Loading

Hadith madhështor!!!

Transmeton el-Bera’u ibnu Azib -radij’Allahu anhu- se: dolëm me Pejgamberin ﷺ në xhenazen e një burri prej ensarëve dhe kur mbërritëm te varri, ai nuk ishte varrosur ende, u ul i Dërguari i Allahut ﷺ dhe u ulëm edhe ne rreth tij, sikur sipër kokave të kishim zogj (askush prej nesh nuk lëvizte), ai kishte në dorën e tij një shkop që gërvishte tokën, ngriti kokën dhe tha dy apo tre herë:

«Kërkoni mbrojtje tek Allahu prej dënimit të varrit»

Më pas tha: «Me të vërtetë, robi besimtar kur është në prag të ndarjes nga kjo botë dhe në prag të afrimit për në Botën Tjetër, zbresin tek ai engjëjt prej qiellit me fytyra të bardha, me fytyrat sikur dielli, kanë me vete qefin prej qefinëve të Xhennetit dhe aromë të mirë nga Xhenneti (që shërben për mos dekompozimin e trupit), ulen pranë tij aq sa e lejon shikimi, pastaj vjen engjëlli i vdekjes -alejhis selām- derisa ulet te koka e tij dhe i thotë: o ti shpirt i mirë dil për te falja e Allahut dhe kënaqësitë e Tij.

Ai del dhe rrjedh ashtu siç rrjedh uji prej brokes prej lëkure dhe ai e merr atë. Kur e merr atë, nuk e lënë për asnjë çast në dorën e tij, derisa e marrin dhe e mbështjellin atë me qefin dhe e lyejnë me aromë të mirë prej Xhennetit dhe del prej tij aroma më e mirë e miskut që gjendet në sipërfaqen e tokës»

Kur ngjiten me të (shpirtin), nuk kalojnë pranë një grupi prej engjëjve vetëm se ata thonë: çfarë është ky shpirt i mirë?! Ata i thonë: filani i biri filanit me emrat më të bukur me të cilat e kanë emërtuar me to në dunja, derisa mbërrijnë në qiellin e dunjasë, trokasin në dyert e qiellit dhe u hapen ato, e shoqërojnë atë prej çdo qielli shoqëruesit e tij për në qiellin tjetër, derisa mbërrijnë në qiellin e shtatë ku Allahu -azze ue xhel’le- thotë: shkruajani librin robit Tim në “Ilijinë” (në librin e vepërmirëve) dhe pastaj kthejeni atë në tokë, Unë vërtet i kam krijuar ata prej saj dhe aty do t’i kthejë dhe prej saj do t’i nxjerrë përsëri.

Tha: “shpirti kthehet në trupin e tij dhe i vijnë atij dy engjëj e ulin dhe i thonë:

Kush është zoti (i adhuruari) yt?

Ai thotë: Zoti (i Adhuruari) im është Allahu.

I thonë: cila është feja jote?

Thotë: Islami.

I thonë: Kush është ky burrë i cili u dërgua te ju?

Thotë: ai është i Dërguari i Allahut ﷺ.

I thonë: Nga e mësove ti këtë?

Thotë: e lexova në Librin e Allahut dhe i besova atij (Librit apo Pejgamberit).

Një thirrës në qiell thërret: tha të vërtetën robi Im. Shtrojini atij shtroje prej Xhennetit dhe visheni me rrobe prej tij dhe hapini atij një derë për në Xhennet”.

Tha: “Dhe vjen prej tij aromë dhe erë e mirë, dhe i zgjerohet atij varri aq sa i sheh syri”.

Tha: i vjen atij një burrë me fytyrën më të bukur, me rrobet më të mira dhe me erën më të mirë dhe i thotë: përgëzohu me atë që do të lumturojë, kjo është dita jote që të ishte premtuar.

Ai thotë: Kush je ti? Fytyra jote duket si fytyrë që vjen me hajr?

I thotë: unë jam vepra jote e mirë.

Ai thotë: O Zot bëje Kiametin që të kthehem te familja dhe pasuria ime”.

Tha: “Dhe vërtet, njeriu jobesimtar kur është në prag të ndarjes nga kjo botë dhe në prag të afrimit për në botën tjetër, i zbresin atij prej qiellit engjëj me fytyra të zeza dhe me vete kanë qefinë prej zjarri, ulen pranë tij dhe presin t’i dalë shpirti, pastaj vjen engjëlli i vdekjes, i ulet te koka dhe i thotë: o ti shpirt i keq, dil për te Zemërimi i Allahut”.

Tha: “Ai (shpirti) shpërndahet nëpër trupin e tij dhe ai del ashtu siç del helli nga leshi i lagur, e merr atë, kur ia merr shpirtin nuk e lënë atë në dorën e tij për asnjë çast, derisa e veshin atë me qefinë prej zjarrit dhe del prej tij një erë e keqe prej kufome, më e keqja që gjendet në sipërfaqen e tokës, ngjiten me të qiell, nuk kalojnë pranë një grupi engjëjsh vetëm se thonë:

Çfarë është ky shpirt i keq?!

Ata i thonë: filani i biri i filanit, me emrat më të këqinj me të cilat e emërtonin atë në dynja, derisa mbërrijnë me të në qiellin e dynjas, trokasin për t’ja hapur dyert, por nuk i hapen”.

Më pas i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi: {Nuk u hapen hapen atyre dyert e qiellit, dhe nuk futen në Xhennet derisa të futet deveja në vrimë të gjilpërës} dhe Allahu -azze ue xhel’le- thotë: shkruajani librin në sixhin, në fund të tokës (në tokën e shtatë), dhe e flakin shpirtin e tij me forcë të madhe”.

Më pas lexoi: {Kush i shoqëron Allahut diçka në adhurim i ngjan atij që bie nga qielli dhe e rrëmben atë zogu apo era e shpie në një vend të largët}

Shpirti i tij kthehet në trupin e tij, dy engjëj i vijnë atij e ulin atë dhe i thonë:

Kush është zoti (i adhuruari) yt?

Ai thotë: hah, hah, nuk e di.

Ata i thonë: Cila është feja jote?

Ai thotë: hah, hah nuk e di.

Ata i thonë: Kush është ky burrë që u dërgua tek ju?

Ai thotë: hah, hah nuk e di.

Një thirrës nga qielli thërret: gënjeu, shtrojini atij shtroje prej zjarri dhe hapini një derë për në Zjarr.

I vjen atij prej nxehtësisë dhe erës së nxehtë së tij, i ngushtohet atij varri, aq sa i përzihet brinjët me njëra-tjetrën dhe i vjen atij një njeri me fytyrë të shëmtuar, me rrobe të këqija dhe me erë të keqe, përgëzohu me atë që do të pikëllojë, kjo është dita që të ishte premtuar.

Ai i thotë: Kush je ti? Fytyra jote duket si fytyra e atij që vjen me sherr.

Ai i thotë: unë jam puna jote e keqe.

Ai thotë: Zoti im mos e bëj Kiametin.

رواه الإمام أحمد وأبو داود، وروى النسائي، وابن ماجه

✔️ E ka saktësuar hadithin el-Imam el-Albanij -rahimehullah- në “Sahihut Tergib uet Terhib”.

Përktheu: Abdur-Rahman Mema

Shpërndaje: