![]()
Gjithë lavd-falënderimet i takojnë Allahut, të Vetëm. Lavdet dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhammedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
E më pas:
Allahu nuk i krijoi njerëzit dhe xhinnët kot, pa qëllim, përkundrazi, i krijoi për një qëllim madhështor: të adhurojnë veç Atë, të Lartësuarin. Allahu i Madhëruar thotë:
{وَمَا خَلَقۡتُ ٱلۡجِنَّ وَٱلۡإِنسَ إِلَّا لِیَعۡبُدُونِ}
{Unë i kam krijuar xhinnët dhe njerëzit që të më adhurojnë të Vetëm.}
[Edh-Dharijat: 56]
Ky adhurim nuk pranohet nga Allahu i Lartësuar veçse me Teuhid (me veçimin e Tij në adhurim). Atij që bie në shirk të madh (i bën Allahut ortak në adhurim), i asgjësohet adhurimi dhe të gjitha veprat e tij.
Allahu i Madhëruar thotë:
{ذَ ٰلِكَ هُدَى ٱللهِ یَهۡدِی بِهِۦ مَن یَشَاۤءُ مِنۡ عِبَادِهِۦۚ وَلَوۡ أَشۡرَكُوا۟ لَحَبِطَ عَنۡهُم مَّا كَانُوا۟ یَعۡمَلُونَ}
{Ky është Udhëzimi i Allahut, me të cilin udhëzon kë të dojë nga robërit e Tij. Por sikur ata t’i bënin shirk Allahut, do t’u asgjësoheshin veprat.}
[El-En‘am: 88]
Po ashtu Ai thotë:
{وَلَقَدۡ أُوحِیَ إِلَیۡكَ وَإِلَى ٱلَّذِینَ مِن قَبۡلِكَ لَىِٕنۡ أَشۡرَكۡتَ لَیَحۡبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ ٱلۡخَـٰسِرِینَ}
{Të është shpallur ty (o Muhamed ﷺ) dhe atyre para teje: Nëse i bën shirk Allahut, me siguri do të të asgjësohet vepra dhe do të jesh nga të humburit!}
[Ez-Zumer: 65]
▪︎ Domethënia e TEUHIDIT:
Të veçohet Allahu i Lartësuar, në ato çka i përkasin vetëm Atij: veçim në rububijeh, veçim në uluhijeh dhe veçim në Emrat e Cilësitë e Tij.
▪︎ Llojet e Teuhidit:
Teuhidi ndahet në tri lloje:
- Teuhidi i Rububijes:
Domethënia e tij:
Veçimi i Allahut të Lartësuar në veprat e Tij, si: krijimi, furnizimi, dhënia e jetës dhe marrja e saj.
Shembuj të kësaj: të besosh se nuk ka krijues përveç Allahut, të Vetmit; të besosh se nuk ka furnizues përveç Allahut, të Vetmit; të besosh se askush përveç Allahut, të Vetmit, nuk e jep jetën dhe nuk e merr atë.
Allahu i Madhëruar thotë:
{قُلۡ مَن یَرۡزُقُكُم مِّنَ ٱلسَّمَاۤءِ وَٱلۡأَرۡضِ أَمَّن یَمۡلِكُ ٱلسَّمۡعَ وَٱلۡأَبۡصَـٰرَ وَمَن یُخۡرِجُ ٱلۡحَیَّ مِنَ ٱلۡمَیِّتِ وَیُخۡرِجُ ٱلۡمَیِّتَ مِنَ ٱلۡحَیِّ وَمَن یُدَبِّرُ ٱلۡأَمۡرَۚ فَسَیَقُولُونَ الله فَقُلۡ أَفَلَا تَتَّقُونَ}
{Thuaj (o Muhamed ﷺ): Kush ju furnizon nga qielli dhe toka? Kush e zotëron dëgjimin dhe shikimin? Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe e nxjerr të vdekurin nga i gjalli? Dhe kush e rregullon çdo çështje? Ata do të thonë: Allahu. Thuaj: A nuk po frikësoheni pra?!}
[Junus: 31]
Dhe Ai thotë:
{یَـٰۤأَیُّهَا ٱلنَّاسُ ٱذۡكُرُوا۟ نِعۡمَتَ اللهِ عَلَیۡكُمۡۚ هَلۡ مِنۡ خَـٰلِقٍ غَیۡرُ اللهِ یَرۡزُقُكُم مِّنَ ٱلسَّمَاۤءِ وَٱلۡأَرۡضِۚ لَاۤ إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَۖ فَأَنَّىٰ تُؤۡفَكُونَ}
{O njerëz! Kujtoni Mirësinë e Allahut ndaj jush! A ka krijues tjetër përveç Allahut që t’ju furnizojë nga qielli dhe toka?! Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij! Si po largoheni pra (nga e vërteta)?!}
[Fatir: 3]
- Teuhidi i Emrave dhe Cilësive
Domethënia e tij:
Veçimi i Allahut në lidhje me ato Emra dhe Cilësi me të cilat Ai e ka quajtur dhe përshkruar Veten në Librin e Tij, ose me të cilat e ka përshkruar i Dërguari i Tij ﷺ.
Kjo bëhet duke pohuar atë që Allahu ka pohuar për Veten dhe duke mohuar atë që Ai e ka mohuar; e gjithë kjo pa shtrembërim, pa mohim, pa pyetur për mënyrën dhe pa e krahasuar me krijesat.
Nga shembujt e këtij lloji është Lartësia e Allahut mbi krijesat e Tij. Muslimani duhet të besojë se Allahu është i Lartësuar mbi të gjitha krijesat e Tij.
Allahu i Madhëruar thotë:
{وَهُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ}
{Ai është më i Larti, Madhështori.}
[Esh-Shura: 4]
Ibnu Battah El-Ukberi رحمه الله ka thënë:
“Muslimanët prej sahabëve dhe tabi‘inëve dhe të gjithë dijetarët e besimtarëve janë dakordësuar që Allahu Tebareke ueTe’ala është mbi Arshin e Tij, mbi qiejt e Tij, i Ndarë nga krijesat e Tij. Ndërsa Dija e Tij i përfshin të gjitha krijesat e Tij.”
- Teuhidi i Uluhijes:
Domethënia e tij:
Veçimi në adhurim i Allahut të Lartësuar dhe të Madhëruar.
Nga shembujt e këtij lloji: muslimani mos t’i lutet askujt veç Allahut, të Vetmit; të mos therë kurban veçse për Allahun, të Vetmin; të mos bëjë zotim (nedhr) veçse për Allahun, të Vetmin.
Allahu i Madhëruar thotë:
{وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعۡبُدُوۤا۟ إِلَّاۤ إِیَّاهُ}
{Zoti yt (o Muhamed ﷺ) ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij.}
[El-Isra: 23]
▪︎ Rëndësia dhe vlerat e Teuhidit
Teuhidi ka rëndësi shumë të madhe në Islam. Njeriu nuk bëhet musliman përveçse me Teuhid.
Nga Ebu Hurejra رضي الله عنه transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Jam urdhëruar të luftoj njerëzit derisa të thonë: La ilahe il-la Allah. Kur ta thonë këtë, ata kanë të mbrojtur nga unë gjakun dhe pasurinë, përveçse me të drejtën e saj (merret prej pasurisë së tyre pjesa që Allahu e ka bërë detyrim, që është Zekati). Ndërsa llogaria e tyre është tek Allahu.»
(Transmetuar nga Buhariu (2936) dhe Muslimi (20))
Allahu i ka dhënë shumë vlera Teuhidit, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Prej tyre përmendim;
- Teuhidi është shkak për siguri dhe udhëzim;
Allahu i Madhëruar thotë:
{{ ٱلَّذِینَ ءَامَنُوا۟ وَلَمۡ یَلۡبِسُوۤا۟ إِیمَـٰنَهُم بِظُلۡمٍ أُو۟لَـٰۤىِٕكَ لَهُمُ ٱلۡأَمۡنُ وَهُم مُّهۡتَدُونَ }
[El-Enʿām: 82]
{Ata që besojnë dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me padrejtësi (shirk), kanë siguri dhe janë të udhëzuar.}
[El-En‘am: 82]
- Teuhidi është shkak për faljen e mëkateve;
Nga Enesi رضي الله عنه transmetohet se ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:
«Allahu i Madhëruar ka thënë (kuptimi shqip i hadithit kudsij):
{O biri i Ademit! Nëse ti do të vije tek Unë me mëkate aq së të mbushnin tokën dhe pastaj do të më takoje pa më bërë shirk (ortak) asgjë, Unë do të të vij me Falje po aq të madhe!}»
[Transmeton Tirmidhiu (3540), e ka saktësuar el-Albani në “Sahih sunnn et-Tirmidhi dhe origjina e tij është te Muslimi (2697)].
- Teuhidi është shkak për hyrjen në Xhennet;
Nga Ubadeh ibnus Samit رضي الله عنه transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Atë që dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm e të Paortakë; dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij; dhe se Isa është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, fjala e Tij (“كن” – “Bëhu!”; dhe ai u bë) që ia hodhi Merjemes dhe shpirt (i krijuar) prej Tij; dhe se Xhenneti është i vërtetë dhe Zjarri është i vërtetë, Allahu do ta fusë në Xhennet, sipas veprave që ka pasur.»
[Buhariu (3435), artikulimi është i tij dhe Muslimi (28)]
- Teuhidi është shkak për shpëtimin nga Zjarri;
Nga Itban ibnu Malik رضي الله عنه transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë:
«Allahu ia ka bërë haram Zjarrit atë që thotë: ” La ilahe il-la Allah”, duke kërkuar me këtë Fytyrën e Allahut.»
[Buhariu (425), artikulimi është i tij dhe ai një pjesë e një hadithi të gjatë dhe Muslimi (33)]
Kuptimi i “La ilahe il-la Allah”: nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
Allahu i Madhëruar thotë:
{ ذَ ٰلِكَ بِأَنَّ اللهَ هُوَ ٱلۡحَقُّ وَأَنَّ مَا یَدۡعُونَ مِن دُونِهِۦ هُوَ ٱلۡبَـٰطِلُ وَأَنَّ اللهَ هُوَ ٱلۡعَلِیُّ ٱلۡكَبِیرُ }
{Kjo sepse Allahu është e Vërteta (i Vetmi që meriton të adhurohet), ndërsa ajo që ata adhurojnë përveç Tij është e pavërteta, dhe Allahu është i Larti, i Madhi.}
[El-Haxh: 62]
Qëllimi është që njeriu të thotë: “La ilahe il-la Allah” duke e ditur kuptimin e saj, duke vepruar sipas saj, si në brendësi ashtu edhe në pamje të jashtme.
Ndërsa vetëm shqiptimi i saj pa ia ditur kuptimin dhe pa vepruar sipas saj, nuk sjell dobi; dhe kjo sipas konsensusit të dijetarëve.
Shih: Tejsir el-Aziz el-Hamid (fq. 51).
I thanë Uehb ibnu Munebbihut:
“A nuk është fjala “La ilahe il-la Allah” çelësi i Xhennetit?”
Ai tha:
“Po, por çdo çelës ka dhëmbë. Nëse vjen me një çelës që ka dhëmbë, do të të hapet; nëse jo, nuk do të të hapet.”
Me dhëmbët e çelësit këtu nënkuptohen veprat e mira.
Allahu i Madhëruar thotë:
{فَمَن كَانَ یَرۡجُوا۟ لِقَاۤءَ رَبِّهِۦ فَلۡیَعۡمَلۡ عَمَلࣰا صَـٰلِحࣰا وَلَا یُشۡرِكۡ بِعِبَادَةِ رَبِّهِۦۤ أَحَدَۢا}
{Kush shpreson takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe të mos bëjë askënd ortak në adhurimin ndaj Zotit të tij.}
[El-Kehf: 110]
- Teuhidi është shkak për forcën dhe fuqizimin e muslimanëve në tokë dhe mbrojtjen nga armiqtë e tyre,
Allahu i Madhëruar thotë:
{وَعَدَ ٱللهُ ٱلَّذِینَ ءَامَنُوا۟ مِنكُمۡ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ لَیَسۡتَخۡلِفَنَّهُمۡ فِی ٱلۡأَرۡضِ كَمَا ٱسۡتَخۡلَفَ ٱلَّذِینَ مِن قَبۡلِهِمۡ وَلَیُمَكِّنَنَّ لَهُمۡ دِینَهُمُ ٱلَّذِی ٱرۡتَضَىٰ لَهُمۡ وَلَیُبَدِّلَنَّهُم مِّنۢ بَعۡدِ خَوۡفِهِمۡ أَمۡنࣰاۚ یَعۡبُدُونَنِی لَا یُشۡرِكُونَ بِی شَیۡـࣰٔاۚ وَمَن كَفَرَ بَعۡدَ ذَ ٰلِكَ فَأُو۟لَـٰۤئكَ هُمُ ٱلۡفَـٰسِقُونَ}
{Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se do t’i bëjë zëvendësues në tokë, ashtu siç i bëri ata para tyre; do t’ua forcojë fenë e tyre, të cilën Ai e ka pëlqyer (përzgjedhur si të saktë) për ta dhe do t’ua ndërrojë frikën me siguri. (Me kushtin që) Ata të më adhurojnë të Vetëm, pa më bërë ortak. E kush mohon pas kësaj, ata janë të prishurit.}
[En-Nur: 55]
Imam Buhariu ka thënë në Sahihun e tij:
“Kapitull: Vepra e mirë para luftës.”
Dhe Ebu Derdaja رضي الله عنه ka thënë:
“Ju luftoni vetëm me veprat tuaja.”
Vepra më e madhe dhe më e vlefshme është Teuhidi.
Nga Ebu Hurejra رضي الله عنه transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Imani përbëhet nga më shumë se shtatëdhjetë degë (ose më shumë se gjashtëdhjetë degë).
Më e mira prej tyre është fjala “La ilahe il-la Allah”, ndërsa më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi (el-haja) është një degë e imanit.»
[Transmetuar nga Buhariu (9) dhe Muslimi (35), (58)]
Ne i kërkojmë Allahut që të na bëjë të jetojmë në bazë të Teuhidit dhe Sunnetit (Sunneti-Tradita Profetike: fjalët, veprat dhe miratimet fetare të Profetit alejhis salatu uesselam,ﷺ) të na bëjë të vdesim me to, të na përmirësojë zemrat dhe veprat tona dhe të na mbrojë nga sprovat që devijojnë njerëzit!
Dhe Allahu e di më së miri.
Lavdet dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
دروس شهر رمضان وعشر ذي الحجة، إعداد المكتب العلمي لمعالي وزير الشؤون الإسلامية والدعوة والإرشاد عبد اللطيف آل الشيخ
Përktheu: Abdur-Rahman Mema