Loading

Ka transmetuar imam el-Bukharij (1423) dhe imam Muslim (1031) prej hadithit të ebu Hurejrete -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se Profeti ﷺ ka thënë:

«Shtatë vetë Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij, ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij:

Sunduesi i drejtë, një i ri që është rritur në adhurimin e Zotit të tij, një burrë zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë, dy njerëz që duhen për hir të Allahut, bashkohen dhe ndahen për shkak të Tij, një burrë që e fton një grua me pozitë dhe e bukur dhe ai i thotë: unë kam frikë Allahun, një njeri që jep lëmoshë dhe e fsheh atë, aq sa dora e majtë nuk e di sa ka dhënë dora e djathtë dhe një njeri që e përmend Allahun në vetmi dhe sytë i lotojnë.»

Ka transmetuar imam Muslim në Sahihun e tij (2566) prej hadithit të ebu Hurejrete -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij-:

“Ku janë ata që duhen me njëri-tjetrin për hir të Lavdisë Sime? Sot do t’i strehoj nën hijen Time, ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes Sime”

Ka transmetuar imami i sunnetit Ahmed ibnu Hanbel në “Musnedin” e tij nga el-‘Irbāď ibnu Sarijeh -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- se ka thënë: ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:

“Ka thënë Allahu -azze ue xhel’le-: ata që duhet me njëri-tjetrin për hir të Lavdisë Sime do të strehohen në hijen e Arshit Tim, ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes Sime”

✔️ Këtë hadith e ka vlerësuar sahih shejkh el-Albanij -Allahu e mëshiroftë- në: “Sahih et-Tergib uet Terhib”

Dijetarët lidhur me “hijen” që është përmendur në hadith janë ndarë në tre mendime:

I pari: Se ajo është hija e Arshit, tek ata që e kanë vlerësuar hadithin si të saktë.

I dyti: se ajo është Hija e Allahut -azze ue xhel’le- dhe Allahu e di se si është ajo, ashtu siç kuptohet nga fjala e esh-shejkh ibnu Baz – Allahu e mëshiroftë-

I treti: se ajo është hije që do ta krijojë Allahu -xhel’le ue ala- Ditën e Kijametit.

Është pyetur Komisioni i Përhershëm për Fetva: cili është qëllimi me hijen e përmendur në Hadithin e Profetit ﷺ:

“Shtatë vetë Allahu do t’i fusë në hijen e Tij, ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij”

U përgjigj: qëllimi me hijen në Hadith është: hija e Arshit të Gjithëmëshirshmit -tebarek ue te’ala- ashtu siç ka ardhur i shpjeguar në hadithin e Selmanit -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- në “Sunnen Se’id ibnu Mensur” dhe në të gjendet: “Shtatë vetë Allahu do t’i strehojë nën hijen e Arshit të Tij” hadithi…

E ka saktësuar zinxhirin e tij hafizi ibnu Haxher -Allahu i Lartësuar e mëshiroftë- në: “El-Fet’h (2/144)….

📚 فتاوى اللجنة الدائمة” (المجموعة الثانية) (2/ 487)”

U pyet esh-shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad -Allahu e ruajttë- gjatë shpjegimit të tij të “sunnen ebij Daud” (fq. 21):

Hadithi: “Shtatë vetë Allahu do t’i fusë në hijen e Tij…” A gjendet në hadith pohimi i cilësisë së hijes për Allahun?

Përgjigje: nuk ka pohim se hija është prej Cilësive të Allahut, mirëpo ai ka thënë:

“Shtatë vetë Allahu do t’i fusë në hijen e Tij”, kuptimi i saj nuk është se hija i bashkangjitet Allahut -azze ue xhel’le- si bashkangjitje e cilësisë me të cilësuarin, por është krijesë e Allahut dhe ajo është prej bashkangjitjes së krijesës me krijuesin dhe Allahu e di më së miri.

Sh.p: prej shembujve të bashkangjitjes së krijesës me krijuesin është edhe fjala: “Shtëpia e Allahut”, Deveja e Allahut”, “Qabja e Allahut” dhe këto siç e dimë nuk janë prej Cilësive të Allahut -azze ue xhel’le-.

U pyet esh-shejkh ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:

Në hadithin e shtatë vetëve të cilët Allahu -azze ue xhel’le- do t’i strehojë në hijen e Tij, ditën kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij, a cilësohet Allahu i Lartësuar se Ai ka hije?

Përgjigje: po, ashtu siç ka ardhur në hadith dhe në disa transmetime në hijen e Arshit të Tij, mirëpo në dy Sahihet është “nën hijen e Tij”, Ai ka Hije ashtu siç i takon Atij -subhanehu- në nuk e dimë se si, ashtu si pjesa tjetër e cilësive, tema është një tek ehlus sunneti dhe xhemati dhe Allahu është Poseduesi i suksesit.

📚 مجموع الفتاوى” (٤٠٤/٢٨)”

U pyet gjithashtu esh-shejkh ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:

Një dijetar ka përmendur te hadithi i tij për hijen e Allahut se:

Allahu -azze ue xhel’le- do të krijojë diçka që me të do t’i bëjë hije atij që dëshiron prej robërve të tij, a është i drejtë ky kuptim?

Përgjigje: kjo është prej te’uilit, nuk lejohet, kjo është prej te’uilit, duhet lënë Hadithi ashtu siç është dhe të thotë: Allahu e di se si.

I strehon nën Hijen e Tij në formën që vetëm Ai -subhanehu ue te’ala- e di.

🎙 شريط فتاوى متنوعة لابن باز – الطائف

Ka thënë esh-shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:

Fjala e tij: “nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij” dmth: përveç hijes të cilën Ai do ta krijojë dhe nuk është siç u duket disa njerëzve se ajo është hiija e vetë Zotit -azze ue xhel’le-, kjo është e kotë, sepse kjo kërkon që dielli në atë kohë të jetë “sipër” Allahut -azze ue xhel’le-.

📚 مجموع الفتاوى” (٤٩٧/٨)”

Gjithashtu ka thënë esh-shejkh ibnu Uthejmin -Allahu e mëshiroftë- në shpjegimin të “Rijadus Salihin” (2/243-244):

Qëllimi me hijen këtu është: një hije që do ta krijojë Allahu -azze xhel’le- ditën e Kijametit, do të strehojë nën hije atë që dëshiron prej robërve të tij dhe nuk është qëllimi hija e Allahut -xhel’le ue ala- vetë; sepse Allahu është Drita e qiejve dhe tokës nuk është e mundur që Allahu të jetë hije nga dielli dhe dielli të jetë “sipër” Tij dhe Ai të jetë në mes tij (diellit) dhe njerëzve! Mbaroi fjala e tij -Allahu e mëshiroftë-

Imam ibnu Hibbani -Allahu e mëshiroftë- e ka titulluar një kapitull në “Sahihun” e tij:

“Përmendja e veçorive ku shpresohet për atë që i ka ato apo i merr ato që Allahu ta strehojë Ditën e Kijametit nën hijen e Arshit të Tij”

Më pas përmendi hadithin e shtatë vetëve ashtu siç gjendet në hadith sahih.

Ka transmetuar ibnu ebij Shejbeh -Allahu e mëshiroftë- në: “el-Musannef” (8/172 – 8/179):

Nga ebu Derda’i se nën hijen e Arshit do jetë një burrë që e ka zemrën e tij të lidhur me xhamitë, për shkak të dashurisë që ka për to.

Dhe kuptimi i selefëve është më parësor për t’u ndjekur lidhur me këtë çështje dhe Allahu e di më së miri.

Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër në lidhje me këtë çështje.

Ue sal’Allahu ala nebijjina Muhamed ue ala elihi ue sahbihi ue sel’lem

Përgatiti & përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: