Dijetari i madh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- thotë:
Çështja se besimtarët do ta shohin Allahun, në Xhennet, është vërtetuar me Librin e Allahut, Sunnetin e të Dërguarit të Tij dhe me konsensusin e sahabëve dhe imamllarëve të ummetit.
Nuk e mohon askush veç atij që Allahu ia ka verbuar zemrën! Allahu na ruajttë! Këto hadithe janë prej atyre haditheve të gradës «muteuatir» nga Profeti ﷺ.
Allahu azze ue xhel’le thotë:
وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَاضِرَةٌ * إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ}
{Atë ditë, disa fytyra do shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do shohin.}
Thotë Ai subhanehu ue te’ala:
{لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الحُسْنَى وَزِيَادَةٌ}
{Ata që veprojnë mirë do kenë po ashtu shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!}
Më i dituri i krijesave për Librin e Allahut, Muhamedi, i Dërguari i Allahut, e ka shpjeguar pjesën {edhe më tepër} me shikimin në Fytyrën e Allahut.
Ka thënë Allahu tebāreke ue te’ala:
{على الأرائك ينظرون}
Domethënia: shikojnë atë që Allahu ka përgatitur për ta prej mirësive, më e larta prej të cilave është shikimi në Fytyrën e Allahut!
Dhe ka thënë i Lartësuari:
{لهم ما يشاءون فيها ولدينا مزيد}
{Ata do të kenë në të çfarë të dëshirojnë, madje Ne kemi edhe më shumë.}
{El-mezid} është {ez-zijadeh}, Fjalë të cilën Allahu i Lartësuar e përmendi në ajetin:
{لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الحُسْنَى وَزِيَادَةٌ}
Profeti ﷺ {ez-zijādeh} e shpjegoi duke thënë se me të është për qëllim shikimi në Fytyrën e Allahut të Lartësuar.
Ka thënë i Lartësuari:
{لَا تُدْرِكُهُ الْأَبْصَارُ وَهُوَ يُدْرِكُ الْأَبْصَارَ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ}
{Asnjë shikim nuk mund ta përfshijë Atë, ndërsa Ai i përfshin të gjitha shikimet. Ai është i Buti dhe i Gjithëdijshmi.}
Fjala e Tij: {لا تدركه الأبصار} tregon se shikimet e shikojnë Allahun, mirëpo nuk e përfshijnë dot, sepse Ai xhel’le ue ala është më i Madh sesa ta përfshijnë shikimet.
Këto pesë ajete në Librin e Allahut që të gjitha tregojnë se besimtarët e shohin Zotin e tyre, ditën e Kijametit; dhe nuk e mohon këtë vetëm se një zullumqar! Lusim Allahun e Lartësuar që ta udhëzojë në hak ose (në të kundërt) ta privojë nga shikimi në Fytyrën e Tij, sepse nuk e mohon atë vetëm se ai që është kundërshtues: ajetet në lidhje me këtë janë të qarta, kurse sa i takon haditheve, ato janë muteuatirah.
📚 “شرح رياض الصالحين: (6/ 735-737).
Përktheu: Abdur-Rahman Mema