U përgjigj esh-shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- si vijon:
Është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se i vdekuri kur vdes, i kthehet shpirti në varrin e tij dhe pyetet se kush është Zoti i tij, cila është feja e tij dhe kush është i profeti i tij dhe Allahu i forcon me fjalë të qëndrueshme ata të cilët kanë besuar në këtë botë dhe në botën tjetër, besimtari do të thotë: Zoti im është Allahu, feja ime është Islami, profeti im është Muhamedi.
Ndërsa jobesimtari apo hipokriti do të thotë kur të pyetet: ha, ha nuk e di, i kam dëgjuar njerëzit të thoshin diçka dhe e thashë.
Ky kthim -kam për qëllim kthimin e shpirtit në trup në varr – nuk është si futja e shpirtit në trup në dunja, sepse është jetë e berzakhut, ne nuk e dimë natyrën e vërtetë të tij.
Të gjitha çështjet e gajbit për të cilat nuk jemi njoftuar është detyrë që të mos flasim për to, për shkak të Fjalës së Allahut:
{وَلا تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولَئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْؤُولاً}
{Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pasi të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, të gjitha këto do të pyeten} [el-Isra: 36]
📚 فتاوى نور على الدرب للعثيمين” (4/2)”
Ka thënë gjithashtu: bie detyrë mbi ne o vëllezër të themi për atë që na ka treguar Allahu prej çështjeve të gajbit: besuam dhe u bindëm dhe nuk bëjmë pyetje, sepse çështja është përtej nivelit të intelektit tonë, ky është rregull në çështjet e gajbit që kanë lidhje me Allahun -azze ue xhel’le- apo me krijesat e Tij….
Në çështjet e gajbit nuk mund qarkullojë kurrë fjala (përse) dhe as fjala: (si), sepse çështjet janë përtej intelektit tonë…., për këtë arsye kur e pyetën Profetin ﷺ për shpirtin, çfarë iu tha Allahu atyre? Iu tha: {thuaj: shpirti është çështje që e di vetëm Zoti im} është një çështje që nuk arrini dot ta perceptoni {dhe nuk ju është dhënë prej dijes vetëm se pak} [el-Isra: 85]
Subhan Allah! A i keni gjetur të gjitha shkencat dhe ju ka mbetur shkenca e shpirtit?! Shumica e shkencave ju kanë humbur dhe nuk ju është dhënë prej dijes vetëm se pak dhe kjo është një çudi! Shpirti yt është pjesë e jotja, ku nuk mund të jetosh dot pa të, nuk e di se çfarë është! Ne nuk dimë prej shpirtit përveç teksteve që kanë ardhur në Kur’an dhe Sunnet në lidhje me të, ose përdryshe nuk do të kishim dituri.
📚 لقاءات الباب المفتوح” اللقاء (169)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema