Loading

Thotë shejkh Adil ibnu Mensur el-Basha:

Ajo që njihet nga akidet e ehlus-sunnetit dhe xhematit dhe biografitë e tyre është konsensusi i tyre në çështjet vijuese të cilat do t’i përmbledh në disa të tilla, derisa të bëhet i lehtë kuptimi dhe memorizmi i tyre.

Çështja e parë: shokët e Profetit ﷺ janë më të mirë sesa çdokush që vjen pas tyre; dhe kjo deri në Ditën e Kijametit.

Çështja e dytë: është detyrë dashuria dhe lutja për ta. Allahu qoftë i Kënaqur me ta!

Çështja e tretë: pohimi i drejtësisë së tyre, sepse Allahu xhel’le ue ala i ka konsideruar të drejtë dhe i ka lavdëruar; gjithashtu, Profeti ﷺ në hadithe të sakta i ka lavdëruar dhe konsideruar të drejtë.

Çështja e katërt: ndalesa e sharjes dhe ofendimit të tyre. Ka thënë ai ﷺ: «Mos i shani shokët e mi!» Ai që ofendon njërin prej shokëve të Profetit ﷺ apo e përmend për keq, është bidatxhi.

Çështja e pestë: ruajtja e gjuhës nga dy gjëra të rëndësishme:

E para: ruajtja e gjuhës nga përmendja e të metave dhe gabimeve të tyre; dhe kjo për shkak të fjalës së Profetit ﷺ: «Kur të përmenden shokët e mi, ruajeni gjuhën!»

E dyta: ruajtja e gjuhës ndaj asaj që ka ngjarë mes tyre, gjë e cila ngjau sipas asaj që kishte paracaktuar Allahu tebarake ue te’ala për një urtësi të madhe. Kështu që nuk lejohet thellimi në atë gjë. Vërtet, ata që vijnë pas sahabëve, edhe nëse i veprojnë të gjitha veprat e mira, me këtë nuk bëhen me të mirë sesa sahabët, të cilët shoqëruan Profetin ﷺ, qoftë edhe një orë, një ditë apo një muaj.

Argumentet për këto pesë çështje janë të njohura në Kur’an dhe Sunnet dhe në librat e akides, qofshin ato të shtjelluara apo të përmbledhura. Shumica e muslimanëve -dhe gjithë lavdet i takojnë Allahut- janë me këtë bindje, përveç atyre që kanë devijuar nga rruga e drejtë. Këto pesë çështje kanë fryt të rëndësishëm dhe qëllim të detyrueshëm; dhe ai është pasimi dhe ndjekja e shembullit të tyre.

Pasi zemrat dhe gjuhët e muslimanëve të jenë të ruajtura ndaj shokëve të Profetit ﷺ, duhet që ata të besojnë dhe ta dijnë bindshëm se është detyrë pasimi i sahabëve në çështjet e fesë së tyre. Për këtë arsye, ajo është prej bazave më madhështore të sunnetit. Ashtu siç ka thënë imam Ahmedi: “Bazat e sunnetit te ne janë kapja fort pas asaj në të cilën kanë qenë shokët e Profetit ﷺ dhe ndjekja e shembullit të tyre.”

Vini re imam Ahmedin rahimehullah! Zgjodhi dy terma sheriatike: kapja fort dhe ndjekja e shembullit të tyre.

Kështu që ndjekja e udhëzimit të tyre nuk është diçka për të cilin ka liri zgjedhjeje, por është prej bazave të detyrueshme. Dhe prej akides së muslimanit, të cilën e ka detyrë për ta mësuar, besuar dhe vepruar, janë tri gjëra:

E para: dija, besimi dhe detyra e pasimit të sahabëve dhe ndjekjes së shembullit të tyre.

E dyta: ta thuash këtë, ta pohosh dhe të thërrasësh për te kjo gjë.

E treta: veprimi me të dhe praktikimi i saj në të gjitha çështjet e fesë: në akideh, në tefsir, në Kur’an, në Hadith, në kuptimin e fesë…, Po ashtu në dispozitat e fikhut dhe adhurimeve…

Gjen shumë njerëz -dhe gjithë lavdet i takojnë Allahut- që i dinë këto pesë çështje që përmendëm më parë, mirëpo fryti i saj duhet të jetë: pasimi, ndjekja e shembullit të tyre, praktikimi dhe veprimi me të. Në këtë pikë, shumica e muslimanëve, xhemateve dhe medh’hebeve çalojnë dhe kundërshtojnë udhëzimin e sahabëve!

🎙 محاضرة: أهمية الرجوع لهدي الصحابة رضي الله عنهم]

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: