Ka thënë imam Muslim -rahimehullah-:
Më ka treguar ibnu Numejr, cili tha: na ka treguar im at, cili tha: na ka treguar Handhaleh, i cili tha: e kam dëgjuar ‘Ikrimete ibnu Khalid duke i folur Tausit se një burrë i tha Abdullah ibnu Umer -radij’Allahu anhuma- a nuk del ti të luftosh?
I tha: unë vërtet e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:
«Me të vërtetë Islami është i ngritur mbi pesë (shtylla):
- Dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut
- Kryerjen e namazit
- Dhënien e Zekatit
- Agjerimin e Ramazanit
- Dhe pelegrinazhi në Mekë»
📚 Transmetoi el-Bukharij (hadithi nr. 8), Muslimi (hadithi nr. 16), et-Tirmidhij, En-Nesa’ij dhe Ahmedi, artikulimi është i Muslimit.
Shpjegimi:
Fjala e tij: “i tha: a nuk del ti të luftosh? I tha: e kam dëgjuar, etj” duket sikur ai kuptoi se pyetësi kishte mendimin që xhihadi ishte prej shtyllave të Islamit ndaj dhe ju përgjigj ashtu siç u përmend, e nuk është e saktë kapja pas këtij hadithi duke lënë atë që nuk është përmendur në të.
Fjala e tij: “Është ngritur Islami” ka për qëllim se patjetër duhet të bashkohen të pesta këto shtylla që Islami të jetë i ruajtur prej rrezikut të asgjesimit, çdoherë që asgjësohet një prej këtyre çështjeve është frikë për asgjesimin e gjithë Islamit.
📚 “حاشية السندي على النسائي”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema