![]()
Nga shejkh Abdul-Aziz ibnu Baz rahimehullah
I vdekuri ka nevojë për dua (lutje) dhe sadaka (lëmoshë), dhe gjëja më e mirë që mund të bëhet për të është duaja. Duaja për të në mungesë, lutje që Allahu i Lartësuar ta mbulojë me mëshirë, t’ia falë gjynahet dhe t’ia ngrejë shkallët në Xhennet. E kështu lutet prej lutjeve të mira.
Po ashtu edhe sadakaja është e dobishme: sadakaja me para, me ushqim, me veshmbathje ose me çdo lloj pasurie tjetër – e gjitha kjo i bën dobi të vdekurit. Po kështu edhe haxhi edhe umreja për të, të gjitha këto i bëjnë dobi të vdekurit.
Nëse ai ka borxhe, është obligim që të shpejtohet për shlyerjen e tyre nga pasuria e tij nëse ka. E nëse nuk ka pasuri, është e ligjshme që të afërmit e tij nga fëmijët ose farefisi t’i shlyejnë për të. Shlyerja e borxhit për të është prej sadakave më të mëdha që i bëhen atij. Të gjitha këto janë të kërkuara.
Sa i përket leximit të Kur’anit, jo – nuk ka ardhur ndonjë dëshmi që e vërteton ligjshmërinë e kësaj. Disa dijetarë kanë thënë se leximi i Kur’anit i bën dobi të vdekurit, por nuk ka argument për këtë. Prandaj më e mira është që të mos bëhet diçka e tillë, sepse nuk ka dëshmi nga Profeti ﷺ dhe as nga shokët e tij se shpërblimi i leximit të Kur’anit i arrin të vdekurit. Për këtë nuk ka argument të qartë, prandaj më e mira, më e vlefshmja dhe më e sigurta është lënia e kësaj praktike.
Porse bëhet dua për të vdekurin, kërkohet falje dhe mëshirë për të, jepet sadaka për të me lloje të ndryshme të pasurisë, bëhet haxh për të dhe umra për të, shlyhen borxhet e tij – të gjitha këto janë gjëra që i bëjnë dobi të vdekurit. Allahu e shpërblen edhe të gjallin që i bën këto, edhe i vdekuri përfiton prej tyre gjithashtu.
Është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ka thënë:
«Kur vdes biri i Ademit, i ndërpriten veprat e tij, përveç treve: sadakaja e rrjedhëse, dituria prej së cilës përfitohet, ose fëmija i devotshëm që bën dua për të.»
Gjithashtu është vërtetuar se një burrë e pyeti Profetin ﷺ:
“Nëna ime ka vdekur, a ka ajo shpërblim nëse jap sadaka për të?” Profeti ﷺ tha: «Po.»
Pra sadakaja për të vdekurin i bën dobi atij me konsensus të dijetarëve muslimanë, dhe po ashtu duaja për të i bën dobi me konsensus të dijetarëve muslimanë. Allahut i kërkojmë ndihmë.
Moderatori: Po për namazin dhe agjërimin?
Shejhu: Namazi nuk është i ligjshëm për të vdekurin, nuk është e ligjësuar kjo, po ashtu edhe leximi i Kur’anit.
Ndërsa sa i përket agjërimit, nëse i vdekuri ka pasur borxh agjërim (që e ka lënë pa e agjëruar), atëherë agjërohet për të.
Moderatori: Agjërimi i detyrueshëm?
Shejhu: Po, kush vdes dhe ka pasur borxh agjërim, e nuk e ka agjëruar duke e neglizhuar, atëherë agjërohet për të nga të afërmit e tij, siç tha Profeti ﷺ:
«Kush vdes dhe ka mbi vete agjërim, atëherë agjëron për të kujdestari i tij.»
Pra mund ta agjërojë djali i tij, vajza, bashkëshortja apo ndonjë i afërm tjetër. Kjo është diçka e mirë dhe i bën dobi të vdekurit.
Një grup njerëzish e pyetën Profetin ﷺ për lloje të ndryshme agjërimi, dhe ai u tha:
«A nuk do ta shlyenit sikur filani të kishte borxh agjërimin? Shlyeni borxhin e Allahut, se Allahu është më i Denjë për shlyerjen e borxhit.»
Pra e krahasoi me borxhin. Kjo përfshin edhe Ramazanin, edhe agjërimin e kefares, edhe atë të zotimit për të gjitha këto agjerohet sipas mendimit më të saktë.
Disa dijetarë kanë thënë se kjo vlen vetëm për agjërimin e zotimit, por ky është mendim i dobët. Hadithet e sakta tregojnë qartë se i përfshin të gjitha ato që përmendëm, madje edhe Ramazanin.
Aishja (radijallahu anha) ka thënë se Profeti ﷺ tha:
«Kush vdes dhe ka pasur borxh për agjërim, agjëron për të kujdestari i tij.»
(E kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi).
Në hadithe të tjera të sakta, disa sahabë e pyetën Profetin ﷺ:
“Kush vdes dhe ka pasur borxh një muaj agjërim, disa prej tyre thanë: dy muaj, a të agjërojmë për të?”
Profeti ﷺ tha: «Agjëroni për të.»
Dhe e krahasoi me borxhin, pa bërë dallim nëse ishte Ramazan, kefare apo zotim. Kjo tregon se gjykimi është i përgjithshëm, për kefaretin, zotimin dhe Ramazanin.
Në musnedin e imam Ahmedit, me zinxhir të mirë nga Ibnu Abbasi (radijallahu anhuma), transmetohet se një grua i tha: “o i Dërguari i Allahut! Nëna ime ka vdekur dhe ka lënë pa agjëruar Ramazanin, a të agjëroj për të?”
Ai tha: «Agjëro për nënën tënde. A nuk do ta shlyeje nëse do të kishte borxh? Shlyeni borxhin e Allahut, se Allahu është më i Denjë për shlyerje.»
Ky është tekst i qartë për Ramazanin, dhe zinxhiri i hadithit është i fortë dhe i mirë.
Ndërsa nëse i vdekuri nuk ka qenë neglizhent, por ka vdekur gjatë sëmundjes dhe nuk ka pasur mundësi t’i kompensonte ditët e Ramazanit, atëherë nuk ka asgjë mbi të, sipas shumicës së dijetarëve. Nuk kërkohet të agjërohet për të, as të ushqehet për të, sepse ai nuk ka qenë fajtor, por ka pasur arsye. Sepse Allahu ka thënë:
{وَمَنْ كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ}
{E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i kompensojë në ditë të tjera.} [El-Bekareh: 185].
Pra ai që vdes gjatë sëmundjes pa i kompensuar ditët, ai është i arsyetuar, nuk ka detyrim as agjërimin e as ushqyerjen e të varfërve, dmth nuk u kërkohet trashëgimtarëve të tij as të ushqejnë të varfërit e as të agjerojnë për të.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema