Ka thënë el-Al’lameh Abdul-Aziz bnu Baaz -rahimehullah-:
Ajo që bie detyrë mbi muslimanin kur është në avion apo në shkretëtirë është që të mundohet për të gjetur kiblën duke pyetur njerëzit që kanë përvojë, ose duke parë shenjat e kibles në mënyrë që të falet në drejtim të saj me dituri të plotë, nëse nuk i mundësohet gjetja e saj, atëherë mundohet dhe e kërkon vetë drejtimin e kibles dhe falet në atë drejtim dhe i lejohet kjo, edhe nëse i bëhet e qartë më pas se nuk ia qëlluar drejtimit të kibles; sepse është përpjekur dhe frikësuar Allahut aq sa ka mundësi.
Atij nuk i lejohet ta falë farzin në avion apo në shkretëtirë pa bërë përpjekje, nëse e bën atë, atëherë duhet të përsërisë namazin; sepse nuk i është frikësuar Allahut me aq sa ka mundësi dhe nuk ka bërë përpjekje.
Sa i përket asaj që pyetësi është falur ulur, nuk ka gjë në të, në rast se nuk ka pasur mundësi të falej në këmbë, ashtu si falësi në anije apo në traget, nëse nuk mundet të falet në këmbë. Argumenti për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar:
{فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ}
{Frikësojuni Allahut aq sa keni mundësi}
Nuk ka gjë nëse e vonon namazin derisa të zbresë, nëse i “premton” koha, e gjitha kjo është në lidhje me farzin, ama sa i përket nafileve (namazeve vullnetare) nuk është detyrë drejtimi nga kiblah kur ai është në avion, në makinë apo mbi kafshën e udhëtimit, sepse është e vërtetuar nga Pejgamberi ﷺ se kur ai ishte në udhëtim e falte nafilen ndërsa ishte mbi deve, në atë drejtim që kishte rrugën, mirëpo është e pëlqyer që t’i drejtohet kibles në kohën e tekbirit fillestar, më pas e plotëson namazin në atë drejtim që ka për të shkuar, sepse është vërtetuar prej hadithit të Enesit -radij’Allahu anhu- që tregon për këtë gjë.
Allahu është Ai që e dhuron suksesin.
http://www.binbaz.org.sa/fatawa/4636
Përktheu: Abdur-Rahman Mema