Loading

Fëmijëria e tij:

U rrit Sufjān eth-Theurij në Kufeh dhe aty e mori dijen. Ai dëgjoi nga një numër i madh dijetarësh, as sa u bë imam për pasuesit e hadithit në kohën e tij.

Khalifi Abasit ebu Xhe’afer el-Mensur dhe i biri i tij el-Mehdij i kërkuan atij që të merrte detyrën kryegjykatësit, mirëpo ai nuk pranoi dhe nuk i la të shpresonin, saqë ata u zemëruan me të dhe ai u arratis prej tyre derisa vdiq i fshehur prej el-Mehdij në Basrah në vitin 161 h.

Jeta e tij:

Lindi Sufjān eth-Theurij në vitin 97 h në Khilafetin e Sulejman ibnu Abdul-Melik në Khorasan, pasi babai i tij ishte pjesëmarrës në ekspeditat që dërgoheshin atje. Ashtu siç përmendet gjyshi i tij Mesruk prezantoi në ngjarjen e devesë në radhët e ushtrisë së Ali ibnu ebij Tālib -radij’Allahu anhu-.

Sa përket prejardhjes së tij:

Emri i tij është: Sufjān ibnu Se’id ibnu Mesruk ibnu Habib ibnu Rāfi’u ibnu Abdullah ibnu Meuhibeh ibnu Ubejj ibnu Abdullah ibnu Munkidh ibnu Nasr ibnul Harith ibnu Thealebeh, ibnu Amir ibnu Milkam ibnu Theur ibnu Abdu menāh ibnu Udd ibnu Tābikhah ibnu Iljās ibnu Mudar ibnu Nizar ibnu Meadi ibnu Adnan.

Babai i tij Se’id ibnu Mesruk ishte prej shokëve të Amir esh-Sha’bij dhe Khajthemeh ibnu Abdur-Rahman, dhe konsiderohet prej njerëzve më të besueshëm të Kufës.

E mori babai i tij për dore në fillim, më pas u zgjerua Sufjāni në marrjen e dijes, saqë arriti numri i dijetarëve prej të cilëve mori dije 600 veta.

Nëna e tij gjithashtu ishte e kujdeshme për dërgimin e tij në nxënien e diturisë.

Është trasmetuar se ajo i tha atij: “shko, e kërko dituri!”

U përhap fama e Sufjanit që kur ai ishte i vogël për shkak të zgjuarsisë së tij të madhe dhe mësimit përmendësh të tij, saqë ai jepte mësim kur ishte ende i ri, madje el-Uelid ibnu Muslim ka thënë se ai e ka parë eth-Theurin në Mekë kur i kërkonin fetva dhe qimet e mjekrës ende nuk i ishin thinjur.

Sprova e tij:

Khalifi ebu Xhe’afer e ftoi Sufjānin për të marrë postin e kryegjykatësit dhe i tha: duam që të të japim postin e kryegjykatësit në filan vend, Sufjani nuk e pranoi, ebu Xha’feri këmbënguli dhe ia përsëriti fjalën, por Sufjani nuk e pranoi.

Ebu Xhe’aferi i tha: po sikur të të vrasim.

Ai tha: vepro si të dëshirosh.

I tha: o djalë kemi rezervuar për ty qilimin prej lëkure dhe shpatën.

E sollën qilimin prej lëkure, i cili vendoset poshtë atij që do t’i pritet koka, në mënyrë që të mos bëhej vendi me gjakun e tij.

Pastaj iu afruan me shpatë.
Kur e pa Sufjani se vdekja ishte para tij e kuptoi që situata ishte serioze. Ndaj i tha: o Khalifeh më prit deri nesër.

Kur u errësua, Sufjāni mori plaçkat e tij dhe i ngarkoi në mushkën e tij. I hypi mushkës dhe ai nuk kishte as grua e as fëmijë.

Ai doli nga Kufa duke u arratisur, kur u zbardh ebu Xhe’aferi po priste që ebu Abdullah Sufjān eth-Theurij të vinte tek ai, por ai nuk shkoi tek ai, kur hyri koha e duhasë dhe u afrua koha e drekës, ai pyeti fqinjët përreth dhe u tha: kërkoni për Sufjān eth-Theurin, ata e kërkuan dhe u kthyen tek ai dhe i thanë: ai të ka kundërshtuar dhe është arratisur gjatë natës, kur e dëgjoi këtë ebu Xhe’afer u nxeh dhe dërgoi lajmëtarë në të gjitha provincat se ai që e sjell Sufjanin gjallë apo vdekur do të ketë shpërblim kaq e aq.

Sufjān eth-Theurij u arratis dhe nuk dihej se ku kishte shkuar, ai planifikoi të shkonte në Jemen, por gjatë rrugës iu mbaruan paratë kështu që u punësua te një pronar i një kopshti në një fshat në rrugën drejt Jemenit, filloi të punonte aty disa ditë dhe një ditë prej ditësh pronari i kopshtit e thirri dhe i tha:

Nga je ti o djalë?

Dhe ai nuk e dinte se ai është Sufjani, adhuruesi, asketi, dijetari i muslimanëve dhe imami i tyre.

I tha: unë jam nga Kufa.

Tha: Rutabët (hurmë e njomë) e Kufës janë më të mira apo këto që kemi ne?

Sufjani i tha: Unë nuk i kam provuar rutabet që keni këtu.

Ai i tha: Subhan Allah! Të gjithë njerëzit të pasur e të varfër, madje gomerët edhe qentë sot po hanë rutab për shkak të bollëkut të tyre dhe ti nuk ke ngrënë?!

Përse nuk ha rutab prej kopshtit ndërkohë që je duke punuar në të?

I tha: sepse ti nuk më ke dhënë leje për këtë! Dhe unë nuk dua që të fus në fytin tim diçka të ndaluar!

U çudit pronari i kopshtit prej frikës që ai kishte ndaj Allahut dhe mendoi se po shtirej si i tillë dhe i tha: VAllahi ti sikur të ishe Sufjan eth-Theurij, e ai nuk e dinte se ai ishte vetë Sufjani.

Sufjani heshti dhe shkoi te puna e tij. Pronari i kopshtit shkoi te një shoku i tij dhe i tregoi për Sufjanin.

Ai i tha atij: kam një djalë që po punon në kopshtin tim dhe çështja e tij është kështu e ashtu dhe shtiret sikur e ka shumë frikë Allahun.

Pasha Allahun tamam sikur të jetë Sufjan eth-Theurij.

I tha: ma përshkruaj pak këtë djalë.

I tha: ai është kështu e ashtu, pasha Allahun këto janë cilësitë e Sufjanit, eja të shkojmë ta kapim që të marrim shpërblimin e caktuar nga khalifi. Kur ata shkuan te kopshti Sufjani kishte marrë plaçkat e tij dhe ishte larguar për në Jemen.

Kur ai mbërriti në Jemen filloi të punojë te disa njerëz, nuk ndenji shumë kohë dhe ata e akuzuan për vjedhje.

Ndaj e dërguan atë te veliu i Jemenit. Kur ata hynë me të te veliu u ulën përpara tij duke i bërtitur, kur veliu e pa atë pa një njeri të nderuar që kishte shenjat e hajrit dhe mirësisë.

I tha: a ke vjedhur?

I tha: jo, pasha Allahun nuk kam vjedhur.

I tha: po këta po thonë që vodhe.

I tha: kjo është thjesht një akuzë që më akuzojnë, ndaj le ta kërkojnë atë që i ka humbur se ku është.

Veliu i urdhëroi të dalin jashtë dhe u tha atyre që ta pyes vetëm për vetëm.

Pastaj i tha atij: Si e ke emrin?

I tha: Emri im është Abdullah (dmth rob i Allahut).

I tha: të pyeta për emrin se të gjithë ne jemi robër të Allahut.

I tha: Emri im është Sufjān.

I tha: Sufjān i biri kujt?

I tha: Sufjan i biri Abdullahut (robit të Allahut).

I tha: dua që të më tregosh emrin tënd dhe emrin e babit tënd?

I tha: unë jam Sufjan i biri i Se’dit eth-Theurij.

U drodh veliu dhe i tha: a ti je Sufjan eth-Theurij?!

I tha: po.

I tha: ti je ai që ia mbathe nga ebu Xhe’aferi.

I tha: po.

I tha: ti je ai, që ai donte të të jepte postin e kryegjykatësit dhe ti nuk pranove?!

I tha: po.

I tha: ti je ai për të cilën është caktuar një shpërblim?

Tha: po.

I tha: o ebu Abdullah! Rri sa të dëshirosh dhe largohu kur të dëshirosh, sikur të ishe fshehur poshtë këmbëve të mia nuk do t’i ngrija ato. Qëndro sa të kesh dëshirë në Jemen.

Sufjanit nuk i pëlqeu qëndrimi në Jemen u largua për në Meke.

Ebu Xha’fer el-Mensur e dëgjoi që Sufjani kishte shkuar në Meke dhe kjo ishte në vigjilje të Haxhit.

Kështu që ebu Xhe’afer dërgoi disa druvarë dhe u tha: kapeni dhe ngrijeni me një dru dhe vareni në derën e Xhamisë së Shenjtë, derisa sa të vij unë që ta vras me dorën time që të më largohet inati prej zemrës sime.

Erdhën druvarët në Xhaminë e Shenjtë, u futën brenda dhe filluan të bërtasin:

Kush na e gjen Sufjanin?
Kush na e gjen Sufjanin?

Këtu Sufjani u ngrit derisa sa shkoi te Qabja, pastaj ngriti duart dhe tha: O Allah! Të lutem mos e lejo ebu Xhe’aferin të futet në Mekë.

E tha tre herë. Dmth: që të mos futet në Meke.

Dhe këto lutje trokitën në dyert e qiejve dhe zbriti engjëlli i vdekjes prej qiellit dhe ia mori shpirtin ebu Xhe’afer el-Mensur, ndërsa ishte në hyrje të Mekës dhe hyri në Meke si kufomë që mbartej në një barrelë ku ju fal xhenazja!!

Vdekja e tij:

Sufjān eth-Theurij vdiq në Sha’ban në vitin 161 h në Basrah, ndërsa ishte i fshehur në shtëpinë e Bishër ibnu Mensur es-Sulemij.

Kur doli Xhenazja e tij ishte diçka e papritur për banorët e Basras. Në xhenazen e tij morën pjesë një numër i madh njerëzish dhe namazin ia fali Abdur-Rahman ibnu Abdul-Melik ibnu Ebxher sipas testamentit të Sufjanit.

Sufjani nuk la pas tij fëmijë, ai kishte një djalë i cili vdiq përpara tij. Dhe çdo gjë ia la motrës së tij dhe djalit të saj, ndërsa vëllai i tij el-Mubarek nuk trashëgoi asgjë prej tij.

Librat e tij:

Eth-Theurij la disa libra, siç janë:

El-Xhami’ul Kebir

El-Xhami’us Sagir

El-Ferā’id

Duke i shtuar kësaj edhe letrën e përcjellë nga nxënësit e tij të cilën ia kishte drejtuar Abbād ibnu Abbād el-Ersukij.

Disa fjalë të dijetarëve për imamin e dunjasë në kohën e tij Sufjan eth-Theurij -rahimehullah-.

Ka thënë Shu’beh, ibnu Ujejneh, ebu Asim, Jahja ibnu Ma’in dhe jo vetëm:

Sufjān eth-Theurij është prijësi i besimtarëve në hadith.

Ka thënë ibnu Mehdij:

E pa ebu Is’hak es-Sebi’ij Sufjān eth-Theurin përballë dhe tha:

{وَءَاتَیۡنَـٰهُ ٱلۡحُكۡمَ صَبِیࣰّا}

{Dhe ne i dhamë atij urtësi që kur ai ishte fëmijë} [Merjem: 12]

Ka thënë ibnul Mubārek:
“Kam marrë shënime nga 1100 dijetarë por nuk kam marrë shënime më të mira sesa nga Sufjani.”

Ka thënë el-Bera’u ibnu Rutejm:

E kam dëgjuar Junus ibnu Ubejd të thotë:

“Nuk kam parë njeri më të mirë sesa Sufjani.”

I thanë: ti ke parë Se’id ibnu Xhubejr, Ibrahimin (en-Nekhaij), Ata’në dhe Muxhahidin dhe thua kështu?!

Tha: kështu them unë: nuk kam parë njeri më të mirë sesa Sufjani.

Ka thënë Muhamed ibnu Zunbur: e kam dëgjuar el-Fudejl (ibnu Ijjād) të thotë:

“Sufjān (eth-Theurij) -pasha Allahun- ishte më i ditur sesa ebu Hanifeh.”

Ka thënë Jahja el-Kattān: Sufjān eth-Theurij në çdo gjë është më lart sesa Maliku.

Ka thënë Abdur-Rezzāk: e kam dëgjuar el-Euzā’in të thotë:

Nëse do të më thoshin: zgjidh për këtë ummet një njeri që t’iu mësojë atyre Librin e Allahut dhe sunnetin e të Dërguarit të Tij unë do të zgjidhja Sufjān eth-Theurin.

Ka thënë ibnul Mubārek: Nuk njoh në sipërfaqen e tokës njeri më të ditur se Sufjani.

Transmetohet nga Sufjān ibnu Ujejneh se ka thënë:

Sufjani nuk ka parë njeri më të ditur sesa vetja e tij.

Ka thënë ebu Usameh: ai që të thotë se ka parë me sytë e tij një më të mirë sesa Sufjani mos i beso atij.

Ka thënë Ibrahim ibnu Muhamed esh-Shāfi’ij:

I thashë (Abdullah) ibnul Mubārek:

A ke parë njeri si Sufjān eth-Theurij?

Ai tha: a ka parë ai njeri si vetja e tij?

Ka thënë ibnu Uehb: e pashë eth-Theurin në Mesxhidul Haram pas namazit të akshamit që po falej, ra në sexhde dhe nuk u ngrit derisa u thirr ezani për namazin e jacisë.

Ka thënë el-Husejn ibnu Aun e kam dëgjuar Jahja ibnu Kattān të thotë:

Nuk kam parë njeri më të mirë sesa Sufjani. Nëse nuk do të ishte marrja e tij me hadithin do të falej ndërmjet drekës dhe Ikindisë dhe ndërmjet akshamit dhe jacisë e kur ai dëgjonte për mësimin e hadithit e linte namazin dhe vinte.

سير أعلام النبلاء” (ترجمة سفيان الثوري)” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: