Loading

Imam Abdul-Aziz ibnu Bāz -rahimehullah- thotë:

Medh’hebi i Pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit, në lidhje me “shpresën” dhe “frikën”, është besimi dhe qëndrueshmëria në to. Me të vërtetë, besimtari e adhuron Allahun të Vetëm dhe është i sinqertë në adhurimin e Tij. Krahas kësaj, ai shpreson tek Allahu dhe e ka frikë Atë; shpreson Mëshirën e Tij dhe nxiton për tek ajo që e kënaq Atë; i frikësohet Dënimit të Tij, i largohet asaj që e zemëron Atë, si dhe largohet nga ndalesat e Tij subhanehu ue te’ala!

Allahu subhanehu, në lidhje me robërit e Tij të devotshëm, prej të dërguarve dhe pasuesve të tyre, thotë:

{إِنَّهُمۡ كَانُوا۟ یُسَـٰرِعُونَ فِی ٱلۡخَیۡرَ ٰ⁠تِ وَیَدۡعُونَنَا رَغَبࣰا وَرَهَبࣰاۖ وَكَانُوا۟ لَنَا خَـٰشِعِینَ}

{Me të vërtetë, ata nxitonin në kryerjen e veprave të mira, Na luteshin me shpresë e frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.} [el-Enbija: 90]

Kjo është cilësia e njerëzve të besimit, si prej të dërguarve, ashtu dhe prej pasuesve të tyre: ata e adhurojnë Allahun dhe i luten Atij me sinqeritet, dashuri, madhërim, shpresë dhe frikë.

{وَیَرۡجُونَ رَحۡمَتَهُۥ وَیَخَافُونَ عَذَابَهُ}

{Shpresojnë Mëshirën e Tij dhe i frikësohen Dënimit të Tij} [el-Isra: 57]

Ajo që bie detyrë mbi çdo besimtar, është që të jetë i tillë, pra, të jetë i sinqertë për hir të Allahut, besimtar i Allahut dhe veçues i Tij në adhurim. Duhet të shpresojë Mëshirën e Tij dhe t’i frikësohet dënimit të Tij xhel-le ue ala. Ai, në një ajet tjetër, thotë:

{أُو۟لَـٰۤئِكَ ٱلَّذِینَ یَدۡعُونَ یَبۡتَغُونَ إِلَىٰ رَبِّهِمُ ٱلۡوَسِیلَةَ أَیُّهُمۡ أَقۡرَبُ وَیَرۡجُونَ رَحۡمَتَهُۥ وَیَخَافُونَ عَذَابَهُۥۤۚ إِنَّ عَذَابَ رَبِّكَ كَانَ مَحۡذُورࣰا}

{Vetë ata të cilët po i lusin (duke i bërë kështu shirk Allahut), dëshirojnë një mënyrë për të arritur tek Allahu: si e si që secili prej tyre të jetë më i afërti me Të. Ata shpresojnë Mëshirën e Tij dhe i frikësohen Dënimit të Tij. Me të vërtetë ( o Muhammed ﷺ), Dënimit të Zotit tënd është për t’ia pasur frikën!} [el-Isra: 57]

Kjo pra është cilësia e besimtarëve: afrimi tek Allahu me bindjen ndaj Tij, siç është sinqeriteti, kryerja e detyrimeve dhe lënia e ndalesave; bashkë me frikën prej Tij- xhel-le ue ala – dhe shpresën në Mëshirën dhe Bujarinë e Tij.

Ndërsa Murxhitë i ka dominuar ana e shpresës, prandaj e neglizhuan anën e frikës.

Mu’tezilitë, Xhehmitë dhe të ngjashmit me ta, i ka dominuar ana e frikës, prandaj e neglizhuan anën e shpresës.

Ndërsa Pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit janë kundër kësaj dhe besojnë në këtë dhe atë: shpresojnë Mëshirën e Allahut, e veçojnë Atë në adhurim dhe nxitojnë drejt asaj që e kënaq Atë, bashkë me frikën ndaj Tij subhanehu.

Ata thonë: kush vdes me gjynahe, ndërkohë që është veçues i Allahut në adhurim, i sinqertë për hir të Allahut dhe besimtar, por vdes me një gjynah prej gjynaheve, të cilat nuk i bën të lejuara, si p.sh.: vdes në zina dhe i papenduar; vdes dhe ishte konsumues i alkoolit; vdes dhe ishte i pabindur ndaj prindërve të tij; vdes dhe hante paratë e marra nga kamata; etj prej gjynaheve, mirëpo nuk i bën të lejuara ato dhe e pranon që është gjynahqar, atëherë ky është në Dëshirën e Allahut, sipas Pasuesve të Sunnetit, nëse dëshiron Allahu, e fal atë dhe e fut -me Mëshirën dhe Bujarinë e Tij- në Xhennet; e nëse dëshiron, e dënon atë në varësi të gjynaheve në të cilat vdiq.

Pas pastrimit (nga gjynahet), Allahu xhel-le ue ala e nxjerr prej Zjarrit dhe e fut -me Mëshirën dhe Bujarinë e Tij- në Xhennet.

Dhe përjetësisht në Zjarr qëndrojnë vetëm mosbesimtarët, punët e të cilëve u bënë të pavlefshme për shkak të mosbesimit dhe devijimit tyre. Pikërisht këta do qëndrojnë përjetësisht në Zjarr. Ashtu siç ka thënë Allahu Subhanehu:

{إِنَّ ٱللهَ لَا یَغۡفِرُ أَن یُشۡرَكَ بِهِۦ وَیَغۡفِرُ مَا دُونَ ذَ ٰ⁠لِكَ لِمَن یَشَاۤءُۚ}

{Me të vërtetë, Allahu nuk e fal që të adhurohet dikush tjetër veç Tij, ndërsa, përveç këtij gjynahu, ia fal kujt të dëshirojë.} [en-Nisa: 48]

Përveç shirkut, mëkatet e tjera janë nën Dëshirën e Allahut dhe Ai ia fal kujt të dëshirojë prej robërve të Tij, për shkak të veprave të mira dhe devotshmërisë ndaj Allahut; ose për shkak të ndërmjetësimit të ndërmjetësuesve, siç është ndërmjetësimi i Pejgamberit ﷺ, i besimtarëve, i engjëjve dhe i atyre që vdesin të vegjël; apo thjesht me Mëshirën, Faljen dhe Mirësinë e Tij subhanehu ue te’ala, pra, pa ndërmjetësimin e askujt.

Ky është medh’hebi i Pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit. Ata janë Shokët e Pejgamberit ﷺ dhe Pasuesit e tyre që i pasuan ata (sahabët) me të mira: me besimin në Allahun, sinqeritetin për Të, qëndrueshmërinë në Fenë e Tij, dashurinë e madhe (ndaj Allahut), shpresën dhe frikën; në kundërshtim me Murxhitë dhe me ata që i ka dominuar frika, siç janë (khavarixhët), Mu’tezilitë dhe jo vetëm.

Ajo që bie detyrë mbi çdo besimtar dhe besimtare, është që të ecin në metodologjinë e selefëve të devotshëm: ta adhurojnë Allahun të Vetëm, me besim, me sinqeritet, me çiltërsi, me shpresë dhe frikë; të kryejnë detyrimet e Allahut, të ruhen nga ndalesat e Tij dhe të mos jenë të sigurtë prej Planit të Tij. Përkundrazi, duhet ta kenë frikë Allahun dhe të shpresojnë tek Ai. Ka thënë i Lartësuari:

{أَفَأَمِنُوا۟ مَكۡرَ ٱللَّهِۚ فَلَا یَأۡمَنُ مَكۡرَ ٱللهِ إِلَّا ٱلۡقَوۡمُ ٱلۡخَـٰسِرُونَ}

{A mos u siguruan ata prej Planit të Allahut?! Askush nuk është i sigurt prej Planit të Allahut, përveç popullit që është i humbur!} [el-E’araf: 99].

Ka thënë Pejgamberi ﷺ:

“Pasha Allahun! Nga të tërë ju, unë jam ai që i frikësohet më shumë Allahut! Unë jam më i devotshmi prej jush!”

E tha këtë -alejhis salātu ues selām- edhe pse atij i ishte falur çdo mëkat paraprirës apo i ardhshëm; edhe pse ai është zotëria e bijve të Ademit; edhe pse është më i miri njerëzve dhe më i përsosuri i tyre në besim. E megjithatë, ai e kishte frikë Allahun dhe shpresonte tek Ai; madje thoshte:

“Nga të tërë njerëzit, unë jam ai që i frikësohet më shumë Allahut!”

Gjithashtu ka thënë alejhis salātu ues selām:

“Pasha Allahun! Unë, nga të tërë ju, jam ai që i frikësohet më shumë Allahut: unë jam më i devotshmi prej jush!”

Për këtë arsye, selefët thoshin: kush e njeh më mirë Allahun, e ka më shumë frikë Atë: sa më shumë t’i shtohet robit dija për Allahun, pra, për Emrat dhe Cilësitë e Tij, aq më shumë i shtohet frika, madhërimi dhe shpresa ndaj Tij; gjithashtu, i shtohet qëndrueshmëria në të vërtetën dhe ruajtja nga ato që e kundërshtojnë atë.

https://binbaz.org.sa/fatwas/11991/%D9%85%D8%B0%D9%87%D8%A8-%D8%A7%D9%87%D9%84-%D8%A7%D9%84%D8%B3%D9%86%D8%A9-%D9%81%D9%8A-%D8%A7%D9%84%D8%B1%D8%AC%D8%A7%D8%A1-%D9%88%D8%A7%D9%84%D8%AE%D9%88%D9%81

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: