Loading

Dijetari i nderuar Rabi’ ibnu Hadij el-Medkhalij -Allahu e ruajttë- thotë:

Pas kësaj meseleje, asaj të justifikimit me apo mosjustifikimit me padituri, qëndrojnë njerëz të fitneve të cilët duan përçarjen e selefive dhe ngatërresat e tyre me njëri-tjetrin!

Kur isha në Medine, më telefonoi Rijad es-Se’idi, njeri i njohur dhe banues në Rijad aktualisht, duke më thënë: me të vërtetë, këtu, në qytetin e Taifit, janë 50 të rinj të cilët njëzëri e bëjnë qafir el-Albanin!!!

Përse?!

Sepse ai nuk i bën qafira kuburitë (varrexhitë) dhe i justifikon me injorancë!!

Po mirë, ata a i bëjnë qafira edhe Ibnu Tejmijen, Ibnul Kajjimin dhe shumë prej Selefëve?! Sepse edhe ata kanë justifikuar me padituri, dhe për këtë kishin argumente, prej të cilave përmendim:

{وَمَا كُنَّا مُعَذِّبِینَ حَتَّىٰ نَبۡعَثَ رَسُولࣰا}

{Ne nuk e dënojmë askënd para se të dërgojmë të dërguar} [el-Isra: 15]

Dhe tekste të tjera që tregojnë qartë për këtë:

وَمَن یُشَاقِقِ ٱلرَّسُولَ مِنۢ بَعۡدِ مَا تَبَیَّنَ لَهُ ٱلۡهُدَىٰ وَیَتَّبِعۡ غَیۡرَ سَبِیلِ ٱلۡمُؤۡمِنِینَ نُوَلِّهِۦ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصۡلِهِۦ جَهَنَّمَۖ وَسَاۤءَتۡ مَصِیرًا

{Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta, dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur dhe e fusim në Xhehennem; e sa përfundim i keq është ai!} [en-Nisa: 115]

وَمَا كَانَ ٱللهُ لِیُضِلَّ قَوۡمَۢا بَعۡدَ إِذۡ هَدَىٰهُمۡ حَتَّىٰ یُبَیِّنَ لَهُم مَّا یَتَّقُونَۚ

{Allahu kurrë nuk e çon në humbje një popull që më parë e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, pa ia bërë të njohur se nga çfarë duhet të ruhet} [et-Teubeh: 115]

Janë këto e tekste të tjera që tregojnë se muslimani nuk bëhet qafir me diçka prej kufrit në të cilin ka rënë (pa i ngritur argumentin). Themi: kjo është kufër dhe ka rënë në kufër, -shembull: kur ka rënë në të për shkak të paditurisë- ama ne nuk e bëjmë qafir derisa t’ia ngremë dhe sqarojmë argumentin. Nëse tregohet kokëfortë, e shpallim qafir.

Këtë mendim e kanë një numër prej imamllarëve në Nexhd, dhe fjala e disave prej tyre ndryshon: herë e kushtëzojnë ngritjen e argumentit dhe herë të tjera thonë: nuk ka justifikim me padituri.

Disa njerëz kapen pas mendimeve që thonë se nuk ka justifikim me padituri, dhe lënë mënjanë tekstet e qarta për kushtëzimin e ngritjes së argumentit, tekstet e qarta se nuk bëhet qafir një musliman i cili ka rënë në një vepër kufri, derisa t’i ngrihet argumenti. Dhe në këtë kontekst (të justifikimit) është edhe ajo që ju përmenda nga imam Esh-Shafi’iju -Allahu e mëshiroftë- si dhe tekstet të cilat gjithashtu jua përmenda.

Kam njohur një shejkh të nderuar që nuk justifikonte me padituri. Ndërsa ishim në qytetin e Sāmitas, e vizituam këtë shejkh dhe ai mbante këtë mendim, mirëpo nuk përhapte fitne: as nuk debatonte, as nuk grindej dhe as nuk bënte të humbur atë që justifikonte me padituri; madje unë dhe ai kemi jetuar si shokë përreth 40 vjet, derisa vdiq tani, kohët e fundit. Allahu e mëshiroftë!

Njëherë u ula në një prej mexhliseve dhe dikush pohonte mosjustifikimin me padituri. Ia përmenda këto argumente dhe po ashtu i përmenda se dijetarët e Nexhdit e njohin njëri-tjetrin dhe, ndonëse disa justifikojnë me padituri e disa të tjerë jo, prapë janë vëllezër dhe nuk kanë as mosmarrëveshje, as hasmëri, as trazira dhe as dhe as…

Heshti dhe nuk u grind, sepse nuk donte fitne.

Ne e dimë se mospajtimi gjendet mes disa dijetarëve dhe disa të tjerëve, mirëpo nuk ka mes tyre as hasmëri, as akuza për devijim dhe as fitne. E gjithë kjo, o vëllezër, është rrugë e haddadijve: fitneja haddadijeh, keqdashëse dhe devijuese siç është, u ngrit për të përhapur fitne mes Ehlus Sunnetit, me qëllim goditjen e këtyre të fundit ndaj njëri-tjetrin. Ata janë tekfirsa të fshehur dhe kanë belara të tjera, ndoshta jo vetëm tekfirin. Për të fshehur menhexhin e tyre të ndyrë dhe qëllimet e tyre të kota, përdorin llojet më të ulta të fshehjes.

Unë kam parë një të ri që u ndikua nga ky menhexh dhe kishte një libër me fjalë të zgjedhura lidhur me mosjustifikimin me padituri. Bridhte nëpër Rijad, Taif, Mekeh, Medine etj. Si fillim, ishte te ne, mësonte te ne, e më pas, vumë re se kishte këtë mendim, këtë rrugë.

Diskutova me të disa herë dhe i sqarova menhexhin e Shejkhul Islam Ibnu Tejmijes dhe menhexhin e Selefëve, si dhe argumentet, mirëpo ai grindej. I thashë: kush është ai që të ka paraprirë në këtë?

Tha: filani dhe fisteku.

Bëra një kërkim dhe gjeta se ata kishin fjalë që kundërshtonin njëra-tjetrën: herë justifikonin me padituri dhe herë të tjera nuk justifikonin.

Më tha: të njëjtin mendim me mua ka edhe filani.

Ia bëra gati fjalën e i thashë: kjo është fjala e filanit! Ky filani këtu po justifikon me padituri dhe kushtëzon ngritjen e argumentit!!

Tha: Unë jam me Ibnul Kajjimin!

I thashë: Ti e ke kundërshtuar me kohë Ibnul Kajjimin, sepse ai e kushtëzon ngritjen e argumentit.

Mirëpo ai vijonte në devijimin e tij, u tregua kokëfortë dhe e dëbuan nga ky vend. Më pas, u kthye përsëri.

Gjatë diskutimeve me të, i thashë: një populli qafir në një prej ishujve të kolonive të Britanisë, apo në Oqeanin Paqësor dhe jo vetëm, fjala vjen nuk i ka shkuar askush prej selefive, por u ka shkuar xhemati teblig, dhe i mësojnë e u thonë: Ky është Islami!

U mësojnë një Islam i cili ka besëtytni, bidate, shirkijate etj. etj.!

U thonë: Ky është Islami! Pranojeni dhe afrohuni tek Allahu!

Kësisoj, ata e adhurojnë Allahun me këtë fe që e quajnë Islam.

Ti, a i bën qafira, apo ua sqaron dhe u ngre argumentin?

Tha: ata janë qafira dhe nuk është kusht ngritja e argumentit!

I thashë: ik në Algjeri! Ti je më keq sesa ata revolucionarët atje! Ti je më tekfirs sesa ata! Ik! Nuk ke më vend në këtë shtet!

Medh’hebi i Shejkhul Islam Ibnu Tejmijes dhe Ibnul Kajjimit në lidhje me këtë është i ngritur mbi argumente dhe fakte. Dhe ai është medh’hebi i selefëve inshaAllah.

Ai që ndjek dhe kënaqet me një mendim përveç këtij mendimi, ama hesht, nuk kemi punë me të, mirëpo ai që shkon dhe përhap fitne, akuzon me devijim dhe bën tekfir, atëhere jo, pasha Allahun nuk duhet heshtur ndaj tij!

Unë i këshilloj të rinjtë që ta lënë këtë çështje, sepse ajo është mjet prej mjeteve të njerëzve të sherrit dhe fitneve, të cilat i përhapin në mesin e muslimanëve.

Mirë, nga koha e imam Muhamed ibnu Abdul-Uehabit e deri në ditët tona, ka kaluar goxha kohë. Sidoqoftë, kurrë nuk ka pasur konflikte në mesin e tyre lidhur me këtë çështje, por ai që kish bërë ixhtihad dhe e kish ndjekur këtë medh’heb, heshtte dhe vazhdonte. E pohonte në librin e tij, ama thjesht e botonte dhe heshtte. Edhe ai që e kundërshtonte atë mendim, vazhdonte (në profilin përkatës), ama të gjithë ishin vëllezër dhe nuk kishte në mesin e tyre as mosmarrëveshje, as hasmëri; dhe askush nuk e shpallte palën tjetër të devijuar apo qafire.

Ama këta bëjnë tekfir, dhe madje kanë arritur deri aty sa të bëjnë qafira imamë të Islamit, gjë që tregon për fëlliqësinë e asaj që kanë përbrenda dhe qëllimet e tyre të këqija.

Unë i këshilloj të rinjtë selefijë që të mos zhyten te kjo çështje.

Medh’hebi më i saktë është: kushtëzimi i ngritjes së argumentit! Nëse nuk e ke të qartë se cili është më i sakti, atëherë duhet të heshtësh dhe t’i respektosh vëllezërit e tu! Mos i shpall të devijuar! Ata kanë të drejtë: kanë Librin e Allahut, Sunnetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe Menhexhin e Selefëve.

Ai që do të bëjë tekfir, le të bëjë pra qafira selefët! Le të bëjë qafira Ibnu Tejmijen apo Ibnu Abdul-Uehabin! Imam Muhamed ibnu Abdul-Uehabi ka thënë:

“Ne nuk i bëjmë qafira ata që bëjnë tauaf rreth varreve dhe i adhurojnë, derisa t’u ngremë argumentin, sepse ata nuk kanë gjetur dikë që t’i sqarojë.”

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: