Loading

Pyetje drejtuar dijetarit të madh Muhamed ibnu Sālih el-Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!

Pyetësi thotë:

Disa njerëz thonë se Allahu është sipër mbi qiell. Te ne në Sudan, (pseudo) dijetarët e Teuhidit thonë se Allahu ka qenë (para se të krijohej vendi) dhe nuk ka vend. Ai është i Pastër nga të gjashta drejtimet: nga lindja, nga perëndimi, nga veriu, nga jugu, nga sipër dhe nga poshtë.

Ju lutemi të na jepni një këshillë rreth kësaj!

Përgjigje: Lartësimi i Allahut -azze ue xhel’le- mbi krijesat e Tij është i vërtetuar me:

  • Kur’an
  • Sunnet
  • konsensus
  • logjikë
  • fitrah.

Pra, argumentet për të janë të larmishme.

Në këtë rast ekzistojnë të gjitha argumentet e mundshme që duhen për vërtetimin e diçkaje. Të tëra tregojnë se Allahu i Lartësuar është mbi robërit e Tij.

🔶️ Sa i takon argumenteve nga Kur’ani për vërtetimin e Lartësimit të Allahut mbi krijesat e Tij, ato janë të shumta dhe të larmishme. Psh Fjala e Tij:

{سَبِّحِ اسْمَ رَبِّكَ الأَعْلَى}

{Përlëvdo (o Muhammed ﷺ) Emrin e Zotit tënd, më të Lartit!} [El-E’ala: 1]

{وَهُوَ الْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِ}

{Ai është Sunduesi mbi robërit e Tij} [el-En’ām: 18]

{يَخَافُونَ رَبَّهُمْ مِنْ فَوْقِهِمْ}

{Ata i frikësohen Zotit të tyre, i Cili është mbi ta.} [En-Nahël: 50]

{الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى}

{Er-Rahman-i u ngrit mbi Arsh.} [Taha: 5]

Krahas këtyre ka edhe shumë ajete të tjera.

Gjithashtu, ajetet që tregojnë për gjërat që ngrihen tek Ai. Psh ka ardhur në Fjalën e Tij:

{إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُهُ}

{Tek Ai ngrihet Fjala e mirë. Gjithashtu, punën e mirë Ai e ngre dhe e pranon.} [Fātir: 10]

{تَعْرُجُ الْمَلائِكَةُ وَالرُّوحُ إِلَيْهِ}

{Ëngjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) ngjiten për tek Ai.} [El-Me’ārixh: 4]

Po ashtu, kemi ajetet që tregojnë për atë që zbret nga Ai. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

{يُدَبِّرُ الأَمْرَ مِنَ السَّمَاءِ إِلَى الأَرْضِ ثُمَّ يَعْرُجُ إِلَيْهِ}

{Ai drejton çdo çështje. I drejton prej qiellit deri në Tokë. Më pas, ato ngjiten për tek Ai…} [es-Sexhdeh: 5]

Edhe në lidhje me këtë ajetet janë të shumta.

🔶️ Sa i takon Sunnetit, të gjitha llojet e tij tregojnë për Lartësimin e Allahut. Ai (Sunneti) e tregon me fjalë, vepra dhe miratim.

🔘 (Fjala:)

Profeti alejhis salatu ues selām thoshte në sexhde:

«Subhāne Rabbij el-E’ala!»

“I Pastër nga të metat është Zoti im, më i Larti”

🔘 (Vepra:)

Në Ditën e Arafatit, iu drejtua njerëzve duke u thënë: «A e kumtova mesazhin?»

Ata thanë: po.

Ai bëri me shenjë drejt qiellit dhe tha:

«O Allah, dëshmo!»

🔘 (Miratimi)

Ai ﷺ e pyeti robëreshën:

«Ku është Allahu?»

Ajo tha: mbi qiell.

Ai ﷺ tha:

«Liroje sepse ajo është besimtare!»

Kësisoj, për Lartësimin e Allahut azze ue xhel-le, pra, (si argumente) që Ai është sipër çdo gjëje, u bashkuan nga Sunneti: fjala, vepra dhe miratimi.

🔶️ Sa i takon konsensusit, Sahabët dhe imamët e udhëzimit, të cilët erdhën pas tyre, kanë rënë në konsensus se Allahu i Lartësuar është lart, mbi çdo gjë! Nuk ka ardhur prej tyre qoftë edhe një shkronjë e vetme për mohimin e Lartësimit të Allahut Azze ue Xhel’le! Përkundrazi, ata kishin konsensus se Allahu i Lartësuar është lart, mbi çdo gjë.

🔶️ Sa i takon logjikës, vërtet që çdo njeri, me logjikën e tij, e di se Lartësimi është Cilësi e përsosmërisë dhe e di se Zoti Azze ue Xhel’le ka Cilësi të përsosura dhe absolute. Kësisoj, përderisa Lartësimi ështe Cilësi e përsosmërisë, atëherë mungesa e tij është cilësi e mangësisë. Rrjedhimisht meqënëse Allahu Azze ue Xhel’le është i Pastër nga të metat, bie detyrë që njeriu të pohojë për Të Lartësimin, sepse ajo është Cilësi e përsosmërisë.

🔶️ Sa i takon natyrshmërisë në të cilën Allahu e krijoi njeriun, themi se çdokush që thotë: o Zot!, gjen në zemrën e tij nevojën për të kërkuar Lartësimin. Për këtë arsye, ai i ngre duart drejt qiellit. Pa pyetini se nga i drejtojnë duart e tyre ata që i kërkojnë dhe i luten Allahut!

A mos i drejtojnë gjë drejt tokës apo drejt qiellit?! A mos i drejtojnë gjë djathtas apo majtas?!

Të gjithë ata i drejtojnë në drejtim të qiellit dhe kjo është një çështje e natyrshmërisë në të cilën ata janë krijuar. As edhe dy veta nuk i gjen dot që të kenë kundërshtim mes veti për këtë! Përjashtim bëjnë ata të cilët shejtanët ua devijojnë natyrshmërinë në të cilën janë krijuar dhe kësisoj e mohojnë këtë çështje me të cilën ata janë krijuar.

Përderisa është kështu, atëherë ne themi: vërtet, Allahu Azze ue Xhel’le ka qenë dhe nuk ka pasur asgjë përpara Tij. Ai i është i Pari dhe përpara Tij nuk ka pasur asgjë. Ai ka qenë i Lartësuar përpara se të krijojë Arshin. Kur krijoi qiejt dhe tokën, u ngrit mbi Arsh. Ka thënë i Lartësuari:

إِنَّ رَبَّكُمُ اللهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ

{Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Arsh.} [El-E’araf: 54]

Ngritja e Tij mbi Arshin e Tij ishte pas krijimit të Arshit. Në këtë pikë themi:

Ajeti tregon se kur Ai u ngrit mbi Arshin e Tij, pasi krijoi qiejt dhe tokën, Ai nuk ishte i Ngritur mbi Arsh.

Sa për kohen përpara kësaj, themi: Allahu e di më së miri.

Ama, pas kësaj, pra, pas krijimit të qiejve dhe të tokës, ajeti tregon se Allahu u ngrit mbi Arshin e Tij.

Sa i takon fjalës së tyre se Allahu i Lartësuar është i Pastër nga të gjashta drejtimet, kjo është shtrembërim i kulluar i qëllimit të argumentit! Allahu na ruajttë! Nëse ata thonë: vërtet, Allahu nuk është as lart, as poshtë, as djathtas, as majtas, as para dhe as mbrapa., atëherë kjo është vetë mosekzistenca dhe kemi të bëjmë me ta’til të kulluar!

Ku është Ai pra?!!!

Nëse themi se Allahu i Lartësuar është në drejtim të Lartësimit, Lartësim sipër të cilit nuk ka asgjë, kjo, kundrejt Allahut azze ue xhel-le, nuk është e metë, sepse Lartësimi është mbi të gjitha krijesat. Për asnjë prej krijesave nuk mund të themi se ajo është paralel me Allahun Azze ue Xhel-le. Përkundrazi, Allahu Azze ue Xhel’le është sipër të gjitha krijesave dhe asgjë prej krijesave nuk është paralel me Të.

Atëherë, ku është e meta në pohimin e kësaj?!

Nëse themi se Allahu i Lartësuar nuk është në asnjë drejtim, atëherë ku është Allahu?!!!!

Po, ne themi se nuk është e mundur për drejtimin që ta përfshijë Allahun. Kjo sepse Allahu i Lartësuar përfshin çdo gjë dhe asnjë prej krijesave të Tij nuk e përfshin Atë.

Përderisa Ai është lart mbi çdo gjë, atëherë sipër gjërave nuk ka diçka ekzistente që të themi se krijesa e shoqëron Allahun azze ue xhel-le në Lartësim.

Ajo që bie detyrë mbi njeriun është që ai të besojë me një besim të palëkundur se Allahu i Lartësuar është lart, mbi çdo gjë; dhe se Ai është më i Larti.

I Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Allahu! Ai ka Lartësimin absolut -Lartësim tê Qënies së Tij dhe Lartësim të Cilësive të Tij- me argument nga Kur’ani, Sunneti, konsensusi, logjika dhe natyrshmëria në të cilën është krijuar njeriu.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: