Pyetje drejtuar el-al’lameh Abdul-Aziz ibnu Bãz -rahimehullah-
Unë jam një grua e martuar me një burrë që nuk falet, kam dy fëmijë me të, unë falem dhe përkujdesem për adhurimin tim, e kam ftuar atë shumë herë për të falur namazin, mirëpo nuk pranon dhe më thotë: feja është sjellje e mirë dhe virtyte dhe nuk është me lëvizje dhe rekate, ndërsa në çështjet e tjera të dynjasë është korrekt. Pyetja ime është: A është hallall apo haram qëndrimi im me të? Duke ju bërë me dije se ndarja ime me të i ndan fëmijët e mi dhe shkatërron familjen time, mirëpo frika nga Allahu më bën që t’ju pyes, dua të di gjykimin e Allahut? Allahu ju bëftë dobi.
Përgjigje: Nuk lejohet qëndrimi me këtë burrë që nuk falet; sepse kjo tregon për fenë e tij të dobët ose për mungesën e plotë të fesë tek ai, namazi është shtyllë e Islamit, ai që e lë atë qëllimisht ka bërë kufër, e ajo që bie detyrë mbi ty është largimi nga ky njeri, të mos e lësh të të afrohet dhe të shkosh tek familja jote, derisa të pendohet tek Allahu dhe të fillojë të falet.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Marrëveshja në mes nesh dhe atyre është namazi dhe ai që e braktis atë ka bërë kufër.”
E ka transmetuar imam Ahmed dhe autorët e katër librave të suneneve me zinxhir të saktë nga Burejdeh -radij’Allahu anhu-.
Ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij nga Xhabiri -radij’Allahu anhu- dhe ky nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë:
“Në mes njeriut, kufrit dhe shirkut është lënia e namazit”
Namazi është shtyllë e Islamit dhe ai që e lë atë qëllimisht ka bërë kufër, Allahu na ruajttë. Ama sa për atë që ka harruar ky e fal atë kur t’i kujtohet, e ai që ka qenë në gjumë e fal kur të zgjohet, porse ai që e lë me qëllim është kafir sipas mendimit më të saktë prej dy mendimeve të dijetarëve.
Dhe një grup prej njerëzve të dijes kanë mendimin se ai me këtë nuk bën kufër të madh që të nxjerr nga islami, por kufri i tij është kufër i vogël, që nuk të nxjerr nga Islami, sepse Pejgamberi -alejhis salatu ues selãm nuk e quajti kafir, mirëpo ky është mendim i dobët.
✔ E sakta është se ai ka bërë kufër të madh që të nxjerr nga Islami.
Abdullah bnu Shakik el-Ulejlij -radij’Allahu anhu- ka thënë se: shokët e Pejgamberit ﷺ nuk e shihnin kufër lënien e diçkaje prej punëve, përveç namazit, ka treguar nga të gjithë sahabët se ata e konsideronin lënësin e namazit kafir, e ajo që është e dukshme nga ajo përcolli nga ata është se ata e konsideronin atë kufër të madh që të nxjerr nga Islami.
Kështu që, ajo që bie detyrë mbi ty o motër në fe është që ta braktisësh këtë burrë, dhe të mos e lësh të të afrohet, dhe të mos qëndrosh me të, derisa të pendohet tek Allahu.
Dhe fjala e tij: Feja është sjellje e mirë nuk është e saktë, përkundrazi sjellja e mirë është prej fesë dhe nuk është vetë feja, feja është sjellje e mirë me Allahun, me robërit e tij dhe ajo (feja) nuk është vetëm sjellje e mirë, dhe prej sjelljes së mirë është kryerja e namazit, nëse ka pasur për qëllim të sjellurit mirë me Allahun dhe robërit e tij, atëherë ajo sjellje nuk është e mirë vetëm se duke kryer obligimet e Allahut dhe lënien e gjërave të ndaluara, ai që nuk i kryen obligimet e Allahut ose nuk e kryen namazin apo kryen vepra të ndaluara, ky nuk e ka plotësuar sjelljen e mirë dhe nuk ka ardhur me të.
Feja është të sjellurit mirë me njerëzit në shitblerje, në marrëdhëniet në mes njerëzve, në shoqëri dhe jo vetëm, të sjellurit mirë me Allahun është kur kryen obligimet e Tij, dhe nuk është thjesht të sjellurit mirë me njerëzit, jo, përkundrazi duhet patjetër sjellja e mirë me Allahun duke kryer obligimet e Tij dhe lënien e gjërave të ndaluara.
Ajo që bie detyrë mbi ty është frika ndaj Allahut dhe të ruhesh nga qëndrimi me këtë njeri, lusim Allahun që ta udhëzojë atë.
Por nëse e mohon që namazi është detyrim dhe thotë se ai nuk është detyrim apo tallet me ata që falen, kjo është kufër me konsensus të dijetarëve dhe të muslimanëve, lusim Allahun të na ruajë.
http://www.binbaz.org.sa/noor/3516
Përktheu: Abdur-Rahman Mema