Nga dijetari i madh, muhadithi, juristi, shejkh Abdul-Aziz ibnu Baz rahimehullah:
“La ilahe il-lAllah” (S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) është fjala më e vlefshme pas Kur’anit. Ajo është fjala më e dashur për Allahun, dhe fjala më e mirë. Është fjala e sinqeritetit (el-ikhlâs-it).
Ajo është gjëja e parë tek e cila ftuan të gjithë të Dërguarit –alejhimus salatu ues selam– dhe gjëja e parë tek e cila ftoi Profeti ﷺ, kur i tha popullit të tij:
«Thoni: “La ilahe il-lAllah” që të shpëtoni.»
Ajo është fjala e sinqeritetit dhe e Teuhidit.
Kuptimi i saj është: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.”
Ashtu siç thotë i Lartësuari:
ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱللهَ هُوَ ٱلۡحَقُّ وَأَنَّ مَا يَدۡعُونَ مِن دُونِهِۦ هُوَ ٱلۡبَٰطِلُ
{Kjo është sepse Allahu është i Vërteti, dhe se ajo që ata adhurojnë përveç Tij është e kotë.}
[El-Haxh: 62]
Kjo fjalë përbëhet nga mohimi dhe pohimi:
“La ilahe” – mohon të gjithë të adhuruarit e tjerë, pra, ata që adhurohen pa të drejtë.
“Il-lAllah” – pohon adhurimin -me të drejtë (me hak)- për Allahun, të Vetëm.
Fjala “La ilahe il-lAllah” është themeli i fesë dhe baza e besimit. Është detyrë për ata që kanë arritur moshën e pubertetit -xhindë apo njerëz; burra apo gra- ta thonë këtë fjalë, me besim të plotë në kuptimin e saj, bindje në zemër dhe sinqeritet në adhurimin e Allahut, të Vetëm. Ajo ka tetë kushte, të cilat disa i kanë përmbledhur në dy vargje:
“Dija, bindja, sinqeriteti dhe vërtetësia, bashkë me dashurinë, nënshtrimin dhe pranimin.
Shto edhe të tetin: mohimi nga ana jote i gjithçkaje që veç Zotit ia kushtojnë adhurimin.”
Nëse i di këto, el-hamdulil-lah. E nëse jo, mjafton kuptimi i tyre. Nëse nuk i di këto kushte ama mëson kuptimin e tyre, e ke adhuruar Allahun me të drejtë. Ia ke përkushtuar adhurimin vetëm Atij. Je larguar nga adhurimi i të tjerëve veç Tij. Dhe qëndron i palëkundur në fenë e Allahut. E gjithë kjo mjafton, edhe nëse nuk i njeh kushtet. Sa u takon kushteve, domethënia e tyre është e qartë:
● Dija: Të njohësh kuptimin e saj (fjalës “La ilahe il-lAllah”), i cili është: nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
● Bindja e palëkundur: Të jesh plotësisht i sigurt në këtë, jo me dyshim, por me bindjen që nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
● Sinqeriteti: medoemos duhet sinqeriteti në adhurimin e Allahun, të Vetëm: faljet, agjërimet, sadakatë, të gjitha duhet të jenë vetëm për Allahun.
● Bashkë me dashurinë: duhet patjetër që dashuria të jetë për Allahun. Duhet ta duash Atë me një dashuri të vërtetë. Dhe ta duash Profetin e Tij ﷺ.
● Vërtetësia (es-sidk): duhet të jesh i vërtetë në këtë, ndryshe nga hipokritët, të cilët gënjejnë. Ti duhet të thuash me sinqeritet: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.”
● Nënshtrimi (el-inkijad): Të dorëzohesh ndaj asaj që përmban kjo fjalë sa i përket sinqeritetit në adhurimin e Allahut, të Vetëm; të zbatosh urdhrat që Allahu ka caktuar për ty dhe të largohesh nga ndalesat. Duke e bërë këtë me dashuri dhe nënshtrim të plotë.
● Pranimi: Të pranosh atë që ka ardhur në Fe dhe të mos e refuzosh. Të pranosh atë që ka ardhur në lidhje me adhurimin, me Teuhidin dhe sinqeritetin dhe të mos e refuzosh.
● Mohimi i domosdoshëm i të adhuruarve të tjerë: Ka thënë Allahu Subhanehu:
فَمَن يَكۡفُرۡ بِٱلطَّٰغُوتِ وَيُؤۡمِنۢ بِٱللهِ فَقَدِ ٱسۡتَمۡسَكَ بِٱلۡعُرۡوَةِ ٱلۡوُثۡقَىٰ
{Kush mohon tagutët dhe beson në Allah, është kapur për lidhjen më të fortë.}
[El-Bekareh: 256]
Kuptimi është që të distancohesh nga tagutët dhe të besosh në kotësinë e tyre. Të besosh se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. Të besosh se e tërë ajo që njerëzit adhurojnë përveç Allahut është e kotë. T’i mohosh dhe të distancohesh prej tyre.
Ky pra është kuptimi i tetë kushteve të fjalës “La ilahe il-lAllah”.
“Dija, bindja, sinqeriteti dhe vërtetësia, bashkë me dashurinë, nënshtrimin dhe pranimin.
Shto edhe të tetin: mohimi nga ana jote i gjithçkaje që veç Zotit ia kushtojnë adhurimin.”
Nëse nxënësi i dijes i njeh këto kushte, duhet t’i zbatojë. Ndërsa ai që nuk i njeh me hollësi, mjafton që ta kuptojë kuptimin e fjalës “La ilahe il-lAllah” dhe ta thotë atë me besim, me sinqeritet ndaj Allahut dhe me bindje. Dhe të jetë i vërtetë në atë që thotë, të distancohet nga adhurimi i çdokujt tjetër përveç Allahut dhe t’i nënshtrohet Sheriatit (ligjit islam). Kështu ai e ka arritur qëllimin. Së bashku me dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar dhe dashurinë për fenë e Tij.
📚 Nuru aled derb (1/33). Nën përkujdesjen e Muhammed ibnu Sa’d esh-Shuej’ir.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema