Thotë el-al’lameh, muhadithi i kohës sonë, Muhamed Nasiruddin el Albanij Allahu e mëshiroftë:
Sot, shumica e muslimanëve dëshmojnë “la ilāhe il-lAllah”, por nuk e kuptojnë mirë domethënien e saj, madje e kuptojnë tërësisht mbrapsht! Po sjell për këtë një shembull:
Dikush shkroi një ese në lidhje me kuptimin e “la ilahe il-lAllah” dhe e shpjegoi atë me “la rabbe il-lAllah!” (S’ka zot tjetër veç Allahut). Ky është kuptimi të cilin e besonin mushrikinët, por pavarësisht kësaj, ky besim i tyre nuk u bëri dobi.
Ka thënë i Lartësuari:
{وَلَئِنْ سَأَلْتَهُمْ مَنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللهُ}
{Nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt dhe tokën, me siguri do të thonë se i ka krijuar Allahu} [Lukman: 25]
Mushrikinët (politeistët) besonin se ky univers e ka një Krijues që nuk ka ortak në të, mirëpo ata i shoqëronin Atij partnerë dhe ortakë në adhurim. Ata besonin se Rabbi (Zoti) ishte Një, mirëpo besonin se të adhuruar kishte shumë.
Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e refuzoi këtë besim, të cilin e quajti “adhurim i të tjerëve krahas Tij” në Fjalën e Tij:
…وَٱلَّذِینَ ٱتَّخَذُوا۟ مِن دُونِهِۦۤ أَوۡلِیَاۤءَ مَا نَعۡبُدُهُمۡ إِلَّا لِیُقَرِّبُونَاۤ إِلَى ٱللهِ زُلۡفَىٰۤ…
{… dhe ata të cilët morën për mbrojtës të tjerë në vend të Tij thonë: “Nuk i adhurojmë ata vetëm se të na afrojnë tek Allahu”…} [ez-Zumer: 3]
Mushrikinët e dinin se fjala «la ilahe il-lAllah» i detyronte ata që të distancoheshin nga adhurimi i të tjerëve krahas Allahut azze ue xhel’le, kurse shumica e muslimanëve sot e shpjeguan këtë fjalë të mirë me «la rabbe il-lAllah!» “s’ka zot tjetër veç Allahut”.
Nëse muslimani thotë «la ilahe il-lAllah» dhe ka për qëllim kuptimin “la rabbe il-lAllah,” atëherë ai dhe mushrikinët janë njësoj në besim, ama në shqiptim ai është musliman sepse ai thotë: «la ilahe il-lAllah», në dallim nga mushriku (politeisti), i cili refuzon të thotë «la ilahe il-lAllah» dhe nuk është musliman as në dukje as në brendësi.
Sa i takon pjesës dërrmuese të muslimanëve sot, ata janë muslimanë sepse Profeti ﷺ ka thënë:
«Nëse e thonë atë (dmth shehadetin), e kanë të ruajtur prej meje gjakun, pasurinë e tyre -përveç kur e meritojnë- dhe llogaria e tyre do jetë tek Allahu i Lartësuar.»
Për këtë arsye, unë do them një fjalë që rrallë del prej meje:
Realiteti i shumë muslimanëve sot është më i keq sesa i shumicës së arabëve në kohën e xhahilijetit të parë, sa i takon kuptimit të gabuar të kësaj fjale të bukur, sepse mushrikinët arabë e kuptonin, mirëpo nuk e besonin, kurse pjesa dërrmuese e muslimanëve sot thonë atë që nuk e besojnë. Thonë: «la ilahe il-lAllah» dhe nuk e besojnë realisht domethënien e saj.
Për këtë shkak, unë besoj se detyra e parë mbi thirrësit e vërtetë muslimanë është që të merren me këtë fjale dhe sqarimin e domethënies së saj në mënyrë të përmbledhur dhe pastaj me sqarimin e hollësishëm të kërkesave të kësaj fjale të bukur. Duhet t’i mëshojnë rëndësisë së sinqeritetit për hir të Allahut Azze ue Xhel’le dhe faktit se të gjitha adhurimet bëhen duke pasur njeriu sinqeritet, sepse Allahu -azze ue xhel’le- kur tregoi për mushrikinët në Fjalën e Tij, tha:
{ما نَعۡبُدُهُمۡ إِلَّا لِیُقَرِّبُونَاۤ إِلَى ٱللهِ زُلۡفَىٰۤ…}
{… nuk i adhurojmë ata vetëm se që të na afrojnë tek Allahu…} [ez-Zumer: 3]
Çdo adhurim që u bëhet të tjerëve veç Allahut është mosbesim i fjalës së bukur «la ilahe il-lAllah».
Për këtë arsye, unë them sot:
Absolutisht që nuk ka dobi në mbledhjen e muslimanëve dhe më pas lënien e tyre në devijim dhe pa e kuptuar këtë fjalë të bukur. Kjo gjë nuk u bën dobi atyre në dunja para Botës tjetër! Ne të gjithë e dimë fjalën e Profetit ﷺ :
«Kush vdes dhe ai dëshmon me sinqeritet nga zemra e tij se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Allahu ia ndalon Zjarrit trupin e tij»
Në një rivajet tjetër ka ardhur:
“hyn në Xhennet”.
Pra, mundësohet garancia e futjes në Xhennet për thënësin e sinqertë të saj, edhe nëse është pas vuajtjes dhe dënimit që mund ta prekë atë. Ai që e beson me besim të saktë këtë fjalë, ndonëse mund të dënohet në varësi të asaj që ka kryer dhe vepruar prej gjynaheve, vendi i tij përfundimtar do jetë Xhenneti.
Gjithashtu, themi edhe të anasjellën:
Kush e thotë këtë fjalë të mirë me gjuhën e tij dhe besimi nuk ka hyrë në zemrën e tij, atëherë kjo gjë nuk i bën aspak dobi atij në Botën Tjetër. Mund t’i bëjë dobi duke e shpëtuar nga luftimi i tij dhe nga vrasja nëse muslimanët kanë fuqi dhe pushtet, ama në Botën Tjetër nuk i bën aspak dobi, vetëm nëse e thotë atë dhe e kupton domethënien e saj dhe së dyti e beson këtë domethënie. Thjesht kuptimi dhe njohja e kësaj fjale nuk mjafton, por duhet ta shoqërojmë kuptimin me besimin në këtë domethënie. Te kjo pikë shumica e njerëzve janë neglizhentë! Kuptimi i kësaj fjale nuk nënkupton besimin, porse duhet patjetër që të shoqërohet njëra me tjetrën që të jetë besimtar.
Kjo sepse shumë nga ithtarët e librave prej jehudëve dhe të krishterëve e dinin se Muhamedi ﷺ ishte profet, i sinqertë në atë që pohonte prej mesazhit dhe profetësisë, mirëpo pavarësisht kësaj njohjeje të cilën e dëshmoi për ta Zoti ynë Azze ue Xhel-le kur tha:
{… يَعْرِفُونَهُ كَمَا يَعْرِفُونَ أَبْنَاءَهُمْ …}
{… e njohin atë ashtu sikurse njohin fëmijët e tyre…} [El-Bekareh: 146]
Pavarësisht kësaj, kjo njohje nuk u bëri dobi aspak. Përse? Sepse ata nuk e besuan atë ﷺ në atë që ai pohonte prej profetësisë dhe mesazhit. Prandaj, besimin e paraprin njohja, por ajo nuk mjafton e vetme. Njohjen duhet ta shoqërojë besimi dhe bindja, sepse Zoti -azze ue xhel’le- në Kur’an thotë:
{فَاعْلَمْ أَنَّهُ لا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَاسْتَغْفِرْ لِذَنْبِكَ …}
{Dije se nuk ka të adhuruar që meriton adhurimin përveç Allahut dhe kërko falje për gjynahet e tua…} [Muhamed: 19]
Bazuar mbi këtë, nëse muslimani thotë «la ilahe il-la Allah» me gjuhën e tij, bie detyrë mbi të që t’i shtojë asaj njohjen e kësaj fjale në mënyrë të përmbledhur, pastaj në mënyrë të hollësishme. Nëse e njeh dhe e beson, atëherë zbatohen mbi të ato lloj hadithesh të cilat (disa) i përmenda më lart, si psh kjo fjalë e tij ﷺ, fjalë e cila na dëften rreth asaj që përmenda më lart. Ajo është:
«Kush thotë “la ilahe il-lAllah”, ajo i bën dobi atij Ditën e Kijametit»
Dmth kjo fjalë e mirë, pas njohjes së kuptimit të saj, e shpëton thënësin nga qëndrimi përgjithmonë në Zjarr.
Dhe këtë e përsëris që të rrënjoset në mendjet e njerëzve:
Ai mund të mos i ketë plotësuar ato gjëra që të obligon kjo fjalë në lidhje me vepat e mira dhe ndalimin nga gjynahet (obligime plotësuese të Teuhidit), mirëpo ka shpëtuar nga shirku i madh dhe ka plotësuar atë që obligojnë kushtet e besimit në lidhje me veprat e zemrës dhe ato të dukshme, në varësi të ixhtihadit të disa njerëzve të dijes, por kjo ka hollësi dhe nuk është vendi për ta shtjelluar këtu.
Pra, ai është nën Dëshirën e Allahut…
Mund të hyjë në Zjarr si shpërblim për atë që ka kryer prej gjynaheve apo për ato që ka lënë prej detyrimeve, por më pas kjo fjalë e mirë e shpëton atë dhe Allahu e fal me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij. Ky është kuptimi i fjalës së tij ﷺ të përmendur më lart:
«Kush thotë: “la ilahe il-lAllah”, ajo i bën dobi atij Ditën e Kijametit»
Ama, nëse e thotë atë me gjuhën e tij dhe nuk e kupton domethënien e saj, apo e kupton domethënien e saj por nuk e beson këtë domethënie, atëherë nuk i bën dobi fjala «la ilahe il-lAllah» në Botën tjetër, por ka dobi vetëm në këtë botë.
Prandaj, duhet përqendrim në thirrjen për në Teuhid prej çdo shoqërie Islamike që synon me të vërtetë realizimin e shoqërisë islamike dhe ngritjen e një shteti musliman që gjykon me atë që ka shpallur Allahu, synim për të cilin mundohet çdo grup Islamik, ose të paktën shumica e tyre.
Këto grupe apo bashkësi nuk munden ta realizojnë dhe ta bëjnë të prekshëm këtë qëllim për të cilin janë bashkuar, vetëm se duke filluar me atë që filloi Profeti ﷺ.
E përsëris, nuk kam për qëllim me këtë sqarimin e asaj që është më parësore dhe lënien pas dore të asaj që është nën të, pra që thirrësit të kufizohen vetëm te thirrja për te kjo fjalë e bukur dhe te kuptimi i saj, sepse Allahu Azze ue Xhel’le- e plotësoi ndaj nesh mirësinë duke na e përsosur Fenë e Tij. Përkundrazi, duhet patjetër për ata thirrës të mbartin të gjithë Islamin dhe jo vetëm një pjesë!
Pas kësaj, konkludojmë në mënyrë të përmbledhur se thirrësit e vërtetë islamikë e kanë detyrë t’i kushtojnë rëndësi gjësë më të rëndësishme me të cilën erdhi Islami: mësimin e muslimanëve me akiden e saktë që buron nga fjala e bukur «la ilahe il-lAllah».
Theksoj faktin se kjo nuk do të thotë që muslimani të kuptojë se kuptimi i «la ilahe il-lAllah» është që nuk ka të adhuruar me të drejtë në ekzistencë përveç Allahut dhe ta lërë me kaq. Përkundrazi, kjo kërkon gjithashtu që të kuptojë adhurimet me të cilat duhet të adhurohet Zoti ynë Azze ue Xhel’le dhe të mos ia dedikojë asgjë prej tyre ndonjë robi prej robërve të Allahut -Tebareke ue Te’āla-.
Ky shtjellim sqarohet duke u shoqëruar me kuptimin e përmbledhur të fjalës së bukur. Është mirë të sjell një shembull apo më shumë se një – sipas asaj që më duket mua- sepse sqarimi i përmbledhur nuk mjafton.
Them se shumë prej muslimanëve që janë veçues të vërtetë të Allahut në adhurim dhe shumë prej atyre që nuk i dedikojnë asnjë adhurim prej adhurimeve të tjerëve veç Allahut Azze ue Xhel’le-, mendjet e tyre i kanë të zbrazura nga shumë prej akideve dhe mendimeve të sakta, përmendja e të cilave ka ardhur në Kur’an dhe Sunnet.
Shumë njerëz prej atyre veçuesve të Allahut në adhurim kalojnë nëpër shumë ajete dhe disa hadithe që kanë akideh brenda tyre dhe ata janë të pavëmendshëm rreth asaj që përmbajnë ato tekste, ndërkohë që ato janë prej plotësimit të besimit në Allahun Azze ue Xhel-le-.
Merrni shembull akiden apo besimin në lidhje me Lartësimin e Allahut Azze ue Xhel’le mbi krijesat e Tij. Unë e di me anë të përvojës se shumë prej vëllezërve tanë selefijë, veçues të Allahut në adhurim, besojnë bashkë me ne se Allahu Azze ue Xhel’le u ngrit mbi Arsh, pa e keqinterpretuar dhe pa thënë “si?”.
Mirëpo, kur u vjen atyre një mu’tezilij bashkëkohor, xhehmij bashkëkohor, maturidij bashkëkohor apo esharij bashkëkohor, dhe u hedh një dyshim i cili gjendet në atë që duket prej ajetit, kuptimin e të cilit nuk e di as ai që i futet dyshimi dhe as ai që e fut dyshimin, atëherë ai fillon të luhatet në akiden e tij dhe devijon larg nga ajo! Përse? Sepse nuk e ka marrë akiden e saktë nga çdo aspekt që është shpjeguar në Librin e Zotit tonë Azze ue Xhel’le dhe në hadithin e Profetit tonë Muhammed ﷺ.
Kur mu’teziliu bashkëkohor thotë:
“Allahu -azze ue xhel’le- thotë:
{ءَأَمِنتُم مَّن فِی ٱلسَّمَاۤءِ}
{A jeni të sigurtë se Ai i Cili është mbi qiell…?} [El-Mulk: 16]
Ju thoni: “Allahu është mbi qiell”. Kjo do të thotë se ju e keni futur të Adhuruarin tuaj në një zarf i cili është qielli i krijuar!”
Nuk dua të futem thellë në këtë çështje, sepse qëllimi është vetëm përkujtimi, pasi futja në të kërkon mexhlis të veçantë.
Pra, ky (mu’teziliu) hedh dyshime tek ata që ka para tij.
Dua të sqaroj me këtë shembull se akidja e Teuhidit me çdo gjë që ajo kërkon, mjerisht, nuk është e qartë në mendjet e shumë prej atyre që besuan në vetë akiden selefijeh, imagjino pastaj te të tjerët të cilët pasuan akidet e esharive, maturidive apo xhehmive në këtë mesele.
📚 Shkëputur nga ligjërata me titull:
“O thirrës të Islamit, kini parësor Teuhidin!”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema