Ibnu Kudameh el-Makdesij, në librin e tij “Të penduarit”, ka përmendur nga Abdul Uahid bin Zejd se ky ka thënë:
Ndërsa ishim në anije, era na shpuri në një ishull. Zbarkuam dhe aty gjetëm një njeri që po adhuronte një idhull. Iu afruam dhe i thamë:
O njeri, kë po adhuron?
Ai bëri me shenjë për tek idhulli.
I thamë: Me të vërtetë, me ne në anije është dikush që mund ta bëjë diçka si ky. Ky nuk është i Adhuruari që duhet të adhurohet…!
Tha: Po ju kë adhuroni?
I thamë: Allahun.
Tha: Po kush është Allahu?
I thamë: Është Ai i Cili Arshin e ka në qiell, Sundimin në Tokë dhe Caktimin te të gjallët dhe të vdekurit.
Tha: Si e morët vesh këtë gjë?
I thamë: Ky Sundues i Madh dhe Krijues i Nderuar na dërgoi një të dërguar të nderuar i cili na njoftoi për këto gjëra.
Tha: Çfarë pune bëri i Dërguari?
I thamë: Përcolli mesazhin dhe pastaj Allahu ia mori shpirtin.
Tha: A ju la ndonjë shenjë?
I thamë: Po.
Tha: Çfarë ju ka lënë?
I thamë: Na ka lënë një Libër nga Sunduesi.
Tha: Pa ma tregoni njëherë këtë Librin e Sunduesit! Librat e sunduesve duhet të jenë të mirë!
Ia sollën Librin.
Tha: Nuk e njoh këtë libër.
I lexuam një sure nga Kur’ani dhe ai qante e qante derisa e përfunduam leximin e saj.
Tha: Duhet që Atij që i ka thënë këto Fjalë të mos i bëjmë gjynah! Kësisoj, ai e pranoi Islamin. Më pas, ne i mësuam ligjet e Islamit dhe sure nga Kur’ani. Gjithashtu, e morëm me vete në anije. Gjatë udhëtimit, kur u errësua dhe ramë të flemë, ai na tha:
O njerëz, ky Zoti që më treguat, a fle nëse errësohet?
I thamë: Jo, o rob i Allahut! Ai është i Gjallë, i Përjetshëm! Ai nuk fle!
Tha: Sa robër të këqij që jeni! Zoti juaj nuk fle dhe ju flini e nuk e adhuroni Atë!
Pastaj na la ne dhe vazhdoi të adhurojë Allahun.
Kur mbërritëm në vendin tonë, i thashë shokëve të mi: Ky sapo e ka pranuar Islamin dhe është i huaj këtu.
Rrjedhimisht mblodhëm disa derhem (para) dhe ia dhamë.
Tha: Çfarë janë këto?
I thamë: Janë që t’i shpenzosh për nevojat që ke.
Tha: La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç Allahut)! Unë isha në ishull duke adhuruar idhullin veç Tij dhe Allahu më furnizoi! A nuk do më furnizojë tani që e njoh (me besim Teuhidi)?!
Më pas, doli të kërkojë rrizkun vetë.
Ai u bë njëri prej njerëzve më të devotshëm dhe i tillë vdiq.
📚 “et-Teuabine” me autor ibën Kudameh el-Makdesij (fq. 179)
Përktheu: Abdur-Rahman Mema