U pyet shejkhu i nderuar, el-al’lameh Muhamed ibnu Salih el-Uthejmin -rahimehullah- me pyetjen që vijon:
A ka në dialogun e Ademit dhe Musës pohim të argumentimit me Kader? E kjo se Ademi dhe Musa patën një diskutim, ku Musa i tha Ademit: “Ti je ati ynë na privove dhe na nxorre ne dhe veten tënde prej Xhennetit”.
Ademi i tha atij: “A po më fajëson për diçka që Allahu e ka shkruar për mua përpara se të më krijojë?!”
Dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Ademi fitoi ndaj Musës me argument, Ademi fitoi ndaj Musës me argument”
Ademi u argumentua me Kadanë dhe Kaderin e Allahut?
Shejkhu u përgjigj duke thënë: ky nuk është argumentim me “Kada’ dhe Kader” ndaj veprës së njeriut dhe mëkatit të tij, por është argumentim me “Kaderin” për fatkeqësinë që erdhi si pasojë e veprës së tij, kjo hyn tek argumentimi me “Kader” ndaj fatkeqësive dhe jo ndaj gjynaheve, për këtë arsye ai tha: “na privove dhe na nxorre ne dhe veten tënde prej Xhennetit” dhe nuk tha i bëre gjynah Zotit tënd dhe dole prej Xhennetit.
Ademi u argumentua me Kaderin për daljen nga Xhenneti, të cilën ai e konsideronte fatkeqësi, dhe argumentimi me Kader ndaj fatkeqësive nuk ka problem, a nuk e ke parë kur nisesh për një udhëtim dhe të ndodh një aksident, dhe dikush të thotë: përse udhëtove, nëse do të qëndroje në shtëpi asgjë nuk kishte për të të ndodhur!
Dhe t’i ia kthen që kjo ishte Kada dhe Kaderi i Allahut, unë nuk dola që të më ndodhë aksidenti por dola për një dobi dhe më ndodhi aksidenti.
Po ashtu edhe Ademi -alejhis salatu ues selām- a e bëri gjynahun që të dalë prej Xhennetit? Jo, pra fatkeqësia i ndodhi atij thjesht ishte Kada dhe kader.
Kështu që argumentimi i tij me kader ndaj fatkeqësisë që i ndodhi është argumentim i drejtë.
Për këtë arsye Pejgamberi ﷺ tha: “Ademi fitoi ndaj Musës me argument, Ademi fitoi ndaj Musës me argument”.
Dhe në një transmetim tjetër të cilin e përcjell el-Imam Ahmed: “Ademi fitoi ndaj tij me argument” dmth e dominoi në argument.
Një shembull tjetër: një njeri ka bërë një mëkat dhe u pendua prej tij, i vjen një tjetër prej vëllezërve të tij dhe i thotë: o filan, si ka mundësi që ti e bëre këtë?!
Ai i thotë: kjo ishte Kada dhe Kaderi i Allahut!
A është i saktë ky argumentim apo jo? Po, është i saktë sepse ai u pendua, dhe nuk argumentua që të justifikojë gjynahun e tij, por ai është i penduar dhe i keqardhur dhe ajo që e përforcon këtë është se Pejgamberi ﷺ një natë hyri tek Alī ibnu Ebī Tālib dhe Fatimja -radij’Allahu anhuma- dhe u tha: “A nuk po faleni?”
Aliu -radij’Allahu anhu- i tha: o i Dërguari i Allahut, vërtet ne jemi në Dorën e Allahut, nëse Allahu do kishte dëshiruar do ta na kishte zgjuar, Pejgamberi ﷺ u largua duke goditur kofshët dhe duke thënë:
{ وَلَقَدۡ صَرَّفۡنَا فِی هَـٰذَا ٱلۡقُرۡءَانِ لِلنَّاسِ مِن كُلِّ مَثَلࣲۚ وَكَانَ ٱلۡإِنسَـٰنُ أَكۡثَرَ شَیۡءࣲ جَدَلࣰا }
{Por njeriu kundërshton më shumë sesa çdo gjë tjetër} [el-Kehf: 54]
Pra Pejgamberi ﷺ nuk e pranoi argumentin e tij, dhe e bëri të qartë se kjo është prej kundërshtimit; sepse ai ﷺ e dinte se shpirtrat ishin në Dorën e Allahut, porse dëshironte që njeriu të ishte palëkundur, të ngrihej dhe të falej.
Sidoqoftë, na u bë e qartë se argumentimi me Kader ndaj gjynahut pas pendimit prej tij është i lejuar, ama sa i përket argumentimit me Kader ndaj gjynahut duke arsyetuar qëndrimin e njeriut dhe vijueshmërinë në gjynah nuk është i lejuar.
📚 مجموع فتاوى ورسائل” (٢ /١٠٦-١٠٨)”
Përktheu: Abdur-Rahman Mema