Loading

Domethënia e fjalës “la ilahe il-la Allah” është “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut” dhe jo “nuk ka zot tjetër me të drejtë përveç Allahut”.

Ka thënë el-al’lameh Abdul-Aziz ibnu Baz -Allahu e mëshiroftë-:

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin mbi atë që e dërgoi si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që i pasojnë ata me të mira deri në Ditën e Kijametit.

U njoftova për fjalën të cilën e shkroi vëllai ynë për hir të Allahut, dijetari al’lameh shejkh Umer ibnu Ahmed el-Milibarij, në lidhje me kuptimin e fjalës «la ilahe il-la Allah» dhe meditova rreth asaj që sqaroi shkëlqesia e tij në lidhje me këndvështrimet e tri grupeve sa i takon kuptimit të saj.

Sqarimet përkatëse që kanë dhënë tri grupet janë këto :

I pari: nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.

I dyti: nuk ka diçka që meriton bindjen përveç Allahut.

I treti: nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

I sakti është sqarimi i parë, sqarim të cilin e qartësoi shkëlqesia e tij dhe për këtë tregon Libri i Allahut -subhānehu në disa vende në Kur’anin Kerim, siç është psh Fjala e Tij subhānehu:

إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ} [الفاتحة: 5]}

{Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë} [Fatiha: 5]

Dhe në Fjalën e Tij azze ue xhel’le:

وَقَضَى رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ} [الإسراء: 23]}

{Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij} [Isra: 23]

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنََّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ} [الذاريات: 56]}

{Nuk i kam krijuar xhinnët dhe njerëzit përveç që të më adhurojnë Mua (të Vetëm)} [Dharijat: 56]

Dhe Fjala e Tij -subhānehu ue te’ala-:

ذ ٰلِكَ بِأَنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلۡحَقُّ وَأَنَّ مَا یَدۡعُونَ مِن دُونِهِۦ هُوَ ٱلۡبَـٰطِلُ وَأَنَّ ٱللَّهَ هُو ٱلۡعَلِیُّ ٱلۡكَبِیرُ} [الحج: ٦٢]

{Dhe kjo sepse Allahu është e Vërteta (i Vetmi që meriton të adhurohet), ndërsa çdokush që adhurohet përveç Tij është e pavërteta…} [Haxh: 62]

Ajetet me këtë kuptim janë të shumta. Kjo është ajo që kuptuan mushrikinët (politeistët) prej kësaj fjale kur Profeti ﷺ i ftoi për tek ajo dhe u tha: “o populli im! Thoni: «la ilahe il-la Allah» që të shpëtoni!”. Përkundrazi, ata e mohuan atë dhe u treguan mëndjemedhenj në pranimin e saj, sepse ata e kuptuan se ajo fjalë e kundërshtonte rrugën në të cilën ishin etërit e tyre, rrugë e cila ishte adhurimi i idhujve, pemëve, gurëve dhe marrja e tyre për idhuj. Këtë e ka përmendur Allahu azze ue xhel’le në Fjalën e Tij subhānehu në Suren Sad:

وَعَجِبُوا أَنْ جَاءَهُمْ مُنْذِرٌ مِنْهُمْ وَقَالَ الْكَافِرُونَ هَذَا سَاحِرٌ كَذَّابٌ ۝ أَجَعَلَ الْآلِهَةَ إِلَهًا وَاحِدًا إِنَّ هَذَا لَشَيْءٌ عُجَابٌ} [ص: 4، 5]

{Ata (mekasit) çuditen për ardhjen e një paralajmëruesi nga gjiri i tyre dhe jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar! A mos kërkon ai që të gjithë të adhuruarit t’i bëjë një të Adhuruar të Vetëm?! Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!} [Sad: 4-5]

Dhe Ai subhānehu ue te’ala thotë në Suren Sāfāt për politeistët:

إِنَّهُمْ كَانُوا إِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهَ يَسْتَكْبِرُونَ ۝ وَيَقُولُونَ أَئِنَّا لَتَارِكُو آلِهَتِنَا لِشَاعِرٍ مَجْنُونٍ} [الصافات: 35، 36]

{Vërtet, kur u thuhej atyre “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut”, tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim të adhuruarit tanë për shkak të një poeti të marrë?!} [Es-Sāfāt: 35-36]

Prej kësaj bëhet i qartë fakti se ata e kuptuan domethënien e tij (shehadetit), pra që ai ua hedh poshtë të adhuruarit e tyre dhe obligon veçimin e Allahut në adhurim. Prandaj, kur e pranoi Islamin ai që e pranoi nga mesi i tyre, e la rrugën e shirkut në të cilën ishte dhe ia përkushtoi adhurimin vetëm Allahut.

Nëse kuptimi do të ishte “nuk ka zot tjetër me të drejtë përveç Allahut” apo “nuk ka gjë që meriton bindjen përveç Allahut”, atëherë ata nuk do ta kishin mohuar këtë fjalë. Ata e dinin që Allahu ishte Zoti dhe Krjuesi i tyre dhe se bindja e tyre ndaj Tij ishte detyrë, pra bindja në atë që ata dinin se ishte prej Tij subhānehu. Ama, ata besonin në adhurimin e idhujve, të dërguarve, engjëjve, të njerëzve të devotshëm, pemëve etj me besimin se ato ndërmjetësonin për ta tek Allahu dhe me shpresën se ato do t’i afronin më afër tek Ai. Këtë e ka përmendur Allahu subhanehu në Fjalën e Tij:

وَيَعْبُدُونَ مِنْ دُونِ اللهِ مَا لَا يَضُرُّهُمْ وَلَا يَنْفَعُهُمْ وَيَقُولُونَ هَؤُلَاءِ شُفَعَاونَا عِنْدَ اللهِ} [يونس: 18]

{Ata adhurojnë në vend të Allahut ato që as nuk u bëjnë dëm dhe as nuk u sjellin dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu.”} [Junus: 18]


Allahu e hodhi poshtë atë dhe iu kundërpërgjigj atyre me Fjalën e Tij:

قُلْ أَتُنَبِّئُونَ اللهَ بِمَا لَا يَعْلَمُ فِي السَّمَاوَاتِ وَلَا فِي الْأَرْضِ سُبْحَانَهُ وَتَعَالَى عَمَّا يُشْرِكُونَ} [يونس: 18]

{Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?!” I Lavdëruar dhe i Lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!} [Junus: 18]

Dhe në Fjalën e Tij:

تَنْزِيلُ الْكِتَابِ مِنَ اللَّهِ الْعَزِيزِ الْحَكِيمِ ۝ إِنَّا أَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ فَاعْبُدِ اللهَ مُخْلِصًا لَهُ الدِّينََ ۝ أَلَا لِله الدِّينُ الْخَالِصُ وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ أَوْلِيَاءَ مَا نَعْبُدُهُمْ إِلَّا لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللهِ زُلْفَى} [الزمر: 1-3]

{Ky Libër është shpallur nga Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Urti! Njëmend, Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën, ndaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të sinqertë për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë! Ata që marrin mbrojtës të tjerë përveç Tij thonë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”} [Zumer: 1-3]

Ai subhānehu qartësoi me këtë se ata ishin gënjeshtarë në pretendimin se të adhuruarit e tyre i afronin më afër Allahut dhe qartësoi po ashtu se me këtë vepër ata ishin mosbesimtarë. Ajetet me këtë kuptim janë të shumta.

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin mbi zotërinë tonë Muhammed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që i pasojnë ata me përpikmëri deri në Ditën e Kijametit!

مجموع فتاوى ومقالات متنوعة للشيخ ابن باز (2/ 5) 📚

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: