Thotë shejkh Ibnu Baz rahimehullah:
Sa i përket diktimit (të shehadetit), kjo është e pëlqyeshme, për shkak të fjalës së Profetit ﷺ:
«Diktojani të vdekurve tuaj (në çastet e fundit) fjalën: La ilahe il-lAllah.»
Prandaj është e pëlqyeshme t’i thuhet të sëmurit: Kujto Allahun, ose ai që është ulur pranë tij të thotë: La ilahe il-lAllah, në mënyrë që i sëmuri ta dëgjojë dhe ta thotë si ai. Nëse vdes dhe nuk i është diktuar, nuk ka problem përderisa ka vdekur në Teuhid (veçimin e Allahut në adhurim) – falënderimi i takon Allahut – nuk e dëmton kjo, nëse vdes me Teuhid edhe sikur askush të mos i ketë diktuar gjë dhe nëse nuk thotë gjë në çastin e vdekjes, prapëseprapë ai mbetet në Teuhid dhe në akiden (doktrinën) me të cilën ka vdekur. Shpresohet për të mirësi e madhe.
Por, nëse e thotë La ilahe il-lAllah, ose dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut, në çastin e vdekjes, ky është lajm i mirë dhe ka vlerë të madhe!
Në hadithin tjetër, Profeti ﷺ thotë:
«Kujt fjala e fundit e tij është La ilahe il-lAllah, do të hyjë në Xhennet», domethënë me besim dhe devotshmëri.
Ama nëse thotë La ilahe il-lAllah por është këmbëngulës në mëkate, atëherë ai është nën dëshirën e Allahut dhe në rrezik: nëse do Allahu, ia fal, e nëse do, e ndëshkon për mëkatet me të cilat ka vdekur pa u penduar.
Për shkak të Fjalës së Allahut të Madhëruar në Librin e Tij madhështor në suren En-Nisa:
{إِنَّ ٱللَّهَ لَا یَغۡفِرُ أَن یُشۡرَكَ بِهِۦ وَیَغۡفِرُ مَا دُونَ ذَ ٰلِكَ لِمَن یَشَاۤءُۚ}
{Vërtet, Allahu nuk e fal që t’i bëhet shirk Atij, përveç tij ia fal kujt të dojë} [En-Nisa: 48].
Pra, Allahu e ka kushtëzuar faljen e çfarëdo gjëje që është përveç shirkut me Dëshirën e Tij. Ky ajet tregon se kush vdes mbi mëkate – si zina, vjedhje, pirje të alkoolit, mosrespektim të prindërve ose njërës prej tyre – gjykimi për të është se çështja e tij mbetet nën Dëshirën e Allahut: nëse do Allahu, e fal, e nëse do, e ndëshkon në varësi të mëkateve me të cilat ka vdekur, nëse nuk është penduar para vdekjes.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema