Ka thënë imam et-Tirmidhij (v. 279 h) -rahimehullah-:
Kanë thënë më shumë se një nga njerëzit e dijes në lidhje me këtë hadith dhe të ngjashëm me të, prej transmetimeve që flasin për Cilësitë e Allahut të Lartësuar.
Në lidhje me zbritjen e Zotit -tebareke ue te’la- çdo natë në qiellin e dynjasë, njerëzit e dijes kanë thënë:
Transmetimet në lidhje me këtë janë të sakta dhe duhen besuar, dhe jo duke supozuar dhe as duke thënë: “si”.
Kështu është transmetuar nga Maliku, Sufjan bnu ‘Ujejneh dhe Abdullah ibnul Mubarek se kanë thënë në lidhje me këto hadithe: pranojini ato pa thënë “si”.
Kjo është fjala e njerëzve të dijes prej ehlus sunnetit dhe xhematit.
Sa për xhehmitë ata i mohuan këto transmetime dhe thanë: kjo është përngjasim.
Allahu i Lartësuar ka përmendur në më shumë se një vend në Librin e Tij: “Dorën”, “Dëgjimin” dhe “Shikimin”, xhehmitë i keqinterpretuan këto ajete dhe nuk i komentuan ashtu siç i kanë komentuar njerëzit e dijes dhe thanë: Allahu nuk e ka krijuar Ademin me Dorën e Tij dhe shtuan: kuptimi i Dorës këtu është fuqia!
Ka thënë Is’hak ibnu Ibrahim (Er-Rahujeh, v. 238 h): përngjasim është kur thua: dora si dora ime, apo njësoj si dora ime, ose dëgjimi si dëgjimi im, ose njësoj si dëgjimi im, ky është përngjasimi.
Por nëse thotë ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: Dora, Dëgjimi dhe Shikimi dhe nuk thotë: “si”, as nuk thotë: njësoj si dëgjimi im, dhe as si dëgjimi im kjo nuk është përngjasim.
Dhe këto i ka thënë Allahu i Lartësuar në Librin e Tij:
{لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ}.
{Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është Gjithë-Dëgjuesi dhe Gjithë-Shikuesi}
📚 ( سنن الترمذي” ( ٢ /٤٢ /٦٦٢”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema