Refuzim ndaj atyre që thonë se Allahu i Lartësuar nuk do të shihet në botën tjetër, siç janë Mu’tezilitë dhe të ngjashmit me ta.
Argumentohen Mu’tezilitë me fjalën e Allahut të Lartësuar:
{لَّا تُدۡرِكُهُ ٱلۡأَبۡصَـٰرُ وَهُوَ یُدۡرِكُ ٱلۡأَبۡصَـٰرَۖ}
{Atë nuk e arrijnë shikimet, por Ai i arrin shikimet e të gjithëve} [el-En’am: 103]
Imam Ibnu Xherir etTaberij -rahimehullah-, “babai” i komentuesve të Kur’anit, në tefsirin e tij thotë:
Ata që thonë se kuptimi i ajetit:
{لَّا تُدۡرِكُهُ ٱلۡأَبۡصَـٰرُ}
{Atë nuk e përfshijnë shikimet}
është se ata nuk e shohin Atë, janë shumë larg nga kuptimi i saktë.
Dhe më tej Ibnu Xheriri shton:
Kuptimi është që besimtarët do ta shohin Zotin e tyre me shikimet e tyre, por nuk do ta përfshijnë Atë shikimet e tyre, sepse nuk mundet që Allahun ta përfshijnë shikimet.
📚 “Xhami’ul Bejān fij Te’uijlil Kur’an” (12/14-15).
Thotë imam Begauij -rahimehullah- në lidhje me ajetin në fjalë:
Dije se “përfshirja” nuk është si shikimi, sepse përfshirja është kapja e thelbit të diçkaje bashkë me përfshirjen totale të saj, ndërsa shikimi është më specifik, shikimi mund të ndodhë edhe pa e përfshirë atë gjë që sheh.
Allahu i Lartësuar në historinë e Musës alejhis selam ka thënë:
فَلَمَّا تَرَ ٰۤءَا ٱلۡجَمۡعَانِ قَالَ أَصۡحَـٰبُ مُوسَىٰۤ إِنَّا لَمُدۡرَكُونَ
{Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “me të vërtetë na zunë!”}
{ قَالَ كَلَّاۤ }
{Ai tha: jo.}
Dhe ka thënë Allahu i Lartësuar:
{لَّا تَخَـٰفُ دَرَكࣰا وَلَا تَخۡشَىٰ}
{Mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni}
Pra, mohoi përfshirjen ama pohoi shikimin, kështu që themi se është e mundur që Allahu azze ue xhel-le të shihet, ama pa e përfshirë dhe pa e përceptuar Atë.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
{وَلَا یُحِیطُونَ بِهِۦ عِلۡمࣰا}
{ata nuk mund ta ngërthejnë Dijen e Allahut} [Taha: 110].
I Lartësuari e mohoi ngërthimin dhe pohoi Dijen.
Se’id ibnul Mesejjib -rahimehullah- ka thënë:
“Ata nuk e përfshijnë (ngërthejnë, perceptojnë, rrokin) dot Atë”.
‘Ata’u -rahimehullah- ka thënë:
“Shikimet njerëzore janë të dobëta për ta përfshirë (rrokur, ngërthyer, perceptuar) Atë -Subhanehu ue Te’ala.”
📚 “Me’alimu tenzili fij Tefsiril Kur’an” (2/148-149).
Ka thënë hafizi ibnu Kethiri -rahimehullah-:
“Nuk ka përplasje në mes pohimit të shikimit dhe mohimit të përfshirjes (rrokjes, ngërthimit, perceptimit). Me të vërtetë, përfshirja është më e veçantë se shikimi dhe jo medoemos ai që mohon atë që është më e veçantë ka mohuar edhe atë që është më e përgjithshme.
Më pas janë kundërshtuar në lidhje me faktin se cila është përfshirja që mohohet.
Është thënë se dija për realitetin (sesi është Ai në të vërtetë) është e pamundur dhe këtë nuk e di vetëm se Ai subhanehu ue te’ala, edhe pse besimtarët e shohin Atë, ashtu siç shohin hënën, të cilën e shohin por nuk e arrijnë dot realitetin e esencës së saj. Ndërsa Ai, Madhështori, është më Parësori për të mos e përfshirë.”
📚 “Tefsir ibni Kethir” (3/310)
Përkujtim i rëndësishëm:
Në Ditën e Llogarisë, Allahu do shihet nga besimtarët përpara se të hyjnë në Xhennet, por gjithashtu do shihet edhe në Xhennet.
U pyet shejkh Ibnu Bāzi -rahimehullah-:
Ka një mosmarrëveshje për çështjen shikimit të Allahut subhanehu ue te’ala ditën e Kijametit dhe janë shtuar armiqësitë. Ka disa njerëz që thonë se Allahu nuk shihet dot, ka prej tyre që thonë se Ai do shihet. Të dyja palët vijnë me hadithe dhe disa ajete kur’anore për të refuzuar mendimin e palës tjetër. Na jepni një fetva, Allahu jua shperbleftë me të mira.
Përgjigje: Konsensusi i Sahabëve radij’Allahu anhum dhe ai i ehlus-sunnetit pas tyre është se Allahu subhanehu do shihet Ditën e Kijametit. Besimtarët do ta shohin Atë azze ue xhel’le në ditën e Kijametit si dhe do ta shohin në Xhennet gjithashtu. Njerëzit e dijes kanë rënë në një mendje për këtë çështje, si dijetarët e sahabëve, ashtu edhe dijetarët e ehlus-sunnetit dhe xhematit. Kur’ani Madhështor ka dëshmuar për këtë, si dhe Sunneti i saktë.
Allahu azze ue xhel’le thotë:
{ وُجُوهࣱ یَوۡمَئِذࣲ نَّاضِرَةٌ (22) إِلَىٰ رَبِّهَا نَاظِرَةࣱ (23}
{Atë ditë, disa fytyra do shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin} [el-Kijameh: 22-23
“ناظرة”
Kjo fjalë në ajet dmth të shkëlqyera, të bukura. Zotin e tyre do të shohin dmth do të shohin Fytyrën e Tij Fisnike -subhanehu ue te’ala-.
Allahu azze ue xhel’le ka thënë:
{ لِّلَّذِینَ أَحۡسَنُوا۟ ٱلۡحُسۡنَىٰ وَزِیَادَةࣱ }
{Ata që bëjnë vepra të mira, do kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër…} [Junus: 26].
Është vërtetuar se i Dërguari i Allahut -alejhis salatu ues selām- ka thënë:
«Shpërblimi i mirë është Xhenneti, dhe më tepër është shikimi i Fytyrës së Allahut.»
Allahu ka thënë:
{ كَلَّاۤ إِنَّهُمۡ عَن رَّبِّهِمۡ یَوۡمَئِذࣲ لَّمَحۡجُوبُونَ }
{Nuk është ashtu! Atë ditë, një perde do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre} [EL-Mutafifinë: 15].
Nëse mosbesimtarët do të pengohen që ta shohin Atë, kuptohen që besimtarët nuk do të pengohen që ta shohin Atë, madje do ta shohin Zotin e tyre Ditën e Kijametit dhe në Xhennet. Hadithet që flasin për këtë janë transmetuar prej shumë sahabëve nga i Dërguari i Allahut ﷺ se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre Ditën e Kijametit, si dhe në Xhennet.
I Dërguari i Allahut ﷺ thotë:
«Ju do ta shihni Zotin tuaj Ditën e Kijametit ashtu siç shihni natën hënën kur është e plotë. Nuk është se do shtyheni për ta parë Atë.»
Në një transmetim tjetër ka ardhur: «ashtu siç del dielli me shkëlqim kur nuk ka re.»
Kjo fjalë është e qartë dhe e shkoqur. I Dërguari i Allahut -alejhis salatu ues selām- e bëri të qartë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre me shikim të qartë dhe të kthjellët, ashtu siç shihet dielli me shkëlqim kur nuk ka re dhe ashtu siç shihet hëna e plotë natën kur nuk ka re. A ka nevojë pas këtij sqarimi sqarim tjetër?! Sa i qartë, sa i shkoqur dhe sa i plotë! Na ka informuar ai ﷺ se ata me të vërtetë do ta shohin Atë në Xhennet gjithashtu. Ai që e mohon shikimin e Allahut, ai është i dalë nga feja dhe i humbur. Kush thotë se besimtarët nuk do ta shohin Allahun ditën e Kijametit dhe në Xhennet, atëherë ai është i humbur dhe i dalë nga feja islame! Lusim Allahun që të na ruajë!
📚 “Feteua Nur aled derb” nga shejkh ibnu Bāz (1/157-158).
Mblodhi dhe përktheu: Abdur-Rahman Mema