Nga shejkh Ibnu Baz rahimehullah
Pyetja: Vëllai ynë thotë: Dëshiroj nga shkëlqesia juaj të na sqaroni se çfarë është rijaja në aspektin sheriatik dhe si mund ta shmangim atë. Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Përgjigjja:
Rija (hipokrizia në adhurim) është një emër që rrjedh nga folja رَاءَى, kuptimi i së cilës është: të veprosh një vepër që ta shohin të tjerët. Falet që ta shohin njerëzit, jep sadaka që ta shohin të tjerët. Qëllimi i tij është që ta lavdërojnë dhe të dinë që ai jep sadaka apo që falet apo bën haxh apo umre. Për këtë qëllim e të ngjashme me këto.
Po ashtu, nëse lexon Kur’an që ta dëgjojnë njerëzit dhe ta lavdërojnë, kjo quhet “sum’a” (kërkimi i famës me anë të dëgjimit); ose urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, që të lavdërohet, dhe jo për Allahun, të Vetëm. Kjo është prej rijasë në vepra, kurse për atë që dëgjohet thuhet sumu’a.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Atë që bën rija (vepër për t’u parë nga njerëzit), Allahu do ta shfaqë (poshtërojë). Atë që kërkon famë (sum’a – që ta dëgojnë njerëzit), Allahu do ta shfaqë (turpërojë).”
Gjithashtu ai ﷺ ka thënë:
“Më shumë se nga çdo gjë tjetër unë frikësohem për ju nga shirku i vogël.”
E pyetën për të dhe tha: “Rijaja.”
Në Ditën e Gjykimit, Allahu do t’u thotë atyre që kanë bërë rija:
“Shkoni tek ata për të cilët e bënit veprën në dunja dhe shihni a do të gjeni shpërblim tek ata.”
Në një tjetër hadith, Profeti ﷺ thotë se Allahu ka thënë:
أنا أغنى الشركاء عن الشرك، من عمل عملًا أشرك معي فيه غيري تركته وشركه
“Unë jam më i Pasuri nga të gjithë për ortakë. Atë që bën një vepër në të cilën më përfshin edhe Mua, edhe dikë tjetër, Unë e braktis me gjithë veprën e tij.”
Prandaj është obligim për besimtarin që të ruhet nga rijaja dhe të jetë i sinqertë në veprat e tij, vetëm për Allahun: të falet për Allahun, të agjërojë për Allahun, të japë sadaka për Allahun, të shpresojë për shpërblimin dhe faljen e Tij. Po ashtu, të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, të kryejë haxhin, umren, të vizitojë të sëmurët. Të gjitha këto duke kërkuar shpërblimin nga Allahu dhe jo për sy e faqe apo për lavdërimin e njerëzve.
Kjo është detyra e besimtarit. Siç thotë Allahu i Lartësuar në Kur’an:
{فَمَنْ كَانَ يَرْجُوا لِقَاءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا} [الكهف: 110].
{Kush shpreson takimin me Zotin e tij, le të veprojë vepra të mira dhe të mos shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.} [El-Kehf: 110]
Lusim Allahun që të na udhëzojë dhe ndihmojë ne dhe gjithë muslimanët!
Shënimi i përkthyesit:
Shembulli i sum’as: kur lexon me zë të lartë që ta dëgjojnë njerëzit se je duke lexuar Kur’anin, apo e zbukuron zërin që të thonë njerëzit sa zë të bukur që ka, e kështu me radhë.
Përktheu: Abdur-Rahman Mema