Uallahi! Habitem me një musliman që i lexon këto ajete dhe hadithe dhe nuk u kushton vëmendje. Ama m’u shtua habia kur pashë te njerëzit e Teuhidit, te pasuesit e tij dhe te njerëzit e davetit selefij përçarje, mosmarrëveshje, urrejtje, mbjellje të armiqësisë dhe etiketim me llagape. Pashë shmangien e tyre nga e vërteta, ndërkohë që pretendojnë se e pasojnë dhe ecin me atë që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ.
Gjen një grup që paralajmëron ndaj tjetrit dhe angazhohen me shkrime, me mësime, me regjistrime dhe me statuse në twitter. E për çfarë? Për të goditur njerëzit e Teuhidit me njëri-tjetrin dhe për të goditur selefitë me njëri-tjetrin! As u bëjnë dobi këshillat, as udhëzimet e dijetarëve të mëdhenj, as ndalesa nga përçarja, as urdhërimi për harmoni dhe dashuri! Përderisa ai është vëllai yt dhe nuk ka bërë bidat, nuk është bërë bidaxhi, e veçon Allahun me adhurim, nuk është hizbij, është vëllai yt për hir të Allahut, atëherë është detyrë që ta duash për hir të Tij, ta ndihmosh dhe të bashkëpunosh me të në davet. Dhe jo të dalësh kundër tij.
Kam parë me sytë e mi selefijë që shmangen nga kjo, nuk e pranojnë këshillën dhe nuk e pranojnë atë që bie në kundërshtim me tekat e tyre. Ka arritur puna deri aty, sa një selefij nuk duron dot ta shohë vëllanë e tij selefij, nëse e kundërshton atë në çështje dytësore.
Disa prej tyre thonë: Kur shoh filanin, më acarohen nervat!
Sikur ka parë një derr apo sikur ka parë në gjoksin e tij një kryq apo një brez (që e veshin të krishterët) në belin e tij!
O Zot, na mëshiro me Mëshirën Tënde, o Mëshirues i mëshiruesve!
Kini frikë Allahun, o selefijë! Kini frikë Atë kudo që të jeni! Bëhuni me të vërtetën dhe bëhuni me të sinqertët!
Uallahi! Disa selefijë janë bërë si hizbitë, duke ndjekur hapat e tyre, madje ua kanë kaluar: nëse një hizbij gënjen, gënjen edhe ai; nëse hizbijtë mashtrojnë, mashtron edhe ai; nëse hizbijtë janë fanatikë pas një shejkhu apo një menhexhi; bëhen edhe ata të tillë; e gjithë kjo ndërkohë që pretendojnë se janë selefijë.
Dhe kanë harruar të merren me “luftimin” e bidatxhive dhe hizbijve. Shqetësimi i tyre kryesor është bërë goditja e vëllait selefi me çdo mjet. Para se të flejë, mendon çfarë do të bëjë nesër me filanin dhe fistekun. Kur zgjohet nga gjumi, mendon se çfarë do bëjë sot kundër vëllait të tij në iman dhe në menhexhin selefij.
Vallahi, për këtë arsye nuk i fajësoj më hizbitë, as i fajësoj Rafidat, as nuk i fajësoj për fanatizmin e tyre ndaj dijetarëve dhe mendimeve të tyre, nuk i fajësoj ashtu siç i kam fajësuar më parë. Përderisa ata pretendojnë se ndjekin atë që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ecin sipas mendimit të tyre, d.m.th sipas tekave dhe endjeve të tyre dhe paralajmërojnë ndaj njerëzve të hakut dhe ndaj vëllait të tyre selefij.
O vëlla, a e bën bidatxhi këtë person? Nuk mundesh ta bësh të tillë. Le të supozojmë se gaboi dhe ka kundërshtuar këndvështrimin tënd. Duroje dhe këshilloje veçmas. Ama që ta konsiderosh armik, ndërkohë që ai është si ty, ndjek Kur’anin dhe Sunnetin, uallahi kjo është hizbizëm dhe ndjekje e tekave.
Të vërtetën tha Allahu:
{أَفَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَهَهُ هَوَاهُ وَأَضَلَّهُ اللهُ عَلَى عِلْمٍ}
{A nuk e ke parë atë që e ka marrë për të adhuruar tekën e vet dhe Allahu e humbi duke qenë i ditur?!}
Ata janë të ditur dhe ndjekin tekat e tyre. Meshaikhët, prej njerëzve të dijes, të përgatitur dhe të drejtë, i paralajmëruan dhe i udhëzuan duke u thënë: “Duhet të keni vëllazëri dhe të tregoni dashuri ndaj njëri-tjetrit! Lëreni këtë përçarje dhe armiqësi ndaj vëllezërve tuaj selefijë!”
Uallahi! Nuk marrin vesh!
Dhe në krye të këtyre këshilluesve është im atë, shejkh Rabi’a hafidhahullah. Me të vërtetë, në këtë periudhë, prej afro një viti, veç ka bërë thirrje për vëllazëri, afeksion dhe dashuri mes selefive.
Ia regjistrojnë këshillat dhe ia fshehin. I përhapin njëherë dhe më pas i fshehin. Dhe e fundit prej tyre, këshilla që iu drejtua vëllezërve selefijë në Britani, është regjistruar në praninë e disa dëshmitarëve të besueshëm. Përmban këtë fjalë:
“Gjithë lavdet i takojnë Allahut. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij:
E këshilloj veten, gjithë muslimanët dhe në veçanti selefijë që të kenë frikë Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, të kapen pas Litarit të Allahut të Plotfuqishëm e të Madhëruar, të kenë vëllazëri mes selefijve në veçanti dhe marrëdhënie e bashkëpunim në vepra të mira dhe devotshmëri.Të largohen nga shkaqet e mospajtimit. Allahu ju bekoftë! Sepse kjo ua prish imazhin e da’uetit, ua prish imazhin dhe i gëzon armiqtë e tyre.
I këshilloj selefijtë që të kenë frikë Allahun e Madhëruar e të Lartësuar dhe të kenë zell të madh në ruajtjen e dashurisë, vëllazërisë, mëshirës dhe dashamirësisë me njëri-tjetrin. Dhe të largohen nga shkaqet e mospajtimit. Ai që gabon prej selefive, nuk poshtërohet në publik…”
Pra, prej selefive dhe jo prej bidatxhive! Del një injorant dhe thotë se kjo fjalë e shekh Rabisë i përngjan fjalës së ikhuanëve, të cilët thonë: “Të bashkëpunojmë në atë që biem dakord dhe ta justifikojmë njëri-tjetrin në atë që kundërshtohemi.”
O injorant, shejkh Rabi’a nuk pati për qëllim bidatxhitë në këtë fjalë që tha, por pati për qëllim që ta ndihmoni dhe ta doni njëri-tjetrin. Sa i përket fjalës së ikhuanëve, ajo që ata kanë për qëllim, është përfshirja e rafidave, sufive, madje edhe përfshirja e nusejrive dhe e të gjithë atyre që ndjekin menhexhin e tyre. Këtë pra kanë për qëllim, që t’i përfshijnë të gjithë ata që ndjekin davetin e tyre dhe të justifikojnë atë që kundërshton hakun.
Ndërsa shejkh Rabi’a ka për qëllim që nëse një thirrës apo nxënës i dijes i cili nuk është bidatxhi gabon, ka të drejtën e vëllazërisë dhe këshillës, dhe nuk poshtërohet në publik. Thotë shejkhu hafidhahullah: “dhe nuk poshtërohet në publik, por këshillohet; e këshillon ai që ka mendje të shëndoshë”. Pra, nuk e këshillon dikush pa njohuri dhe dituri.
“Ai që ka mendje të shëndoshë dhe ka njohuri të sakta.”
Dhe jo ata që kërkojnë poste dhe pozitë dhe dëshirojnë që të jenë të famshëm. Jo ata, por njerëzit e sinqertë dhe modestë, ata që e duan davetin selefij dhe që i japin përparësi atij ndaj veteve. Ata kanë të drejtë ta këshillojnë, ta sqarojnë, ta diskreditojnë apo lavdërojnë.
“…e këshillojnë ata që kanë mendje të shëndoshë dhe njohuri të sakta. E këshillojnë me urtësi dhe me këshillë të bukur…”.
“I porosis sidomos vëllezërit në Britani që të vëllazërohen me vëllezërit e tyre selefijë në Kuvajt, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në Egjipt, në Sudan dhe në të gjitha anët e botës islame…”
Shejkhu vë theksin se disa selefijë kanë paralajmëruar kundër tyre dhe i kanë këshilluar që të mos i dëgjojnë dhe të mos i mirëpresin, ndërkohë që ata janë selefijë, nuk janë
bidatxhinj, hizbij. Nuk janë tebligsa. Nuk janë rafida.
Pavarësisht gjithë kësaj, paralajmërohet kundër tyre, derisa shejkhu hafidhahullah tha: “Nëse atyre në Britani u vjen ndonjë grup nga Kuvajti ose nga ndonjë vend tjetër, le ta mirëpresin me gjithë respektet dhe nderimet e duhura. Të mos kenë frikë nga askush…”
Nga ata të cilët i kanë frikësuar njerëzit me paralajmërime, tebdi’e dhe fjalë se filani është tradhtar.
“Nuk ka arsye që të keni frikë. Allahu ju bekoftë! Shejtani iu frikëson dhe iu tremb nga filani e fisteku. Mos ia kini frikën shejtanit. Frikësojuni vetëm Allahut të Madhëruar e të Lartësuar.”
Domethënë mos kini frikë nga pritja e vëllezërve tuaj selefijë, të cilët e veçojnë Allahun me adhurim. Mirëpritini, caktojuni programe mësimdhënieje në xhamitë tuaja dhe lëreni mënjanë paralajmërimin pa baza të shëndosha, paralajmërimin që bazohet në qëllime të caktuara. Lus Allahun ta na udhëzojë ne dhe vëllezërit tanë, të cilët uallahi i duam, i duam për Teuhidin dhe selefizmin që bartin dhe për distancimin nga hizbizmi, pavarësisht se kanë gabuar dhe kanë ndjekur tekat e tyre në urrejtje dhe armiqësi kundrejt selefive, që janë si ata. Sidoqoftë, lus Allahun t’i udhëzojë! Ne duam që çdo selefi të reflektojë dhe ta njohë hakun dhe ta dallojë atë nga e kota.”
Dhe shejkh Rabi’ tha po ashtu:
“Respektojini dhe nderojini vëllezërit tuaj kuvajtianë të cilët kanë derdhur mund të madh në vënien e bazave të da’uetit tuaj në Britani, duke e përhapur, inkurajuar dhe përkrahur atë.
Kështu duhet të veproni edhe ju, o vëllezër në Amerikë. Mos e harroni këtë të mirë.
Allahu ju dhëntë sukses dhe jua përmirësoftë gabimet! Allahu ju bekoftë dhe i bashkoftë zemrat tuaja dhe e largoftë nga ne dhe ju çdo të keqe!
Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Profetin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!”
Këto fjalë dolën prej shejkhut (shejkh Rabisë) në mesin e një grupi nga Kuvajti të cilët e vizituan në natën e 7 Sheualit 1436 h. Domethënë para 10 ditësh, pak a shumë.
Ajo që kisha për qëllim me këtë fjalë të shejkhut, është që t’ju siguroj se ka në mesin e selefive një lloj urrejtjeje dhe mosmarrëveshjeje. Uallahi, kjo gjë nuk ka baza. Nuk ka arsye që kjo mosmarrëveshje të ndodhë, domethënë deri në atë pikë sa të meritojë këtë urrejtje dhe armiqësi. Janë thjesht mendime të ndryshme.
Ka pasur mes shejkh Albanit apo shejkh Uthejminit apo shejkh Ibnu Bazit mosmarrëveshje, jo në akide, por në çështje fik’hijeh, fjala vjen për hukmin e hixhabit, për hukmin e bizhuterive me ar. Shejkh Albani mendonte se çdo bizhuteri ari në formë rrethi, të cilat gratë i vendosin në dorë apo në qafë, nuk lejohen. Ndërsa shejkh Uthejmini dhe shejkh Ibnu Bazi e shihnin si të lejuar; dhe ky është mendimi më i saktë. Mirëpo a paralajmëruan ata ndaj shejkh Albanit dhe a i larguan njerëzit prej tij dhe a i largoi ai njerëzit prej tyre? Apo i lavdëronte dhe e lavdëronin, i donte dhe e donin, bënte dua për ta dhe ata bënin dua për të, shkonte për mik tek ata dhe ata e lavdëronin? Madje shejkh Ibnu Bazi tha për të: “Nëse ka muxhedid në këtë shekull, ai është shejkh Albani.”
Mospajtimet që kishin në disa degëzime nuk i çonin në urrejtje, armiqësi dhe përçarje. Ata pra janë dijetarët e vërtetë! Ata janë ata të cilët nuk dëshironin për vetet e tyre pozitë! Ata të cilët i shmangeshin famës dhe nuk i kushtonin vëmendje. Nuk i kushtonin vëmendje fjalëve “al’lameh” apo “muxhedid” apo “njeri shumë i zgjuar” të dikujt.
Dhe diçka që kam lexuar së fundi rreth shejkh Uthejminit rahimehullah: Një person tregon se e ka parë shejkhun në Haremin e Mekes dhe mesa dukej, sapo kishte përfunduar umren; kishte veshur një rrobë të pahekurosur dhe të thjeshtë dhe nuk kishte veshur bisht (një lloj veshjeje e hollë që e veshin sipër xhelabijes dijetarët etj. në Arabi Saudite). Kur afroi koha e faljes, shejkhu u afrua të falej në rreshtin e parë pranë Qabes, pas imamit. Herën e parë polici e ndaloi. Ama shejkhu nuk i tha: “Unë jam filani! Unë jam shejkh Uthejmini!”
Jo. Heshti, u kthye, bëri një tauaf rreth Qabes dhe u kthye që ta provonte përsëdyti. Përsëri polici e ndaloi dhe shejkhu i tha: “Me çfarë të drejte më ndalon?! Kjo është Shtëpia e Allahut për atë që ka ardhur herët!”
U largua përsëri dhe bëri tauaf për herë të tretë. U kthye dhe këtë herë ia doli mbanë, qëndroi në rresht, dha tekbir që të falte sunnetet. Polici ishte i zënë me dikë tjetër dhe, kur e vuri re, u nxeh me këtë veprim të shejkhut. Sapo shejkhu dha selam, polici iu afrua, e goditi lehtë në sup dhe i tha: “Ngrihu, o xhaje, se ky vend është për dijetarët!”
Burri i cili po e tregonte këtë ngjarje e njihte shejkhun dhe iu drejtua policit: “A nuk e njeh këtë shejkh?! Ky është dijetari i madh, shejkh Muhamed ibnu Salih El Uthejmini!”
Tha: “A ky është dijetari i madh, shejkh Muhamed ibnu Salih El Uthejmini?!”
Meqë polici nuk e ndihmoi, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm se t’ia puthë kokën shejkhut dhe t’i kërkojë ndjesë.
Çfarë tha shejkh Uthejmini pasi polici i kërkoi falje dhe i puthi kokën? Burri që e tregon ngjarjen thotë: “Shejkhu më pa me një shikim që tregonte mosaprovim për zbulimin e identitetit të tij. Ndaj, duke buzëqeshur, i kërkova ndjesë.”
Shihni, o vëllezër, shihni përulësinë dhe thjeshtësinë e dijetarëve! Tani jemi sprovuar me njerëz që kërkojnë famë, që kërkojnë pozitë në emër të davetit dhe dijes! Lus Allahun të na ruajë dhe të na mbrojë!
Uallahi! Shejtani po luan me mendjet e tyre dhe nuk po e kuptojnë!
Ju e dini historinë e Uvejs El Karanit, për të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ i tregoi Umerit radijAllahu anhu dhe i tha që ta kërkojë dhe të kërkojë prej tij dua. Ndërsa ai fshihej. Kur Umeri e gjeti, i kërkoi që t’i bëjë dua. Çfarë bëri Uvejsi pas kësaj? U largua për në Irak! Dhe nuk tha që Prijësi i Besimtarëve e ka lavdëruar. U largua për në Irak dhe u fsheh si i varfër. Ndoshta u ka ruajtur njerëzve bagëtinë. Ndërkohë që atij i pranohej duaja dhe Umeri e kërkonte që t’i bënte dua sipas porosisë së të Dërguarit ﷺ!
Ue la haule ue la kuuete il-la bil Allah! Dhe tani ne jemi sprovuar me njerëz që pretendojnë se janë selefijë dhe pretendojnë se kanë dije, e në të vërtetë, ajo që po kërkojnë është fama dhe lavdia në kurriz të davetit!
Vëllezër, nuk dua që t’ju vonoj. Lus Allahun për sukses dhe udhëzim! E lus Atë të m’i falë gabimet mua, juve dhe të gjithë muslimanëve! E lus që të na bëjë prej grupit të shpëtuar dhe ndihmuar dhe të na ruajë nga bidati dhe humbja! Të na ruajë nga vetëpëlqimi, nga pëlqimi i tekave, famës dhe lavdisë! Dhe e lus të na bëjë prej atyre që i ndreqin gjërat! Allahu na dhëntë neve dhe juve sukses në atë që Ai e do dhe me të cilën është i Kënaqur! O Allah, largoji fitnet që kanë kapluar ummetin e Muhamedit ﷺ, ruaji nga kurthet e armiqve, sill harmoni në zemrat e tyre dhe bashkoji safet e tyre!
O Allah, udhëzoji selefitë, të cilët janë njerëzit e Teuhidit Tënd, veçimit Tënd në adhurim!
O Allah, sill harmoni në zemrat e tyre, rregullojua çështjet, bashkojua fjalën, largojua urrejtjen, armiqësinë dhe mosmarrëveshjet!
Ue sal’Allahu ala Muhamedin ue ala Elihi ue ashabihi exhmein.
https://soundcloud.com/ulamaaudio/advice-to-the-salafis-of-the-uk-the-us-sheikh-muhammad-ibn-rabee-al-madkhali
Përktheu: AbduRrahman Mema