Ka thënë el-àl’lāmeh Abdul-Aziz ibnu Bāz -Allahu e mëshiroftë-:
Ka përmendur shejkhu i Islamit ibnu Tejmijeh -Allahu e mëshiroftë- dhe jo vetëm, se mundet që njeriu ta shoh Zotin e tij në ëndërr, mirëpo ajo që ka parë nuk është ai realiteti, sepse asgjë nuk i përngjan Allahut -sunhanehu ue teàla-.
Ka thënë i Lartësuari:
{لَیۡسَ كَمِثۡلِهِۦ شَیۡءࣱۖ وَهُوَ ٱلسَّمِیعُ ٱلۡبَصِیرُ}
{Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është Dëgjuesi, Shikuesi} [esh-Shura: 11]
Asgjë nuk i përngjan Atij, mundet që t’i flasë Zoti i tij, sheh në gjumë se Ai i flet atij, mirëpo çfarëdo që të shohë prej pamjeve, çdo pamje, pamjen e njeriut, apo të kafshës, ajo pamje që sheh nuk është Allahu -xhel’le ue àlā- sepse Allahut -sunhanehu ue teàla- nuk i përngjan asgjë, nuk ka të ngjashëm me Të dhe as identik me Të -xhel’le ue àlā-.
Ka përmendur esh-shejkh Takijjud din -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë se gjendjet ndryshojnë në varësi të gjendjes së robit ëndërrues, sa më shumë i devotshëm dhe më i afërti i tyre me punët e mira aq më shumë ëndrra e tij është më afër të vërtetës dhe saktësisë, mirëpo jo në mënyrën të cilën e sheh apo cilësinë të cilën e sheh atë (ëndrrën), origjina është se asgjë nuk i përngjan Allahut -sunhanehu teàla-.
Mundet që ai të dëgjojë një zë, apo t’i thuhet atij: bëj kështu e bëj ashtu, porse nuk ka pamje të cilën e sheh që i ngjan diçkaje prej krijesave, nuk ka të ngjashëm me Të dhe as identik me Të -subhanehu-.
Është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ se ai pa Zotin e tij në endërr, e ka transmetuar Muàdhi nga Pejgamberi ﷺ se ai e ka parë Zotin e tij, ka ardhur në rrugë të shumta se ai e ka parë Zotin e tij dhe Ai vendosi Dorën Tij më mes shpatullave të tij, derisa ndjeu ftohtësinë në mes gjoksit ose në mes gjoksit derisa ndjeu ftohtësinë në mes shpatullave, kjo ka ardhur në hadith.
Hafizi ibnu Rexheb ka shkruar një ese të cilën e ka titulluar: “ikhtijārul Eulā fij sherhi hāditheti ikhtišamil meleil eàla” që tregon se pejgamberët mund ta shohin Zotin e tyre në gjumë, ama shikimi i Zotit në dynja me sy, atëherë jo.
Pejgamberi ﷺ ka treguar se askush nuk do ta shohë Zotin e tij, derisa të vdesë, ka thënë:
«Dijeni se nuk do ta shoh askush Zotin e tij, derisa të vdesë»
E ka transmetuar Muslimi në Sahih
Kur ai ﷺ u pyet: a pe Zotin tënd?
Tha: «Pashë dritë»
Dhe në një artikulim: «Ishte dritë si ta shihja»
Transmetoi Muslimi prej hadithit të Ebu Dherrit.
Po kështu për këtë u pyet Àishja dhe tha se askush nuk do ta shohë Atë në dynja; sepse shikimi i Allahut është mirësia më e madhe e banorëve të Xhennetit, mirësia më e madhe e besimtarëve dhe kjo nuk ndodh vetëm se për banorët e Xhennetit, për njerëzit e besimit në Shtëpinë e Fundit, dynjaja është shtëpia e sprovave dhe provimeve, shtëpia e të ligëve dhe të mirëve, është e përbashkët dhe nuk është vend i shikimit; sepse shikimi është mirësia më e madhe për shikuesin, Allahu e ka rezervuar atë për robërit e Tij besimtarë në shtëpinë e nderit, në Ditën e Kiametit.
Ama këto shikime që pretendojnë njerëzit për Zotin e tyre, ato ndryshojnë, siç e tha shejkhu i Islamit -Allahu e mëshiroftë-, në varësi të devotshmërisë dhe frikës ndaj Allahut. Disa njerëzve mund t’u duket se kanë parë Zotin e tyre por nuk është ashtu, vërtet shejtani mund t’u shfaqet atyre dhe i bën ata të besojnë se ai është zoti i tyre, ashtu siç ju shfaq Abdul-Kadir el-Xhejlānij, esh-shejkh Abdul-Kadir, ai (shejtani) ishte mbi një fron mbi ujë dhe i tha: unë jam zoti yt.
Ai i tha: largohu armik i Allahut nuk je Zoti im…
Qëllimi është se shikimi i Allahut -azze ue xhel’le- në ëndërr është i mundur në dynja, por në një mënyrë që nuk i përngjan në të krijesave -sunhanehu ue teàla-, nëse e urdhëron me diçka që e kundërshton Sheriatin, ajo është shenjë se ai nuk e ka parë Zotin e tij, porse ka parë një shejtan, nëse e sheh atë dhe i thotë atij: mos u fal, janë anuluar për ty detyrimet, apo i thotë: nuk e ke detyrë Zekatin, apo nuk e ke detyrë agjerimin e Ramazanit apo nuk e ke detyrë t’i respektosh prindërit apo i thotë: nuk është problem për ty që të hash kamatën, të gjitha këto janë shenja se ai ka parë një shejtān dhe jo Zotin e tij dhe se ai që i flet nuk është Zoti i tij porse është shejtān.
Përmbledhja është se shikimi në ëndërr është i mundur por në mënyrën që nuk ka përngjasim në të me krijesat, madje mund të dëgjojë zë, por që nuk sheh diçka që i ngjan krijesave; sepse Allahu nuk ka të ngjashëm me Të -subhanehu ue teàla-
Dhe prej shenjave të saktësisë së shikimit në ëndërr janë: që urdhrat të jenë në përputhje me Sheriatin me të cilat e urdhëron, ama nëse janë në kundërshtim me sheriatin, atëherë kjo është shenjë se ai ka parë një shejtān dhe nuk ka parë Zotin e tij. Po
Moderatori: po ajo që është thënë në lidhje me ëndrrën e imam Ahmedit?
Shejkhu: nuk e di saktësinë e saj, transmetohet se ai e ka parë Zotin e tij, porse nuk e di saktësinë e saj prej tij.
Moderatori: barak Allahu fīkum.
https://binbaz.org.sa/fatwas/7064/حكم-روية-الانسان-لربه-في-المنام
Përktheu: Abdur-Rahman Mema