Loading

Ka thënë shejkh Ibnu Bazi -Allahu e mëshiroftë-:

Bismilahir Rahmanir Rahim.
Lavdërimi i takon Allahut, salati dhe selami i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që u udhëzuan me udhëzimin e tij! Më pas themi:

Me të vërtetë, Allahu e dërgoi profetin e Tij Muhamed ﷺ për të gjithë njerëzit, arabët dhe jo arabët, xhinnët dhe njerëzit, meshkujt dhe femrat, që t’i thërriste ata në veçimin e Allahut në adhurim dhe të jenë të sinqertë ndaj Tij dhe t’i thërriste që ta besonin atë -alejhis salatu ues selam- dhe atë me të cilën ai erdhi, të besonin të gjithë të dërguarit, të gjithë ëngjëjt, Librat e zbritur prej qiellit, Ditën e Fundit, ringjalljen, shpërblimin, llogarinë, Xhennetin dhe Zjarrin, kaderin (paracaktimin), i mirë apo i keq qoftë ai dhe se Allahu i paracaktoi gjërat, i di ato dhe i ka shënuar ato; çdo gjë që ndodh është me kadanë dhe kaderin e Allahut azze ue xhel-le.

Ai i urdhëroi njerëzit që të thonë: la ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut). Kjo është gjëja e parë për të cilën ka ftuar dhe kjo është shtylla e parë prej shtyllave të Islamit, pra dëshmia:

“la ilahe il-la Allah ue enne Muhameden resulu Allah” (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut).

Kur ai u tha njerëzve: thoni “la ilahe il-lAllah” dhe i urdhëroi ata që të besojnë se ai është i Dërguari i Allahut -alejhis salatu ues selām-, shumica e refuzuan dhe e mohuan këtë thirrje. Kurejshitët i thanë ashtu siç e ka përmendur Allahu për ta:

{ﺃَﺟَﻌَﻞَ اﻵْﻟِﻬَﺔَ ﺇِﻟَﻬًﺎ ﻭَاﺣِﺪًا ﺇِﻥَّ ﻫَﺬَا ﻟَﺸَﻲْءٌ ﻋُﺠَﺎﺏٌ}

{A i ka bërë (Muhamedi ﷺ) të adhuruarit një të Adhuruar të Vetëm?! Vërtet, kjo është një gjë shumë e çuditshme!}

Dhe ka thënë -Subhanehu- për ta:

{ﺇِﻧَّﻬُﻢْ ﻛَﺎﻧُﻮا ﺇِﺫَا ﻗِﻴﻞَ ﻟَﻬُﻢْ ﻻَ ﺇِﻟَﻪَ ﺇِﻻَّ اللهُ ﻳَﺴْﺘَﻜْﺒِﺮُﻭﻥَ}

{Vërtetë, kur u thuhej atyre “nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut”, tregoheshin mendjemëdhenj (nuk e pranonin atë)

{ﻭَﻳَﻘُﻮﻟُﻮﻥَ ﺃَﺋِﻨَّﺎ ﻟَﺘَﺎﺭِﻛُﻮ ﺁﻟِﻬَﺘِﻨَﺎ ﻟِﺸَﺎﻋِﺮٍ ﻣَﺠْﻨُﻮﻥٍ}

dhe thoshin: a t’i braktisim të adhuruarit tanë për një poet të çmendur?!}

E mohuan këtë thirrje sepse ata jetuan duke adhuruar idhujt, duke marrë të adhuruar të tjerë në vend të Allahut azze ue xhel-le. Për këtë arsye e mohuan thirrjen e Profetit alejhis salatu ues selām për veçimin e Allahut në adhurim dhe sinqeritetin ndaj Tij.

Kjo në të cilën ftoi ai ﷺ është ajo në të cilën ftuan të gjithë të dërguarit, ashtu siç ka thënë -Subhanehu-:

{ﻭَﻟَﻘَﺪْ ﺑَﻌَﺜْﻨَﺎ ﻓِﻲ ﻛُﻞِّ ﺃُﻣَّﺔٍ ﺭَﺳُﻮﻻً ﺃَﻥِ اُﻋْﺒُﺪُﻭا اللهَ ﻭَاﺟْﺘَﻨِﺒُﻮا اﻟﻄَّﺎﻏُﻮﺕَ}

{Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar që t’u thonin “Adhuroni Allahun dhe shmangni tagutin (çdo gjë që adhurohet në vend të Allahut)!”

Dhe ka thënë Subhanehu-:

ﻭَﻣَﺎ ﺃَﺭْﺳَﻠْﻨَﺎ ﻣِﻦْ ﻗَﺒْﻠِﻚَ ﻣِﻦْ ﺭَﺳُﻮﻝٍ ﺇِﻻَّ ﻧُﻮﺣِﻲ ﺇِﻟَﻴْﻪِ ﺃَﻧَّﻪُ ﻻَ ﺇِﻟَﻪَ ﺇِﻻَّ ﺃَﻧَﺎ ﻓَﺎﻋْﺒُﺪُﻭﻥِ

{Dhe Ne nuk kemi dërguar përpara teje (o Muhamed ﷺ) ndonjë të dërguar pa i shpallur se nuk ka të adhuruar me meritë përveç Meje, kështu që më adhuroni vetëm Mua!}.

Dhe në dy librat Sahih (të saktë) (Buhariu & Muslimi) transmetohet nga ibnu Umeri -Allahu i Kënaqur prej të dyve- se Profeti ﷺ ka thënë:

«Është ngritur Islami mbi pesë shtylla:

dëshminë: la ilahe il-lAllah ue enne Muhammeden Resulu Allah

faljen e namazit

dhënien e Zekatit

agjërimin e Ramazanit

Haxhin (ritualet e Haxhit) në Mekë.»

Gjithashtu në një hadith të saktë transmetohet nga Umer ibnul Khattab -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se erdhi te Profeti ﷺ një pyetës në pamjen e një burri me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zeza. Nuk dukeshin tek ai shenja të udhëtimit dhe askush nga të pranishmit nuk e njihte.

I cili tha: o Muhamed! Më trego rreth Islamit?

Tha: Islami është:

  • Të dëshmosh se nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut, se Muhamedi është i Dërguari i Allahut,
  • të falësh namazin,
  • të japësh Zekatin,
  • të agjërosh Ramazanin
  • dhe të bësh Haxhin në Mekë, nëse i ke mundësitë për të përballuar udhëtimin.

Tha: the të vërtetën.

Sahabët thanë: u habitëm me të (sepse ai) edhe pyeste, edhe thoshte “the të vërtetën”.

Më pas tha: më trego për besimin?

Tha: besimi është:

  • të besosh Allahun,
  • ëngjëjt e Tij,
  • Librat e Tij,
  • të dërguarit e Tij,
  • Ditën e Fundit
  • dhe të besosh në Kader (paracaktimin), i mirë apo i keq qoftë ai.


Tha: the të vërtetën.

Tha: më trego për ihsanin?

Tha: Të adhurosh Allahun sikur e sheh; edhe pse nuk e sheh, Ai të sheh ty.” Ky ishte hadithi.

Më pas ai ﷺ u tregoi atyre se ai ishte Xhibraili, i cili kishte ardhur për t’u mësuar fenë e tyre, kur ata nuk pyetën (rreth Islamit). U erdhi atyre Xhebraili me urdhrin e Allahut për t’ua mësuar fenë e tyre madhështore, me qëllim që ta mësonin dhe të përfitonin.

Pra, feja Islame është e ngritur mbi këto pesë shtylla të dukshme.

e para e tyre: dëshmia “la ilahe il-lAllah ue enne Muhameden resulu Allah”.

E dyta: falje e pesë namazeve

E treta: dhënia e Zekatit

E katërta: agjërimi i Ramazanit

E pesta: Haxhi në shtëpinë e shenjtë të Allahut (në Kabe)

Dhe mbi shtylla besimi të fshehura në zemër, të cilat janë:

  • Besimi në Allah
  • në ëngjëjt e Tij
  • në Librat e Tij
  • në të Dërguarit e Tij
  • në Ditën e Fundit
  • dhe në Kader (paracaktimin), i mirë apo i keq qoftë ai.

Besimtari që ka arritur pubertetin duhet të besojë në këto gjashtë baza të fshehura që kanë lidhje me zemrën.

Ai duhet të besojë se Allahu është Zoti i tij dhe i Adhuruari i tij.

Ai duhet të besojë në ëngjëjt e Allahut,
në Librat e Allahut të cilët ua zbriti profetëve, siç është Teurati, Inxhili, Zeburi dhe Kur’ani (shto dhe suhufet).

Duhet të besojë në të dërguarit e Tij, të cilët Allahu i dërgoi te robërit e Tij. I pari i tyre ishte Nuhu dhe i fundit i tyre ishte Muhamedi -alejhis salatu ues selam-.
Ata janë shumë. Allahu i ka përmendur disa prej tyre në Kur’anin Fisnik.

Duhet të besojë në Ditën e Fundit, në ringjalljen pas vdekjes dhe shpërblimin prej Allahut. Për besimtarët do të ketë lumturi, ndërsa për jobesimtarët do ketë dështim, keqardhje dhe Zjarr.

Dhe duhet të besojë në paracaktimin (Kaderin), i mirë apo i keq qoftë ai dhe se Allahu i paracaktoi gjërat, i dinte ato, i shkroi dhe i regjistroi ato. Ajo që Allahu dëshiron, ekziston dhe ajo që nuk dëshiron, nuk ekziston. Çdo gjë që ndodh në ekzistencë prej të mirës dhe të keqes, bindjes dhe gjynahut, Allahu e ka ditur më parë, e shkroi dhe e paracaktoi.

Baza e parë madhështore për të cilën thirrën të dërguarit është: besimi se Allahu është i Adhuruari i Vërtetë. Dhe ky është kuptimi i dëshmisë: “la ilahe il-lAllah”. Për këtë bazë kryesore janë pajtuar të dërguarit -alejhimus salatu ues selām- dhe të gjithë thirrën te kjo bazë kryesore e cila është që njerëzit të besojnë se Allahu është i Adhuruari i Vërtetë dhe se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Tij. Ky është kuptimi i “la ilahe il-lAllah”, d.m.th. nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.

Ajo që adhurojnë njerëzit prej statujave, pemëve, gurëve, profetëve, eulijave apo ëngjëjve, e gjitha është e kotë! Adhurimi i vërtetë i takon Allahut të Vetëm:

{ﻭَﺇِﻟَﻬُﻜُﻢْ ﺇِﻟَﻪٌ ﻭَاﺣِﺪٌ ﻻَ ﺇِﻟَﻪَ ﺇِﻻَّ ﻫُﻮَ اﻟﺮَّﺣْﻤَﻦُ اﻟﺮَّﺣِﻴﻢُ}

{I Adhuruari juaj është vetëm Një i Adhuruar! Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.}

{ﻭَﻗَﻀَﻰ ﺭَﺑُّﻚَ ﺃَﻻَّ ﺗَﻌْﺒُﺪُﻭا ﺇِﻻَّ ﺇِﻳَّﺎﻩُ}

{Zoti yt (o Muhamed ﷺ) ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij}

{ﺇِﻳَّﺎﻙَ ﻧَﻌْﺒُﺪُ ﻭَﺇِﻳَّﺎﻙَ ﻧَﺴْﺘَﻌِﻴﻦُ}

{Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë}

{ﻭَﻣَﺎ ﺃُﻣِﺮُﻭا ﺇِﻻَّ ﻟِﻴَﻌْﺒُﺪُﻭا اللهَ ﻣُﺨْﻠِﺼِﻴﻦَ ﻟَﻪُ اﻟﺪِّﻳﻦَ ﺣُﻨَﻔَﺎءَ}

{Dhe ata nuk qenë urdhëruar vetëm se të adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe të mos adhurojnë të tjerë përveç Tij}

Bashkë me këtë bazë duhet patjetër besimi te Profeti -alejhis selatu ues selām-.

Në kohën e Nuhut, duhej besimi te Nuhu bashkë me veçimin e Allahut në adhurim.

Në kohën e Hudit, besimi te Hudi bashkë me veçimin e Allahut në adhurim.

Në kohën e Salihut, besimi te Salihu bashkë me veçimin e Allahut në adhurim, e kështu me rradhë…

Në kohën e çdo të dërguari duhet patjetër veçimi i Allahut në adhurim, pra besimi se nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut dhe duhet medoemos besimi tek i dërguari specifik që e përcolli mesazhin në kohën e tij, nga i pari deri tek i fundit i tyre: Isai -alejhis salatu ues selam-, profeti i fundit i benij israilëve, i biri i Merjemes.

Më pas, Allahu dërgoi vulën e tyre dhe më të mirin e tyre, profetin tonë Muhamed ﷺ. Isa është profeti i fundit i benij israilëve, kurse Muhamedi është profeti i fundit dhe vula e të gjithë profetëve. Nuk ka pas tij as nebij dhe as resul. Ai është më i miri i të dërguarve, ai është imami dhe vula e tyre. Umeti i Muhamedit ﷺ, si xhinnët dhe njerëzit, si arabët dhe joarabët, si meshkujt dhe femrat, si të pasurit dhe të varfërit, si shtetarët dhe shtetasit, duhet ta besojnë këtë profet! Ai që nuk e beson atë, nuk ka as Islam dhe as fe. Duhet patjetër besimi se Allahu është i Adhuruari i vërtetë dhe se nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij.

Duhet medoemos besimi te Muhamedi ﷺ dhe se ai me vërtetë është i Dërguari i Allahut te të gjithë njerëzit. Ai që nuk beson te këto dy dëshmi, nuk është musliman!
Duhet medoemos besimi në këto dy dëshmi dhe besimi në kuptimet e tyre. Dhe kuptimi i “la ilahe il-la Allah” është: nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut.

Nuk lejohet që njeriu të adhurojë krahas Allahut, as ëngjëll, as profet, as pemë, as gurë, as xhin, as statujë. Nëse thotë “o resulAllah, më ndihmo!” pas vdekjes së tij ﷺ, apo thotë “o Bedeuij, o zotëria im Bedeuj, më ndihmo! Shëroje sëmundjen time!” ose thotë “o zotëria im Husejn!”, ose “o zotëria im Abdul-Kādir!” ose “ndihmë, ndihmë!” atëherë kjo është shirk ndaj Allahut -azze ue xhel’le- dhe e prish kuptimin e fjalës“la ilahe il-lAllah”, sepse ti nuk ke ardhur me adhurimin e Allahut të Vetëm, por i shoqërove Atij të tjerë në adhurim dhe i je lutur të tjerëve krahas Allahut. Allahu thotë:

{ﻭَﺃَﻥَّ اﻟْﻤَﺴَﺎﺟِﺪَ ﻟِﻠَّﻪِ ﻓَﻼَ ﺗَﺪْﻋُﻮا ﻣَﻊَ اللهِ ﺃَﺣَﺪًا}

{Dhe xhamitë janë për Allahun, ndaj mos lusni askënd krahas Allahut}

Dhe thotë – Subhānehu-:

ﻭَﻻَ ﺗَﺪْﻉُ ﻣِﻦْ ﺩُﻭﻥِ اللهِ ﻣَﺎ ﻻَ ﻳَﻨْﻔَﻌُﻚَ ﻭَﻻَ ﻳَﻀُﺮُّﻙَ ﻓَﺈِﻥْ ﻓَﻌَﻠْﺖَ ﻓَﺈِﻧَّﻚَ ﺇِﺫًا ﻣِﻦَ اﻟﻈَّﺎﻟِﻤِﻴﻦَ

{Dhe mos lut (o Muhamed ﷺ) në vend të Allahut atë që nuk të bën dobi dhe as dëm. Nëse ti e bën, atëherë ti je prej zullumqarëve}

Dhe thotë -Subhanehu- :

{ﻭَﻣَﺎ ﺃُﻣِﺮُﻭا ﺇِﻻَّ ﻟِﻴَﻌْﺒُﺪُﻭا اللهَ ﻣُﺨْﻠِﺼِﻴﻦَ ﻟَﻪُ اﻟﺪِّﻳﻦَ ﺣُﻨَﻔَﺎءَ}

{Dhe ata nuk qenë urdhëruar vetëm se të adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe të mos adhurojnë të tjerë përveç Tij}

Dhe Ai -xhel-le ue ala- thotë:

{ﻭَﻗَﻀَﻰ ﺭَﺑُّﻚَ ﺃَﻻَّ ﺗَﻌْﺒُﺪُﻭا ﺇِﻻَّ ﺇِﻳَّﺎﻩُ}

{Zoti yt (o Muhamed ﷺ ) ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij}

{ﺇِﻳَّﺎﻙَ ﻧَﻌْﺒُﺪُ ﻭَﺇِﻳَّﺎﻙَ ﻧَﺴْﺘَﻌِﻴﻦُ}

{Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë}

Dhe Profeti ﷺ ka thënë: “Lutja është vetë adhurimi”

Ai -azze ue xhel-le- thotë:

{ﻭَﻗَﺎﻝَ ﺭَﺑُّﻜُﻢُ اﺩْﻋُﻮﻧِﻲ ﺃَﺳْﺘَﺠِﺐْ ﻟَﻜُﻢْ}

{Zoti juaj ta thënë: lutmuni (vetëm) Mua që t’ju përgjigjem}.

Duhet medoemos që adhurimi të jetë me sinqeritet për Allahun të Vetëm dhe prej adhurimit është edhe lutja. Nëse i thua të vdekurit apo pemës apo statujës “më ndihmo! shëroje sëmundjen time! Ndihmë, ndihmë!”, kjo kthehet në shirk ndaj Allahut dhe në anulues të fjalës “la ilahe il-lAllah”.

Po kështu, kush përgënjeshtron të dërguarin Muhamed ﷺ apo dyshon në mesazhin e tij, apo thotë “ai është dërguar për arabët dhe jo për joarabët”, apo thotë “nuk është vula e profetëve, por ka profet pas tij”, e gjithë kjo është mosbesim dhe devijim dhe anulues i Islamit. Lusim Allahun për mirëqenie!

Duhet medoemos besimi se ai është vërtet i Dërguari i Allahut për të dy llojet, pra xhinnët dhe njerëzit, si dhe besimi se ai është vula e profetëve dhe të dërguarve. Nuk do ketë profet pas tij. Ai që pretendon pas tij profetësinë, siç ishte Musejlemeh gënjeshtari, është mosbesimtar në Allah dhe gënjeshtar, siç ishin psh Musejlemeh, el-Esued el-Ánsijju në Jemen, Sixhah et-Temimijeh, Tulejhah el-Esedij dhe një grup që pretenduan profetësinë pas tij.

Sahabët -Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre- janë pajtuar për mosbesimin dhe luftimin e tyre, sepse ata e përgënjeshtruan kuptimin e Fjalës së Tij -Subhanehu-:

{ﻣَﺎ ﻛَﺎﻥَ ﻣُﺤَﻤَّﺪٌ ﺃَﺑَﺎ ﺃَﺣَﺪٍ ﻣِﻦْ ﺭِﺟَﺎﻟِﻜُﻢْ ﻭَﻟَﻜِﻦْ ﺭَﺳُﻮﻝَ اللهِ ﻭَﺧَﺎﺗَﻢَ اﻟﻨَّﺒِﻴِّﻴﻦَ}

{Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, porse i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve}

Janë përcjellë nga i Dërguari i Allahut hadithe -të cilat arrijnë gradën e haditheve muteuatir- ku ai ﷺ ka thënë:

«Unë jam vula e profetëve. Nuk do të ketë profet pas meje!»

Dëshmia “la ilahe il-lAllah Muhammeden resulu Allah” është baza kryesore. Ajo është shtylla e parë prej shtyllave të Islamit. Nuk ka Islam vetëm se me këto dy dëshmi. Nëse falet, agjëron, bën Haxhin, agjëron gjatë ditës dhe falet natën dhe e përmend shumë Allahun, mirëpo nuk beson se vetëm Allahu është Ai që meriton adhurimin, nuk beson kuptimin e fjalës” la ilahe il-lAllah”, madje mendon se nuk ka problem në adhurimin e idhujve, nuk sheh problem në adhurimin e Bedeuit, apo Husejnit, apo shejkh Abdul-Kadirit, apo Alij ibnu ebij Talibit, e të tjerëve veç tyre, atëherë ai që beson se kjo lejohet dhe i lutet të tjerëve krahas Allahut, kërkon ndihmë nga ata, zotohet për ta, ka arritur në shirk ndaj Allahut! Fjala dhe besimi i tij janë anulues të fjalës “la ilahe il-lAllah”.

Po ashtu, nëse thotë: Muhamedi ﷺ nuk është vula e profetëve, apo nuk është i dërguar te xhinnët dhe njerëzit, por është dërguar vetëm për arabët, atëherë ky është jobesimtar në Allahun -azze ue xhel-le-. Duhet medoemos të besojë se ai është i Dërguari i Allahut për të gjithë xhinnët dhe njerëzit. Duhet patjetër të besojë se ai është vula e profetëve dhe se nuk ka pas tij profet dhe as të dërguar. Kjo është baza kryesore.

Pas kësaj i kërkohet muslimanit të falë Namazin, të japë Zekatin, të agjërojë Ramazanin, të kryejë Haxhin dhe të kryejë gjithë pjesën e mbetur të urdhrave dhe të braktisë gjërat e ndaluara.

Pasi ta rrënjosë këtë në origjinë, pra pas besimit të tij në dëshminë: “la ilahe il-lAllah ue enne Muhameden resulu Allah”, d.m.th. besimin se Allahu -subhānehu- është i Adhuruari i Vetëm me të drejtë dhe se adhurimi i takon vetëm Atij dhe se ai nuk duhet të adhurojë bashkë me Të të tjerë përveç Tij, as profet, as ëngjëll, as pemë, as statujë dhe asgjë tjetër, (pas gjithë kësaj) duhet medoemos të besojmë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut bashkë me besimin tek të gjithë profetët e mëhershëm. Duhet të besojmë se ata e kryen dhe e përcollën mesazhin -alejhimus selatu ues selām- bashkë me besimin në të gjithë atë që parapriu (më lart) prej besimit në Allah, ëngjëjt, librat, të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe në paracaktimin, i mirë apo i keq qoftë ai. Duhet besuar patjetër kjo dhe ajo. Gjithashtu, bashkë me gjithë këtë, duhet besuar në atë që na ka treguar Allahu dhe i Dërguari i Tij, në atë që ka ndodhur dhe atë që do të ndodhë.

Allahu thotë të vërtetën në atë që tregon dhe i Dërguari i Tij -alejhis salatu ues selam- thotë të vërtetën. Kush e përgënjeshtron Allahun apo të Dërguarin ﷺ, ka rënë në mosbesim, edhe nëse falet dhe agjëron. Lusim Allahun që t’i udhëzojë të gjithë!

فتاوى نور على الدرب” (١٠/١-١٨)” 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: