![]()
Dijetari i madh Ibnu Baz
(Allahu e mëshiroftë e na bashkoftë me të në Firdeus!)
Pyetje:
Një student pyet dhe thotë: Cila është e vërteta në shpjegimin e Fjalës së Allahut të Lartësuar:
{يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ وَيُدْعَوْنَ إِلَى السُّجُودِ فَلا يَسْتَطِيعُونَ} [القلم: 42]
{Ditën kur do të zbulohet Kërciri (sāk), dhe ata do ftohen për të rënë në sexhde, por nuk do munden.} [El-Kalem: 42]
Përgjigjja nga shejkh Ibnu Bazi rahimehullah:
I Dërguari i Allahut ﷺ e ka shpjeguar se është për qëllim Dita e Kijametit: kur Zoti do të vijë në Ditën e Kijametit dhe do t’ua zbulojë robërve të Tij besimtarë Kërcirin e Tij (sāk-un). Ajo është shenja mes Tij, të Lartësuarit dhe mes tyre. Kur ta zbulojë Kërcirin e Tij, ata do ta njohin Atë dhe do ta pasojnë.
Edhe pse për luftën thuhet: “u ashpërsua” kur ajo ashpërsohet dhe bëhet e fortë, dhe ky është një kuptim i njohur në gjuhë, i përmendur nga imamët e gjuhës, prapëseprapë ajeti fisnik duhet të shpjegohet sipas asaj që ka ardhur në hadithin e saktë, e që është zbulimi i Kërcirit nga Zoti i Madhëruar.
Kjo është një nga Cilësitë e Tij, ashtu siç i shkojnë Madhërisë dhe Lartësisë së Allahut; askush nuk i ngjan Atij në Cilësitë e Tij. Po kështu janë edhe Cilësitë e tjera, si: Fytyra, dy Duart, Këmba, Syri dhe të tjera Cilësi të vërtetuara me tekste (të Kur’anit dhe Sunnetit).
Po ashtu edhe Zemërimi, Dashuria, Urrejtja dhe çdo gjë me të cilën Allahu e ka përshkruar Veten në Librin e Tij fisnik dhe çdo gjë me të cilën e ka përshkruar i Dërguari i Tij ﷺ. Të gjitha këto janë Cilësi të vërteta dhe të gjitha i shkojnë (siç i takon) Allahut të Lartësuar; askush nuk i ngjan Atij. Ka thënë Allahu:
[الشورى: 11] {لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ}
{Asgjë nuk i përgjan Atij. Dhe Ai është Gjithëgjuesi, Gjithëshikuesi.} [Esh-Shura: 11].
Dhe ka thënë:
قُلۡ هُوَ ٱللهُ أَحَدٌ ١ ٱللهُ ٱلصَّمَدُ ٢ لَمۡ یَلِدۡ وَلَمۡ یُولَدۡ ٣وَلَمۡ یَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدُۢ ٤ [الإخلاص: 1-4]
{Thuaj (o Muhamed ﷺ) : Ai është Allahu, Një i Vetëm. Allahu është i Vetmi të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat. Ai nuk ka lindur kënd dhe as është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë apo i krahasueshëm me Të.} [El-Ihlas: 1–4].
Ky është qëndrimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit, i shokëve të Profetit ﷺ dhe i imamëve të dijes dhe udhëzimit që i pasuan me përpikmëri. Allahu është Dhënësi i suksesit.
📚 “مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (4/ 129)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema