Ka thënë el-al’lameh Abdul-Aziz ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:
Lavdërimi i takon Allahut, salati dhe selami qoftë mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe atë që udhëzohet me udhëzimin e tij.
Dhe më pas: disa gazeta lokale dhe jo vetëm kanë përhapur në muajin Sha’ban të këtij viti -kam për qëllim vitin 1407 h- rrëfime të shkurtra dhe të gjata rreth asaj që ndodhi në Rijad ku një xhin kishte hyrë në trupin e një muslimaneje dhe se ai kishte pranuar Islamin tek unë, pasi e kishte pranuar te vëllai Abdullah ibnu Mushrif el-Amrij, banues në Rijad dhe kjo pasi i lartpërmenduri i kishte lexuar Kur’an të sëmurës dhe i ishte drejtuar xhinnit duke i kujtuar atij Allahun, e këshilloi dhe i tregoi atij (xhinnit) se zullumi është i ndaluar dhe gjynah i madh dhe e ftoi atë në Islam, kur ai xhini i tregoi atij se ishte jobesimtar budist, ai i bëri thirrje atij që të dalë prej saj, xhini e pranoi thirrjen për të dalë dhe deklaroi Islamin tek Abdullahi i lartpërmendur.
Më pas Abdullahi i lartpërmendur dhe kujdestarët e gruas kishin dëshirë që të vinin tek unë bashkë me gruan me qëllim që unë të dëgjoja deklaratën e Islamit të xhinit, kështu që ata erdhën tek unë, e pyeta atë rreth arsyeve të futjes në trupin e saj, më tregoi për arsyet dhe ai fliste me gjuhën e gruas, mirëpo ishte zë burri e jo zë gruaje dhe ajo ishte në karrigen pranë meje, vëllait të saj, motrës së saj dhe Abdullah ibnu Mushrif dhe disa meshajikh e ishin të pranishëm dhe e dëgjuan fjalën e xhinit.
Ai deklaroi Islamin e tij hapur dhe tha se ishte indian me fe budiste, e këshillova atë që t’i frikësohet Allahut dhe të dalë nga kjo grua dhe të largohet nga zullumi ndaj saj dhe ai m’u përgjigj për këtë duke thënë: unë jam i kënaqur me Islamin.
E këshillova atë që ta ftojë popullin e tij në Islam, pasi Allahu e kishte udhëzuar, ai premtoi se do të bënte mirë dhe doli nga trupi i gruas dhe fjalët e fundit të tij ishin: “esselamu alejkum.”
Më pas gruaja foli me gjuhën e saj normale dhe ndihej e shëruar dhe rehat pas lodhjes që ai i shkaktonte, më pas ajo u kthye tek unë pas një muaji apo më shumë me vëllezërit e saj, dajën dhe motrën e saj dhe më tregoi se ajo ishte mirë dhe shëndosh dhe se ai nuk ishte kthyer më tek ajo el-hamdulilah.
E pyeta atë se çfarë ndiente kur ai ishte në trupin e saj dhe më tha: se i vinin mendime të këqija, që ishin në kundërshtim me Sheriatin dhe ndiente anim nga feja budiste dhe lexonte libra që ishin shkruar rreth saj (fesë budiste) dhe pasi Allahu e shpëtoi atë prej tij, këto mendime u larguan prej saj dhe ajo u kthye në gjendjen e mëparshme, larg nga këto mendime të devijuara.
📚 مجموع فتاوى ومقالات الشيخ ابن باز” (3/ 299)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema