Loading

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

{۞ هُوَ ٱلَّذِی خَلَقَكُم مِّن نَّفۡسࣲ وَ ٰ⁠حِدَةࣲ وَجَعَلَ مِنۡهَا زَوۡجَهَا لِیَسۡكُنَ إِلَیۡهَاۖ فَلَمَّا تَغَشَّىٰهَا حَمَلَتۡ حَمۡلًا خَفِیفࣰا فَمَرَّتۡ بِهِۦۖ فَلَمَّاۤ أَثۡقَلَت دَّعَوَا ٱللَّهَ رَبَّهُمَا لَىِٕنۡ ءَاتَیۡتَنَا صَـٰلِحࣰا لَّنَكُونَنَّ مِنَ ٱلشَّـٰكِرِینَ} [الأعراف: ١٨٩]

{Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo. Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që ajo e kalon pa e ndier për ca kohë. Dhe, kur ajo rëndohet, ata të dy i luten Allahut, Zotit të tyre: “Nëse na dhuron pasardhës të shëndoshë, do të të jemi vërtet mirënjohës!”}

Imam Ahmedi, në “Musned”-in e tij, ka thënë: Na ka treguar Abdu’s-Samed, na ka treguar Umeri ibn Ibrahimi, na ka treguar Katadeja, nga Hasani, nga Semura, nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë:

“Kur Havaja (gruaja e Ademit alejhis selam) lindi, iu afrua asaj Iblisi, sepse asnjë prej fëmijëve të saj nuk jetonte (vdiste i vogël). Ai i tha: ‘Vëjani emrin Abdul-Harith (rob i el-Harithit), sepse ai do të jetojë.’ Kështu ata të dy ia vunë emrin Abdul-Harith, dhe ai jetoi. Ky ishte prej frymëzimit dhe urdhrit të shejtanit.”

Shejkh el-Albani e ka vlerësuar hadith të dobët në librin “Daif el-Xhami’s sagir”

Ibnu Ebi Hatim ka transmetuar:
Na ka treguar babai im, na ka treguar Ebu’l-Xhemehir, na ka treguar Se’id — dmth Ibnu Beshir — nga Ukbeh, nga Katadeja, nga Mudxhahidi, nga Ibnu Abbasi dhe ai nga Ubej ibnu Ka‘bi, i cili tha:

“Kur Havaja mbeti shtatzënë, i erdhi shejtani dhe i tha asaj; ‘A do të më bindesh që fëmija yt të shpëtojë (të mos vdesë)? Vërjani emrin ‘Abdul-Harith’ (rob i el-Harithit).’

Ata nuk e bënë këtë, dhe lindi (një fëmijë) por ai vdiq.

Pastaj mbeti shtatzënë për herë të dytë, dhe ai i tha të njëjtën gjë, por ata përsëri nuk e bënë, dhe fëmija vdiq.

Pastaj, kur mbeti shtatzënë për herë të tretë, ai i tha:

‘Nëse më bindesh, fëmija do të shpëtojë; përndryshe, do të lindë si një kafshë.’

Atëherë i frikësoi ata (Ademin dhe Havanë), dhe ata iu bindën (i vendosën emrin që tha shejtani).”

Thotë hafizi Ibnu Kethiri rahimehullah:

Këto rrëfime (tregime) — dhe Allahu e di më së miri — duket se janë prej tregimeve të “Ehli Kitabit” (hebrenjve dhe të krishterëve).

Dhe ka ardhur hadithi i saktë nga i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ka thënë:

“Kur t’ju tregojnë Ehli Kitabi, mos i besoni dhe mos i përgënjeshtroni.”

Pastaj lajmet e tyre ndahen në tre lloje:

  1. Ato që ne e dimë se janë të vërteta, sepse këtë e vërteton argumenti nga Libri i Allahut ose nga Sunneti i të Dërguarit të Tij.
  2. Ato që ne e dimë se janë të rreme, sepse kundërshtohen qartë nga Kur’ani dhe Sunneti.
  3. Ato për të cilat është heshtur — nuk ka as vërtetim as përgënjeshtrim — dhe këto janë ato lloje që lejohen të rrëfehen, për shkak të fjalës së Profetit ﷺ:

“Tregoni nga Beni Israilët dhe s’ka problem.”

Ky lloj i tretë është ai që as nuk vërtetohet e as nuk përgënjeshtrohet, siç ka thënë ﷺ:

“Mos i besoni dhe mos i përgënjeshtroni.”

Sa i përket këtij rrëfimi (që përmendet këtu): a bën pjesë në llojin e dytë apo në të tretin — në këtë ka vend për shqyrtim.

Sa për atë që e ka transmeton një sahabi ose tabi’in, ai e ka konsideruar këtë prej llojit të tretë.

Por, sa na përket neve, ne jemi me mendimin e Hasan el-Basriut – Allahu e mëshiroftë – në këtë çështje, dhe Allahu e di më mirë.

Dhe (sipas tij) nuk është qëllimi në këtë kontekst Ademi dhe Havaja, por qëllimi janë idhujtarët nga pasardhësit e tyre.

Përgatiti: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: