![]()
Fjala e Tij:
{لهم درجات عند ربهم}
“Ata do të kenë grada te Zoti i tyre”
Domethënë: pozita, nivele dhe grada në Xhenete, ashtu siç ka thënë i Lartësuari:
﴿هُمْ دَرَجَاتٌ عِندَ اللَّهِ ۗ وَاللَّهُ بَصِيرٌ بِمَا يَعْمَلُونَ﴾
{Tek Allahu ata kanë shkallë të ndryshme; Allahu i sheh të gjitha veprat që ata bëjnë.} [Ali Imran, 163]
“Dhe falje” – d.m.th.: Ai ua fal mëkatet dhe i shpërblen për veprat e mira.
Ed-Dahhaku ka thënë në Fjalën e Tij:
{لهم درجات عند ربهم}
“Ata do të kenë grada te Zoti i tyre”
Banorët e Xhennetit do të jenë disa sipër disa të tjerëve; ai që është më lart do shohë epërsinë që ka ndaj atij që është më poshtë se ai, ndërsa ai që është më poshtë nuk do të shohë se dikush ka epërsi ndaj tij.
Për këtë arsye ka ardhur në dy Sahihët se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Banorët e ‘Illijjinit do t’i shohin ata që janë poshtë tyre, ashtu siç e shihni ju yllin e largët në një horizont të qiellit.»
Ata thanë: O i Dërguari i Allahut, këto janë vendbanimet e profetëve; askush tjetër nuk i arrin ato!
Ai tha: «Po, pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, janë burra që besuan Allahun dhe i besuan të dërguarit.»
Dhe në hadithin tjetër që e transmeton imam Ahmedi dhe autorët e Suneneve, nga Atijeh, nga Ebu Se’idi, se ka thënë: i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
«Banorët e Xhennetit do t’i shohin banorët e shkallëve të larta, ashtu siç e shihni ju yllin e largët në horizontin e qiellit. Dhe vërtet, Ebu Bekri dhe Umeri janë prej tyre – e sa të mirë janë ata!»
📚 Tefsir Ibni Kethir
Përktheu: Abdur-Rahman Mema