari i Allahut.

Ai tha: «Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, edhe mua më ka nxjerrë ajo që ju ka nxjerrë ju, ndaj ngrihuni!»

U ngritën, shkuan te një burrë prej Ensarëve, por nuk e gjetën në shtëpi. Kur gruaja e tij i pa, tha: Mirëserdhët!

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: «Ku është filani?»

Ajo i tha: Shkoi për ta na sjellë ujë për të pirë.

Ndërkohë Ensari erdhi dhe pa të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe dy shokët e tij. Tha: El-hamdulil-lah (gjithë lavdet i takojnë Allahut)! Askush nuk ka miq më të nderuar sesa unë sot!

Tha (trasmetuesi): Shkoi dhe u solli një tufë me hurma të papjekura, hurma të thara dhe hurma të njoma dhe tha: Hani nga këto. Dhe mori një thikë.

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: «Kujdes se mos ther dele që është me qumësht!»

Ai theri një dele për ta dhe hëngrën prej saj, prej tufës së hurmave arabe dhe pinë ujë.

Kur u ngopën dhe u kënaqën, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha Ebu Bekrit dhe Umerit:

«Pashë Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, me të vërtetë, do të pyeteni për këtë begati, Ditën e Kijametit! Ju nxori nga shtëpia uria dhe ende pa u kthyer në shtëpi, ju erdhi kjo begati!»

📚 Sahih Muslim 2038

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: