Esh’aritë pohojnë vetëm shtatë prej Cilësive të Allahut. Të tjerat i mohojnë. Ata mohojnë Cilësinë e Dashurisë, Mëshirës, Zemërimit, ej. Refuzimi i tyre është në disa pika:
1) U themi atyre:
Nuk ka dallim midis asaj që ju mohoni prej Cilësive -siç është Mëshira, Zemërimi, Dashuria- dhe asaj që ju pohoni, sepse ajo fjalë që thuhet për të dyja (atë që pohoni dhe mohoni) është një, ngaqë fjala për njërën prej tyre është si fjala për tjetrën.
2) Në rrugën që esh’ariu ndjek, pra, në dallimin që u bën Cilësive, është i detyruar që të bëjë tri gjëra:
A- Pohimin e të gjitha Cilësive në kuptimin e përngjasimit, gjë e cila është përngjasimi i Krijuesit me krijesën. Kjo është e kotë dhe në vetvete është medh’hebi i atyre që përngjasojnë Krijuesin me krijesën.
B- Mohimin e të gjitha Cilësive që janë përmendur në Kur’an dhe Sunnet. Gjithashtu, kjo është e kotë, sepse është fjalë e atyre ekstremistëve që mohojnë të gjitha Cilësitë e Allahut.
Nëse të dyja këto bien, atëherë mbetet gjëja e fundit, e cila është e sakta. Ajo është:
C- Pohimi i të gjitha Cilësive që janë përmendur në Kur’an dhe Sunnet, ashtu siç i takon Madhështisë së Tij, duke mohuar përngjasimin e Krijuesit me krijesat. Kjo është e vërteta dhe ky është medh’hebi i të gjithë pejgamberëve.
■ Shembull praktik në lidhje me debatin midis sunniut dhe esh’ariut
Esh’ariu pohon shtatë Cilësi të Allahut dhe i mohon cilësitë e Zemërimit, Dashurisë, etj. E bën këtë me pretendimin se pohimi i këtyre Cilësive është përngjasim me krijesat, dhe prandaj nuk e pohon psh Cilësinë e Zemërimit, duke pretenduar se zemërimi është zierja e gjakut në zemër, pra, diçka që kërkon hakmarrje, dhe kjo nuk i shkon Allahut.
Sunniu e refuzon duke i thënë:
Ti e pohon Cilësinë e Dëshirës. Dëshira që ti po pohon, në thelb është anim i vetes te marrja e diçkaje që bën dobi, ose largim i diçkaje që bën dëm, dhe kjo nuk i ka hije Allahut të Lartësuar.
Esh’ariu përgjigjet:
O sunnij, kjo dëshirë që ti e përmende, është dëshirë e krijesës, ndërsa Dëshira e Allahut është ashtu siç i takon Madhështisë së Tij.
E refuzon sunniu duke i thënë:
O esh’arij, edhe zemërimi që ti përmende, është si zemërimi i njerëzve, dhe nuk është si Zemërimi i Allahut, pra, siç i ka hije Atij.
Ky është ndryshimi midis Cilësive.
I thuhet atij lidhur me atë që mohon prej Cilësive Veprore ashtu siç i thotë ai kundërshtarit të tij për shtatë cilësitë.
Dmth refuzohet me të njëjtat refuzime me të cilat esh’ariu refuzon mu’teziliun, pra, i thuhet se Allahu cilësohet me Cilësi ashtu siç i takon Madhështisë së Tij, ndërsa krijesa e Tij cilësohet me cilësi të cilat janë të përshtatshme për të, dhe kjo gjë nuk obligon përngjasimin me Krijuesin.
■ Shembull praktik i debatit midis esh’ariut dhe mu’teziliut
Esh’ariu e refuzon mu’teziliun me atë që ai (esh’ariu) pohon prej shtatë Cilësive, me të njëjtin refuzim që sunniu refuzon esh’ariun. Ky është argumenti më i fortë kundër esh’arive.
Në vijim po ju tregojmë debatin midis esh’ariut dhe mu’teziliut:
Thotë mu’teziliu se Allahu nuk ka Cilësi; Ai nuk ka Dëshirë, Fjalë, Dëgjim, Shikim. Kjo sepse, sipas tij, këto janë cilësi të veçanta për trupat, dhe rrjeshimisht kjo obligon përngjasimin me krijesat.
E refuzon esh’ariu duke i thënë (sepse ai do që të mbrojë ato Cilësi që ai pohon) se Allahu cilësohet me shtatë Cilësitë e përmendura më lart, dhe ato janë ashtu siç i takojnë Atij, pra, nuk i përngjajnë cilësive të krijesave.
Ehlus sunneti i refuzon esh’aritë me të njëjtin refuzim që ata refuzojnë mu’tezilitë, duke u thënë:
Kështu themi edhe ne (ehlus sunneti) që pohojmë pjesën tjetër të Cilësive, si psh Dashurinë, Kënaqësinë, Zemërimin, Mëshirën, etj…
Rrjedhimisht, me të njëjtin argumentim që esh’aritë obligojnë mu’tezilitë për pohimin e shtatë Cilësive, obligohen edhe vetë ata që të pohojnë Cilësitë e tjera.
📚 “Sherhul Akidetit Tedmurijeh” (fq. 145-146) me autor Muhammed el-Khumej-jis
✍ Përktheu: Abdur-Rahman Mema