Loading

Kur dy bijtë e Rabi’ah, Utbeh dhe Shejbeh, e panë Profetin ﷺ dhe ç’kishte hequr, u erdhi keq. Një të ri të krishterë që e kishin në pronësi dhe që quhej Uddās, e thirrën e i thanë:

Merre një vesh prej këtij rrushi, vendose në këtë tepsi, pastaj shko tek ai burrë dhe thuaji që të hajë prej tij.

E Uddāsi kështu veproi: iu afrua derisa ia vendosi përpara Profetit ﷺ dhe i tha: ha! Kur Profeti ﷺ zgjati dorën, tha: “bismilah!” dhe filloi të hajë.

Uddāsi e pa në sy dhe tha: pasha Allahun, këtë fjalë nuk e thonë banorët e këtij vendi!

Profeti ﷺ i tha: nga banorët e cilit vend je ti, o Uddās, dhe çfarë feje ke?

I tha: unë jam i krishterë dhe jam nga Nineua.

I tha Profeti ﷺ: a mos je nga qyteti i një njeriu të devotshëm me emrin Junus ibnu Mette?

I tha Uddāsi: e ku e di ti se kush është Junus ibnu Mette?!

I tha Profeti ﷺ: ai është vëllai im! Ai ishte i dërguar dhe edhe unë jam i dërguar!

Uddāsi iu hodh sipër duke i puthur kokën, duart edhe këmbët.

Njëri nga dy bijtë e Rabi’ah i tha tjetrit: sa i përket të riut tënd, ai ta prishi atë!

Kur Uddāsi shkoi tek ata, i thanë: i mjeri ti o Uddās! E si ia puth kokën, duart dhe këmbët atij njeriu?!

I tha: o zotëria im, nuk ka në tokë gjë më të mirë sesa kjo! Ai më tregoi për një çështje të cilën nuk e di vetëm se një profet!

(I thanë:) I mjeri ti, o Uddās! Kujdes mos të largon nga feja jote! Feja jote është më e mirë sesa feja e tij!

📚 السيرة النبوية” لابن هشام (٤٢١/١) ت السفا.


^ Shënim: Hafizi Ibnu Haxher -rahimehullah- në librin e tij “el-Isabeh fij temjiz es-Sahabeh” (4/385), e ka renditur Uddāsin mes Sahabëve. Allahu qoftë i Kënaqur prej tyre!

Përktheu: AbduRrahman Mema

Shpërndaje: