Pyetje drejtuar shejkh ibnu Bāz -Allahu e mëshiroftë-
Një pyetëse nga Algjeria thotë:
Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue baraketuh
Isha në fillimet e mia e kapur pas fesë dhe e mbuluar, por pas kësaj morali im ndryshoi dhe fillova të shoqërohem me njerëzit e dëfrimeve dhe epsheve. Më pas u martova, porse kreva tradhëti bashkëshortore dhe krijova lidhje josheriatike me një numër burrash. Pas kësaj u pendova për atë që kisha bërë prej tradhëtisë dhe punëve të liga, por tani jam në mëdyshje: a do të më falë vallë Allahu për gjynahet që kam bërë dhe a do të ma pranojë pendimin? Cilat janë gjërat që duhet të bëj në mënyrë që të më falë Allahu dhe të më pranojë pendimin?
Përgjigje:
Ue Alejkumus selam ue rahmetullahi ue baraketuh!
Allahu i Pastër nga të metat thotë:
۞ قُلۡ یَـٰعِبَادِیَ ٱلَّذِینَ أَسۡرَفُوا۟ عَلَىٰۤ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُوا۟ مِن رَّحۡمَةِ ٱللهِ إِنَّ ٱللهَ یَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِیعًاۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلرَّحِیمُ
{Thuaj: o robërit e Mi që i keni bërë keq vetes, mos e humbisni shpresën nga Mëshira e Allahut! Me të vërtetë, Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falësi i gjynaheve dhe Mëshirëploti.} [Ez-Zumer: 53]
Dijetarët janë pajtuar se ky ajet është për të penduarit. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar ka thënë:
{قُلْ لِلَّذِينَ كَفَرُوا إِنْ يَنْتَهُوا يُغْفَرْ لَهُمْ مَا قَدْ سَلَفَ}
{Thuaju atyre të cilët nuk besuan se, nëse largohen (nga mosbesimi), atëherë do t’u falet ajo që ka kaluar.} [el-Enfāl: 38]
Ka thënë gjithashtu:
{وَتُوبُوا إِلَى اللهِ جَمِيعًا أَيُّهَا الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ}
{Të gjthë ju, o besimtarë, pendohuni tek Allahu në mënyrë që të shpëtoni!} [En-Nur: 31]
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“الإسلام يهدم ما كان قبله، والتوبة تهدم ما كان قبلها”
«Islami e fshin atë që ka kaluar para tij dhe pendimi e fshin atë që kaluar para tij.»
Të këshilloj që t’i përmbahesh pendimit dhe ai është:
1- Pendimi për atë që ka kaluar;
2- Lënia e gjynahut;
3- Vendimi i sinqertë që të mos i kthehesh më asaj vepre.
Dhe me këtë Allahu i fal të gjitha ato që kanë kaluar.
Ka edhe një kusht të katërt:
Nëse me atë gjynah u ke padrejtësi të tjerëve, si p.sh. nëse i ke dikujt borxh apo i ke vjedhur dhe grabitur etj, atëherë duhet t’ia kthesh hakun atij që i takon dhe me këtë veprim plotësohet pendimi, pa lënë mënjanë edhe tri kushtet e përmendura më sipër.
Të përgëzoj për mirë dhe të them se duhet të mendosh mirë për Allahun dhe të shoqërohesh me gra të devotshme, të lexosh sa më shumë Kur’an dhe hadithe të sakta.
Lusim Allahun për ne, ty dhe për të gjithë muslimanët që të na bëjë të qëndrueshëm në të vërtetën dhe të na ruajë nga e keqja e veteve tona, nga punët e këqija dhe nga cytjet shejtanit! Ai është Bujar i Madh!
Ues selāmu alejkum ue rahmetullahi ue baraketuh
http://www.binbaz.org.sa/fatawa/2137
Përktheu: Abdur-Rahman Mema