Loading

Ka thënë shejkh Salih Eli esh-Shejkh, Allahu e ruajttë, në komentin e librit “Akidjah Tahauijeh”:

Ajo që kanë vendosur hulumtuesit prej njerëzve të dijes është se renditja e ngjarjeve Ditën e Kijametit është sipas sqarimit vijues:

1️⃣ Kur të ringjallen njerëzit dhe të ngrihen prej varreve, do të shkojnë në tokën e Mahsherit. Pas kësaj, do të qëndrojnë aty shumë gjatë dhe kalojnë një gjendje të vështirë. Janë të etur dhe shumë të frikësuar për shkak të qëndrimit të gjatë, bindjes së tyre për marrjen në llogari dhe për faktin se çfarë do bëjë Allahu Azze ue Xhel-le me ta.

2️⃣ Kur zgjatet qëndrimi, Allahu azze ue xhel-le sjell për Profetin e Tij ﷺ Haudin, në të cilin do pijnë ujë. Haudi i Profetit ﷺ do jetë në vendqëndrimet e Kijametit, në kohën kur vështirësohet qëndrimi i tyre në pritje të Zotit të krijesave dhe kur një ditë është sa 50 mijë vite.

Kush ka vdekur në Sunnet, as nuk ka ndryshuar gjë, as nuk ka shpikur gjë dhe as nuk ka zëvendësuar gjë, i del para haudi dhe pi prej tij! Siguria e parë për të është se ai pi prej haudit të Profetit tonë ﷺ.

Pas kësaj, i jepet çdo profeti nga një haud përkatës dhe pijnë prej tij njerëzit e devotshëm të ummetit të tij.

3️⃣ Në vazhdim, njerëzit ngrihen dhe qëndrojnë gjatë në pritje. Më pas, do të jetë ndërmjetësimi i madh (mekamun mahmud) -ndërmjetësimi i Profetit ﷺ – që Allahu azze ue xhel-le t’ua përshpejtojë llogarinë krijesave. Kjo ka ardhur në hadithin e gjatë dhe të njohur ku ata i kërkojnë Ademit të ndërmjetësojë, pastaj Nuhut, pastaj Ibrahimit e deri në fund, shkojnë te Profeti ﷺ duke i thënë “o Muhamed!..” dhe i përshkruajnë atij gjendjen e tyre e i kërkojnë që të ndërmjetësojë për përshpejtimin e llogarisë, me qëllim që të nxirren njerëzit nga kjo vështirësi.

Pas kërkesës së tyre “ndërmjetëso për ne te Zoti yt”, Profeti ﷺ thotë: “Unë jam për këtë, unë jam për këtë!” Ai shkon te Arshi, bie në sexhde dhe lavdëron Allahun azze ue xhel-le me lavde, në mënyrë që Allahu azze ue xhel-le t’ia lejojë këtë gjë. Më pas i thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën, kërko dhe do të të jepet, ndërmjetëso dhe do të të lejohet ndërmjetësimi.”

Ndërmjetësimi i tij më i madh (mekamun mahmud-i) do të jetë për përshpejtimin e marrjes në llogari.

4️⃣ Pas kësaj do të jetë paraqitja e veprave.

5️⃣ Pas paraqitjes së veprave do të jetë marrja në llogari.

6️⃣ Pas llogarisë së parë do shpërndahen librat e veprave. Llogaria e parë është për ekspozim, sepse do të ketë debate dhe justifikime, dhe më pas do të shpërndahen librat. Atyre të anës së djathtë do t’u jepen librat nga e djathta dhe atyre të anës së majtë do t’u jepen librat nga e majta. Leximi i librit do bëhet për këdo.

7️⃣ Pas leximit të librit, gjithashtu do të ketë llogari për t’i prerë rrugën justifikimeve dhe për të ngritur argumentin me anë të leximit të asaj që gjendet në libër.

8️⃣ Pas kësaj, do jetë mizani (peshorja) ku do të peshohen ato gjëra që përmendëm.

9️⃣ Pas peshores do ndahen njerëzit në grupe dhe lloje përkatëse. Çdo lloj i ka pjesëtarët me vepra të njëjta. Do ngrihen flamujt e profetëve; flamuri i Muhamedit ﷺ, flamuri i Ibrahimit, flamuri i Musës etj…
Njerëzit poshtë çdo flumuri përkatës do ndryshojnë në varësi të llojeve të tyre, pra çdo lloj me llojin e tij.

Zullumqarët dhe jobesimtarët gjithashtu do tubohen në lloje, dmth çdo lloj përbëhet nga ata që kanë punë të ngjashme.

Ka thënë Allahu:

ٱحۡشُرُوا۟ ٱلَّذِینَ ظَلَمُوا۟ وَأَزۡوَ ٰ⁠جَهُمۡ وَمَا كَانُوا۟ یَعۡبُدُونَ ۝ مِن دُونِ ٱللهِ

{Tubojini ata që bënë zullum, shoqërinë e tyre dhe ata që i adhuruan në vend të Allahut!} [es-Safat: 22-23]

{ازواجهم}
{Shoqërinë e tyre}

Kjo fjalë në ajet dmth llojet e tyre, të ngjashmit e tyre. Do tubohen dijetarët e mushrikëve bashkë me dijetarët e mushrikëve, do tubohen zullumqarët me zullumqarët, do tubohen ata që e kanë mohuar ringjalljen me ata që e kanë mohuar ringjalljen, e kështu me rradhë.

🔟 Pas kësaj, Allahu do ta errësojë vendin përpara Xhehenemit -Allahu na ruajttë- dhe njerëzit do ecin me atë që iu është dhënë prej dritës. Do ecë ky ummet dhe në mesin e tyre do të ketë hipokritë. Pastaj, kur të ecin me dritat e tyre, do vendoset muri i njohur:

فَضُرِبَ بَیۡنَهُم بِسُورࣲ لَّهُۥ بَابُۢ بَاطِنُهُۥ فِیهِ ٱلرَّحۡمَةُ وَظَـٰهِرُهُۥ مِن قِبَلِهِ ٱلۡعَذَابُ ۝ یُنَادُونَهُمۡ أَلَمۡ نَكُن مَّعَكُمۡۖ قَالُوا۟ بَلَىٰ

{Atëherë një mur me një derë do vendoset mes tyre, brendia e të cilit është mëshirë e ana e jashtme e tij dënim. Hipokritët thërrasin besimtarët: “A nuk kemi qenë me ju?” Ata u thonë: “Po…”} [El-Hadid: 13-14]

Allahu Azze ue Xhel-le u jep dritë besimtarëve dhe ata shohin rrugën e drejtë, ndërsa hipokritëve nuk u jepet dritë, por do jenë me jobesimtarët duke shkuar në Zjarr. Do ecin dhe para tyre është Xhehenemi, Allahu na ruajttë!

1️⃣1️⃣ Pastaj, do të vijë Profeti ﷺ i pari, do jetë mbi sirat (urë) dhe i kërkon Allahut Azze ue Xhel-le për veten dhe për ummetin e tij duke thënë: “O Zoti im, na shpëto! O Zoti im, na shpëto!”

E kalon ai ﷺ dhe ummeti i tij urën dhe çdokush e kalon (me shpejtësinë përkatëse) në varësi të veprave të tij. Gjithashtu, do ketë dritë në varësi të veprave të tij. E kalon urën ai që Allahu Azze ue Xhel-le e ka falur dhe bie në Zjarr -prej kategorisë së atyre që e kanë veçuar Allahun në adhurim- ai që Allahu Azze ue Xhel-le dëshiron për ta ndëshkuar. Pasi këta mbarojnë dënimin në zjarr, mblidhen në vendqëndrimet e Xhennetit, dmth në sheshet të cilat i ka përgatitur Allahu Azze ue Xhel-le, sepse njerëzit e besimit marrin të drejtat e tyre kundrejt njëri-tjetrit. Do hiqet zilia, derisa të futen në Xhennet pa pasur zili në zemrat e tyre.

1️⃣2️⃣ Të parët që futen në Xhennet pas Profetit ﷺ do jenë të varfrit e muhaxhirëve, pastaj të varfrit e ensarëve, e pastaj të varfrit e ummetit.

Të pasurit do vonohen për shkak të llogarisë që është në mes tyre dhe krijesave, sepse do merren në llogari për këtë.

شرح الطحاوية”【ص ٥٤٢】” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: